Albspirit

Media/News/Publishing

Prishtina dhe Tiranë, polemikë me Brukselin për kufinjtë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi komentoi sot një deklaratë të pasdites nga komisionari [për Zgjerimin i BE-së, Johanes Hahn që tha se BE-së nuk mund t’i bëhet presion me pretendime për krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’.

Thaçi ka thënë se kjo është shenjë se BE-ja ka mungesë të lidershipit dhe të vizionit për Kosovën.

“Komisioneri Hahn i prekur nga shqetësimet e Serbisë, paska shprehur zhgënjimin e tij për deklaratat që gjoja përfshijnë tendencat për krijimin e Shqipërisë së Madhe.Për më tepër, ai paska shtuar se BE-së nuk mund t’i bëhet presion me deklarata të tilla. Fatkeqësisht, një deklaratë e tillë e një komisioneri të BE-së dëshmon saktësisht atë që e kam thënë shumë herë deri më tash, se BE-ja ka mungesë të lidershipit dhe vizionit për konkretizimin e perspektivës evropiane për Kosovën”, ka shkruar presidenti i Kosovës në facebook.

Sipas tij, kjo deklaratë dëshmon se BE-së nuk i bëhet vonë për Kosovën, duke përmendur me theks të veçantë diskriminimin dhe izolimin e kosovarëve.

“Kjo qasje dëshmon se BE-së, në rastin më të mirë, nuk i bëhet vonë kurrë për Kosovën. Ndërsa, në rastin më të keq, as që do t’ia dijë fare. Diskriminimi dhe izolimi i qytetarëve tanë sot, flet shumë më tepër se deklaratat monotone të disa zyrtarëve të BE-së që përsëriten që nga viti 2000”, komentoi Thaci në rrjetet sociale.

“Projekti i Shqipërisë së Madhe është produkt i propagandës së Serbisë për të realizuar projektin e Serbisë së Madhe, i cili tashmë pothuajse funksionon nën hundën e BE-së.Nuk ka Shqipëri të madhe apo të vogël, por ka vetëm Shqipëri dhe vetëm Kosovë.Dhe do të ishte mirë që edhe BE-ja ta pranojë këtë realitet dhe të fillojë ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. HTH”, ka përfunduar Hashim Thaçi.

Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, i cilësoi sot ‘të papranueshme’ dhe ‘kundërproduktive’ deklaratat e liderëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor që implikojnë ndryshimet e kufijve.

“Shpreh zhgënjim dhe nëse mund të them edhe zemërim për shkak të deklaratave nxitëse të disa liderëve në rajon. Deklaratat e tilla, që mund të cilësohen edhe si përzierje në shtetet e tjera dhe implikojnë ndryshime të kufijve, janë të papranueshme dhe për më shumë janë të panevojshme dhe kundërproduktive”, tha Hahn pas takimit me shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiç në Bruksel.

Deklaratat e Hahn pasuan intervistën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në portalin Politiko në të cilën nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, ‘nëse perspektiva e anëtarësimit të vendeve të rajonit të Ballkanit në BE, vazhdon të zbehet’.

Please follow and like us: