Ismail Kadare: Si e njoh unë Enver Hoxhën, ishte mediokër si Marksi, Lenini, Stalini dhe Hitleri
Ai ndihej i lirë më shumë se çdo njeri i lirë. Liria e brendshme i dha mundësinë të shkruante. Kjo e bëri një shkrimtar të madh. Ismail Kadare, shkrimtari më i njohur shqiptar në botë, ka dhënë një intervistë për agjencinë rumune “news.ro”. Pyetur nëse Enver Hoxha ishte njeri i fuqishëm, ai përgjigjet: “Jo, ai ishte një imazh i krijuar për njerëz të zakonshëm dhe naivë. Për mua ishte një mediokër”.
Gjatë një bisede me gazetaren Magda Gradinaru, shkrimtari ka rrëfyer jetën nën diktaturën komuniste, paralelizmin mes diktaturës komuniste dhe Perandorisë Osmane, legjendat dhe mitet me origjinë europiane, zgjedhjet e një shkrimtari, diktatorin Enver Hoxha, Leninin, Karl Marksin, mërgimin, etj.
“Është një mister i njerëzimit për mua. Hitleri ishte mediokër, Musolini ishte deri diku i aftë, Stalini ishte po ashtu mediokër. Për Leninin është krijuar një legjendë që ka qenë një gjeni, por unë nuk e besoj. Ai ka shkruar një libër të vogël mbi letërsinë, plot me budallallëqe, duke shfaqur një injorancë totale dhe një naivitet kërcitës. Kam gjetur atje tri thënie interesante. Ai ka qenë një burrë mizor, që bashkoi mizorinë me pamjen e tij modeste. Madje, unë kam dyshime të mëdha edhe për Karl Marksin”- thotë Kadare, duke shtuar se “Këtu në Perëndim, shumë e konsiderojnë një gjeni. Po, ku është gjenialiteti i tij? Ku është gjenia, nëse nuk ka asgjë të re në mendimin e tij ekonomik, asgjë kreative?”./Pan/