Vuçiç fut në sherr Kosovën me Shqipërinë me idenë e rikthimit të ish-Jugosllavisë
Ideja politike e Aleksandër Vuçiç për rikthimin “ish-Jugosllavisë plus Shqipërinë”,tashmë jo përmes ushtrisë, por përmes ekspansionit ekonomik në rajon, ka provokuar një përplasje diplomatike në Tiranë, mes shefave të diplomacisë së Shqipërisë dhe Kosovës. Takimet e Edi Ramës me Aleksandër Vuçiç në Beograd, nuk u panë asnjëherë me dashamirësi në Kosovë, interesi i së cilës duket të jetë anashkaluar, me propozimet që janë bërë në samitet e përbashkëta me BE.
Deklarata e fortë e presidentit të sapozgjedhur serb, ka sjellë në Tiranë Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhajn. Ky e ka bërë të qartë se Kosova nuk është e interesuar për tregun e përbashkët në rajon, një ide e mbështetur dhe e mirëpirtur nga serbët.
Në konferencën e përbashkët për mediat, mes Enver Hoxhajt dhe Ditmir Bushatit, u panë qartë ndarjet mes dy vendeve tona për shkak të deklaratës së fortë të Vuçiç, që në një intervistë për Politico, u pyet nëse kishte ndërmend rikthimin e ish Jugosllavisë.
“Është Jugosllavia e vjetër, plus Shqipëria. Është një ide politike, por që nuk rrezikon sovranitetin e tyre. Do të rrisë ekonomitë tona. Na duhet rritje vjetore prej 4% deri në 5%, jo 3%. Kjo nuk mjafton”
Ditmir Bushati dhe Enver Hoxhaj ishin në dy qëndrime diametralisht të kundërta. Ndërkohë që Hoxhaj e dënoi qartë këtë retorikë të Aleksandër Vuçiç, Ditmir Bushati nuk mbajti asnjë qëndrim, por tha se i takon zgjedhësve serbë ta gjykojnë deklaratën.
“Natyrisht është në te drejtën e tij si përfaqësues i një prej vendeve pjesëmarrëse në Ballkanin Perëndimor të ketë nostalgji për Titon, për Millosheviçin dhe për këtë ai të dëshirojë se në fund të ditës cdo politikan e ka llogarinë me qytetarët që përfaqëson” u shpreh Ditmir Bushati.
“As unë as familja ime nuk ka pas nostalgji as për Titon as për idetë e Vucicit për Titon e ish Jugosllavinë. Për shqiptarët e Kosovës, Jugosllavia ka qenë burgu më i gjatë, ma I tmerrshëm dhe ne nuk dëshirojmë të kemi kthim të nostalgjive të tilla” tha Enver Hoxhaj.
Duke folur për të mirat e tregut të lirë në rajon, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati pranoi se ideja fillestare ka qenë e Edi Ramës. Kryeministri shqiptar ka qenë nismëtar i një plan-veprimi për një treg të përbashkët në rajon, të propozuar në Samitin e Parisit.
Në Samitin e Parisit, bashkë me Komisionin Europian vjet, ramë dakort që krahas aspekteve të krijimit të tregut të përbashket të energjise dhe krahas aspekteve të krijimit të komunitetit të përbashkët në fushën e transportit, ku vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e dy nismave, të kishim edhe një plan veprimi me masa me karakter ligjor, administrative, institucional nga të 6 vendet pjesëmarrëse për të unifikuar sa më shumë praktikat tona tregtare. Këtu jemi ne. Ky është qëndrimi jonë, shumë i qartë.
Qëndrimi i Shqipërisë, qëndrimi i kryeministri Rama në Samitin e Parisit si nismëtar i asaj që unë shpjegova deri tani, në mbledhjen e Sarajevës që është parapërgatitore, për Samitin e Triestes është ky që unë konfirmova.
Por nisma e Edi Ramës duket se nuk është këshilluar më parë me autoritetet në Kosovë. Sot, Ministri I Punëve të Jashtme të Kosovës e quajti “të parakohshëm” tregun e përbashkët në rajon. Kosova ende vuan një regjim vizash, me të cilin tregu i lirë është pa kuptim, ndërsa Serbia dhe vasalja e saj, Bosnja Hercegovina nuk i njohin pikat doganore të Kosovës.
Përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën dhe përderisa Bosnja nuk e njeh Kosovën dhe sillet si shtet vassal, për ne dicka e tillë duket e parakohshme.
Jemi duke bërë një analizë të detajshme dhe nëse dogana e kosovës do vendoset jo në very ku është aktualisht në Jarinë, por do vendoset në Suboticë, siç thotë Vucic që nuk e njeh doganën tonë ne do kemi gati 1 miliard më pak.
Edhe nëse flasim për liri të lëvizjes së njerëzve, unë përmenda që ne nuk kemi liberalizim vizash. Për në tregu rajonal pa liberalizim vizash, është po ashtu pa kuptim se njerëzit nuk mund të lëvizin.
Kundërshtimi i nismës së propozuar nga Edi Rama në aspektin ekonomik, duket se i ka shkuar përshtat idesë politike të Aleksandër Vuçiç, por nuk bën pjesë në interesat e Kosovës. Pikërisht për këtë, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj shkoi deri aty sat ë korrigjonte kolegun e tij, Ditmir Bushatin, kur i tha se nuk preferonte ta quante rajonin Ballkani Perëndimor, por Europa Juglindore.