Gjashtë vite më parë kur Rama, Dule, Ndoka dhe Zogaj bllokonin rrugët dhe digjnin goma
Historia përsëritet dhe politika shqiptare funksionon si një sahat i mirë në këtë aspekt. Me stilin “siç ma bëre po ta kthej” është edhe aksioni opozitar i PD. Nesër demokratët kanë paralajmëruar protestë një orëshe duke bllokuar akset nacionale.
Eshtë i njëjti precedent si në 20 maj të vitit 2011 kur socialistët dhe aleatët e tyre si Vangjel Dule, Nard Ndoka, Preç Zogaj bllokonin rrugët nacionale në një protestë që pati edhe incidente. Në fakt tre të fundit nesër sërish do bllokojnë rrugë por këtë herë në krah të Lulzim Bashës duke dhënë edhe eksperiencën dhe përvojën e tyre nga rasti i mëparshëm kur i bllokonin për Edi Ramën.
Citynews posjell një raportim të asaj kohe marrë nga TV ABCNews dhe gazeta Panorama, 20 maj 2011
Të shpërndarë në celula, simpatizantë të Partisë Socialiste, të drejtuar nga njerëz me imunitet, kanë krijuar shqetësim në qarkullimin rrugor në disa akse nacionale, duke vendosur gurë e goma për t’u vënë flakën më pas. Të ashtuquajtura protesta e socialistëve ka nisur edhe në Sarandë, ku kanë bllokuar urën e Gajdarit. Në Berat, protestuesit kanë bllokuar kryqëzimin e Urës Vajgurore. Mbështetësit e PS, protestuan edhe në Pogradec, ku edhe atje është bllokuar aksi Pogradec-Përrenjas, me gurë e goma makinash. Në protestë janë ngritur edhe simpatizantët e Fushë-Krujës të cilët bllokuan autostradën Fushë Krujë-Shkodër, duke i bllokuar kështu Tiranës lidhjet me zonat veriore. Protestuesit në jug bllokuan me goma makine aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë. Kurse në Elbasan, turma e drejtuar nga deputete socialiste dhe drejtues te qeverisjes vendore bllokuan aksin rrugore Elbasan- Librazhd.
Në Fier, serish turma i është drejtuar Urës së Mbrostarit duke bllokuar aksin rrugor Fier- Lushnjë. Në Vlorë, dhjetëra njerëz i janë drejtuar Urës së Mifoli, ashtu siç edhe vepruan një ditë më parë. Ashtu siç ishte parashikuar pasditen e se premtes rinisen protestat e Partisë Socialiste në disa qytete të vendit. Ajo çka është vërejtur gjatë këtyre tubimeve, ka qenë fjalori vulgar dhe agresiv i pjesëmarrësve të cilët drejtoheshin nga deputetë. Turmat kanë patur për pjesëmarrës punonjës të administratës vendore si dhe persona me precedentë penalë. Nisur nga fakti që për të ruajtur qetësinë, policia nuk ka bërë asnjë ndërhyrje, por ka kërkuar në vazhdimësi të mos ushtrojnë terror dhe dhunë ndaj kalimtarëve. Por kjo duket se nuk ka shqetësuar organizatorët e turmave të cilët i kanë drejtuar ata në bllokim të qarkullimit duke shkaktuar kaos dhe shqetësim për udhëtarët. Një ditë më parë, Policia e Shtetit raportoi për ndjekjet penale të realizuar nëpër rrethe ndaj individëve të cilët kanë organizuar grumbullime të paligjshme si dhe kanë ushtruar dhunë ndaj kalimtarëve.
PANORAMA/Pasojat e protestës së djeshme nga tubimi i simpatizantëve të PS
Bllokohet qarkullimi në rrugë nga protestat e socialistëve. Deputetët e PS-së kanë paraprirë turmat nga qytete të ndryshme të vendit, duke bllokuar pikat kyçe në akset nacionale, nga Jugu në Veri.Durrësi, Fieri, Vlora, Berati, Gjirokastra e Lezha e rrethet e tjera u izoluan për mbi 2 orë, pasi protestuesit bllokuan qarkullimin e mjeteve. Sipas pjesëmarrësve, protesta po kryhej si kundërpërgjigje për vendimin e KQZ-së për të mos shpallur fitoren e kryesocialistit Edi Rama. Në të gjitha rastet, punonjësit e policisë kanë qenë të papërgatitur, pasi, sipas tyre, ndonëse ka pasur leje për protestat, ishte e paparashikuar bllokimi i rrugëve nacionale.