Albspirit

Media/News/Publishing

Gjenocidi komunist në Shqipëri

Të flasësh për gjenocidin komunist në Shqipëri, është njëlloj sikur të përshkruash tmerret e ferrit. Pyetni ata që kanë mundur të shpëtojnë gjallë nga këto tmerre dhe do të mësoni ngjarje të padëgjuara ndonjëherë, të pakonceptuara për një mendje të shëndoshë. Lufta e Parë Botërore shkaktoi 13 milion viktima, ajo e dyta 35 milionë, ndërsa holokausti komunist 65 milion njerëz. Ndërsa në të dy luftërat botërore u zhdukën 48 milion njerëz, gjatë periudhës së sundimit komunist kjo shifër arriti në 65 milion. Këto vrasje kryheshin në periudhë paqeje, me gjakftohtësi dhe cinizëm, me ndërgjegje të plotë prej sadisti, vetëm e vetëm se dikush mendonte ndryshe nga sundimtari. Shqipëria, duke e marrë në proporcion me numrin e popullsisë zë një nga vendet e para në këtë drejtim. Nëqoftëse do t’i referohemi shifrave zyrtare të shpallura nga Komisioni tre palësh i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Komitetit Shtetëror të të Përndjekurve Politikë dhe Shoqatës Kombëtare të të Përndjekurve Politikë, rezultojnë këto të dhëna: 1. Të ekzekutuar 6.023  persona; 2. Të vdekur në burg 1.065; 3. Të burgosur 34.135; (26.768 burra dhe 7.367 gra); 4. Të sëmurë mendorë 260; 5. Të internuar deri në vitin 1954   59.517; 6. Të vdekur në internim 9.000. Po t’i shtojmë kësaj shifre numrin e fëmijëve të internuar nën katërmbëdhjetë vjeç, si dhe ata që janë internuar pas vitit 1954 dhe që nuk janë përfshirë në këto lista, atëherë rezulton se numri i përgjithshëm i atyre që kanë pësuar direkt persekutimin i kalon të 260.000 personat. Duke marrë parasysh  se gati 70% e tyre i përkasin periudhës deri në vitin 1954, kur popullsia e vendit nuk i kalonte të 1.000.000 banorët, rezulton se mbi 18% e asaj popullsie është persekutuar direkt. Po t’i shtojmë kësaj edhe pjesëtarët e tjerë të familjeve të tyre, atëherë përqindja arrin përmasa rrëqethëse. Materiali i mëposhtëm është vetëm një kujtese për atë qe ka ndodhur ne ketë vend.

 

Please follow and like us: