Albspirit

Media/News/Publishing

Izet Shehu ishte poeti, shkrimtari, publicisti dhe politikani i sinqertë

Dje në ambientet e Ministrisë së Kulturës, u përkujtua njëvjetori i ndarjes nga jeta, të poetit, shkrimtarit, publicistit, politikanit Izet Shehu. Në këtë veprimtari përkujtimore merrnin pjesë të afërm të familjes, shkrimtarë, poetë, kritik arti, miq e dashamirës të letërsisë së tij. Veprimtaria u hap me një film dokumentar të përgatitur nga gazetari Demir Gjergji dhe vajza e tij Brikena, e cila me këtë rast kishte përgatitur dhe librin e lënë në dorëshkrim “Flatërim”, një përmbledhje me poezi dhe përshtypje nga miqtë. Në këtë film pasqyrohej në mënyrë më të gjerë veprimtaria e 23 vjetëve të fundit të Izetit si krijues, publicist dhe politikan. Përshtypje në këtë dokumentar bëri dialogu që pat zhvilluar me gjyshin nipi i Izetit, dialog që përcolli lot tek të pranishmit. Mbas filmit pati shumë diskutime të krijuesve, kur më të spikaturit qenë ato të poetit dhe kritikut Sadik Bejko dhe publicistit dhe ish të përndjekurit politik Reshat Kripa. Mbas diskutimeve e bija e tij Brikena shpërndau me autograf për të pranishmit, librin e fundit të Izetit ‘Flatërim”.

Izet Shehu, dallgët e jetës i përballoi me krenari dhe dinjitet

 Reshat Kripa

Filozofi i shquar Niçe ka thënë: “Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin”. Çfarë duhet atëherë? Gjaku… Izet Shehu kishte genin fisnik të fisit të tij. Ishte ky gen që e udhëhoqi në çdo hap të jetës. Ndaj nuk u përul asnjëherë. Dallgët e jetës i përballoi me krenari dhe dinjitet. Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira dhe Izeti i mbijetoi asaj kohe barbare, i mbijetoi sepse në venat e tua rridhte gjak fisniku dhe ky gjak nuk i mungonte. Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj. Por kohët ndryshuan dhe ai ishte gjithmonë në radhën e parë të atyre që iu përkushtuan demokratizimit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e atij sistemi.. Për këtë arsye ata e zgjodhën si përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe nuk u gabuan. Ai e justifikoi plotësisht besimin i dhanë. Ishte gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar me të gjitha forcat e tij për demokratizimin e vendit dhe luftën kundër mentalitetit të përmbysur totalitar që ende sundonte në vendin tonë. Ishte gjithmonë përkrah shtresës nacionaliste, së cilës i përkiste. Izet Shehu ishte poeti, ishte shkrimtari, ishte publicisti, ishte politikani.  Ky ishte Izet Shehu. Sot jemi mbledhur për të përkujtuar figurën e tij. Ndërsa deri para një viti kishim në mes tonë Izetin e dashur, sot kemi kujtimin e tij të paharruar, kemi veprat e tij që kanë lënë gjurmë në fondin e letërsisë shqiptare dhe kjo e bën atë të pavdekshëm. Dhe Izetin sot e kemi në Parajsë. Sot atë e kujtojnë të gjithë. E kujtojnë familja e tij, të afërmit e tij, por e kujtojnë edhe miqtë e tij.

Miltiadh Davidhi

E NJËJTA GJURMË JETE

S’PËRSËRITET DY HERË

Poetit  Izet Shehu

Pak herë e kam takuar ëndrrën tënde

Në sytë e mi dhe zërin tënd

Të ngrohtë si puhizë ere,

E tashmë, më duhet të takoj

Përherë lotin tim, të rrjedhë nëpër pikat e shiut

Të dashurisë sate,

Që e kërkoj e më se gjej.

Pak herë i pata takuar sytë e tu miqësor

Që lëshonin shkëndija gëzimi

Si prej folezave të shpirtrave, yjet,

Dhe ende ndjej të kem dritë

Prej tyre,të shikoj më mirë

Rrugët ku eci tani

Dhe të fal, vetëm dashuri.

Brikena Shehu

Sot paradite, në ambientet e Ministrisë së Kulturës me mbështetjen dhe inkurajimin moral të miqve të tij më të mirë, u zhvillua një ceremoni modeste në kujtim të Babait tonë të nderuar Izet Shehu. Gjithçka kisha menduar dhe parashikuar, por për asnjë moment nuk më kishte shkuar në mendje, që ata njerëz të penës do më ngjallnin aq shumë emocione. Jam shumë e lumtur që ju njoha dhe u bëtë pjesë e jetës sime. Në emër të gjithë familjes sime. Ju falënderoj pa masë për vlerësimin, nderin dhe prezencën tuaj, pavarësisht motit të lagësht apo largësisë. Nuk ka nder e kënaqësi më të madhe, ndaj ju jam shumë mirënjohëse! Me respekt, Brikena Shehu (vajza).

 

Miranda Haxhia

BRIKENA SHEHU, me gjestin fisnik që nderon çdo prind, na mblodhi një vit më pas….për Izet Shehun, poetin, mikun, njeriun e mirë, që në përsiatjen time vjen si muzg i pikëlluar lushnjar….pa tv, pa gazetarë, pa burra shteti… Me njerëz të thjeshtë… Si vetë ai ishte… Mos më flisni më për politikën. Që kërthi e ndjeva kamën e saj, Ata që qenë burra, buzëplasur ikën…Njerëz, ju lutem, më lini të qetë. Të dremit i mënjanuar këtë pakëz jetë…(I. Sh)

Please follow and like us: