Qeveria, fonde e legalizime në prag të zgjedhjeve për komunitetet fetare
Këtë të mërkurë qeveria vendosi me VKM t’u shpërndajë 1 milion dollarë komuniteteve fetare në vend, nga buxheti i shtetit. Për Komunitetin Mysliman do të jepen rreth 300 mijë dollarë, për Kishën Ortodokse, atë Katolike dhe Kryegjyshatën e Bektashinjve rreth 220 mijë dollarë për secilën. Të premten në Kukës kryeministri Rama vizitoi xhaminë e Bicajt dhe i dha çertifikatën e legalizimit asaj dhe 4 xhamive të tjera. “Kryeministri i dorëzoi myftiut të Kukësit certifikatën e legalizimit të kësaj xhamie dhe katër xhamive të tjera të zonës, xhamisë së Kolshit, xhamisë të Mamzit, xhamisë së Bardhocit dhe xhamisë së Mustafait”, njoftoi zyra e tij e shtypit. Sot në Finiq Rama u dorëzoi çertifikatat e 5 kishave. Ftoi në podiumin ku foli për politikë, disa priftërinj ortodoksë dhe u premtoi të tjera vendime të qeverisë në favor të tyre. Po sot Erion Veliaj u shfaq në zonën e liqenit të Farkës me përfaqësues të komunitetit Mysliman për të mbjellë rreth 100 pemë.
Dy javë më parë, Saimir Tahiri do të përzgjidhte një besimtare myslimane për ta vendosur në mesin e fotove të një takimi që ai kishte zhvilluar me të rinj e të reja të PS-së.
Të gjitha këto afrime të Ramës dhe të besuarve të tij me komunitetet fetare ndodhin në një kontekst të vetëm: atë të zgjedhjeve të përgjithshme. Kryeministri ka rihapur fushatën e shpërndarjes së çertifikatave të legalizimeve në këmbim të votave, ashtu si në vitin 2015 për zgjedhjet lokale, edhe pse pas zgjedhjeve pranoi se kishte vepruar gabim. Pjesë të fushatës “legalizime në këmbim të votave” në prag të zgjedhjeve ai ka bërë edhe komunitetet fetare, të cillët po i josh edhe me fonde, duke shpresuar të marrë mbështetjen e tyre politike në përpjekje për të fituar një mandat të dytë. /Lapsi.al