200 mijë euro dëm me rimbursimin e TVSH, nuk provohet ndërhyrja e Shehajt
Prokuroria e Shkodrës ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim dy ish-drejtuesit kryesorë të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve të qytetit, Hysen Hysaj dhe Agron Ramadani, të akuzuar për “Shpërdorim detyre” gjatë procesit të rimbursimit të tatimit mbi vlerën (TVSH) e shtuar për 4 kompani private, me një dëm financiar ndaj shtetit që llogaritet në rreth 200 mijë euro.
Rimbursimi i TVSH-së për këto kompani është realizuar në kundërshtim me ligjin, pasi ato kanë përfituar edhe pse kishin në total një detyrim financiar rreth 300 mijë euro ndaj administratës doganore dhe tatimore.
Prokuroria e Shkodrës nisi hetimin në vitin 2016, në vijim të një konflikti të brendshëm administrativ ndërmjet të pandehurit Hysen Hysaj, drejtor rajonal i Tatimeve dhe Agron Ramadani, drejtor i Vlerësimit në atë institucion.
Ndërmjet dy zyrtarëve të lartë kishte mosmarrëveshje lidhur me rimbursimin e subjektit “Halaj” shpk, në vlerën rreth 11 milionë lekë të reja. Drejtori i vlerësimit, Ramadani, nuk pranonte të rimbursonte kompaninë “Halaj”, pasi ishte në kundërshtim me rregullat tatimore. Por drejtori rajonal, Hysaj, këmbëngulte për realizimin e procedurës. Për këtë konflikt brenda institucionit, drejtori i vlerësimit, Ramadani, njofton edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, duke i vënë në dijeni gjithashtu se administratori i subjektit “Halaj” shpk ishte i afërm i drejtorit rajonal të Tatimeve Shkodër dhe për këtë arsye Drejtoria e Vlerësimit duhet të realizonte procedurat për rimbursimin e TVSH-së në favor të subjektit.
Diskutimi mbi këtë çështje u zhvillua edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, me urdhër të drejtoreshës së asaj kohe, Briseida Shehaj. Gjatë hetimit, ish-drejtori i Vlerësimit Tatimor, Ramadani, ka pretenduar se, për këtë çështje, është telefonuar edhe nga Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, nga telefoni i një zyrtari tjetër në DPT, ku i ka kërkuar që të miratojë procedurën sipas kërkesës së Drejtorit Rajonal.
Prokuroria e Shkodrës ka pyetur në cilësinë e deklaruesit edhe ish-drejtoreshën e Përgjithshme. Gjithësesi, gjatë hetimit, nuk u arrit të provohej pretendimi i të pandehurit Ramadani se ka pasur ndërhyrje nga drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve.
Në vijim, ai nuk ka pranuar të nënshkruajë procedurën dhe, për këtë arsye, nga ana e drejtorit Rajonal ndaj tij është urdhëruar nisja e procedimit disiplinor, ndërkohë që kompania “Halaj” ka përfituar rimbursimin në vlerën rreth 11 milionë lekë të reja.
Gjatë hetimit të kësaj çështjeje, Prokuroria e Shkodrës identifikoi edhe të paktën 3 raste të tjera, në të cilat Drejtoria Rajonale e Shkodrës ka rimbursuar TVSH-në në kundërshtim me ligjin.
Në këto tre raste, konkretisht për kompanitë “Adelchi Shqiperi” dhe “B & T Shoes” dhe “Calvcaturificio Adelchi”, nga hetimet e Prokurorisë, rezultoi se veprimet antiligjore janë realizuar nga drejtori Rajonal Tatimor, Hysen Hysaj, në bashkëpunim me drejtorin e Vlerësimit, Agron Ramadani. Dy drejtuesit kryesorë tatimore, të cilët kanë pasur konflikt administrativ për rastin e “Halaj” shpk, rezulton se kanë pasur mirëkuptim me njëri-tjetrin për rastet e 3 kompanive të tjera, në plotësimin e praktikave për rimbursim, në kundërshtim me ligjin. Në veprimet e tyre, ata kanë përfshirë edhe inspektoren tatimore Vahide Idrizi.
Në fazën e parë të hetimeve paraprake, Prokuroria e Shkodrës urdhëroi ndalimin e drejtorit rajonal (në detyrë në atë kohë), Hysen Hysaj. Më tej, hetimi ndaj tij u zhvillua me masën e sigurimit “detyrim për paraqitje”, vendosur nga Gjykata Shkodër.
Në përfundim të hetimit, Prokuroria e Shkodrës dërgon kërkesën për gjykim kundër shtetasve:
1. Hysen Hysaj, ish-drejtori Rajonal i Tatimeve, Shkodër
2. Agron Ramadani, ish-drejtor i Vlerësimit Tatimor, Shkodër
3. Vahide Idrizi, ish-inspektore e Tatimeve, Shkodër