Albspirit

Media/News/Publishing

Lista e kandidatëve që sqaron votën unanime për Metën dhe paralajmëron parti të një lloji të ri

Në media po qarkullon së fundmi një listë kandidatësh të Partisë Socialiste për zgjedhjet e përgjithshme të 18 qershorit. Lista siç thuhet zyrtarisht është vendim i mbledhjes së kryesisë, që u parapri nga disa dorëheqje dhe deklarime për moskandidim nga disa deputetë aktualë.

Në listë shihen emra të rinj, pa jehonë kombëtare, emra që me siguri thonë diçka në kontestin lokal, të qytetit apo qarkut nga vijnë. Jemi pra në kushte të reja politike në vend, ku PS-ja, formalisht parti e majtë, parti kryesore për traditë, po promovon njerëz të biznesit në politikë, bashkë me ekipin besnik të Edi Ramës që mbahet në pushtet pavarësisht se çfarë kanë bërë. Emri i Elisa Spiropalit në qarkun Korçë, e treta në listë, është në fakt emërim si deputete, ofrim imuniteti, amnisti, pas skandaleve në doganë. Por përtej kësaj kjo listë kandidatësh “anonimë” për debatin publik shtron pikëpyetje për cilësinë e nesërme të qeverisjes, apo opozitës, pikëpyetje që vijnë nga mosnjohja. Pasi në politikë edhe raporti me publikun është faktor. Ajo shtron pikëpyetje edhe më të mëdha për cilësinë e procesit legjislativ që kërkon edhe një përvojë përveçse njohjes teknike. Në planin politik është edhe humbja më e madhe për interesin publik, kuptohet duke e lidhur me mënyrën e vendimmarrjes së nesërme.

Edi Rama dhe një grup 4-5 vetash kanë monopolizuar sot përfundimisht vendimmarrjen, por kjo ka kohë që ka nisur. Politika është kthyer në një biznes dhe vetëm kështu mund të shpjegohet p.sh vota aq unanime e socialistëve për Ilir Metën president. Në një votim për personin ka qëndrime edhe personale, ndaj edhe ai bëhet me kuti dhe i fshehtë. Të votosh në në mënyrë të tillë ndërkohë që njihen mirë mëritë dhe antipatitë për kreun e LSI-së nga një pjesë e deputetëve socialistë, dot të thotë se PS-ja ka hyrë në regjim kazerme. Të kujtojmë këtu se Jozefina Topalli votoi kundër Theodhori Sollakut për prokuror, pra edhe me standardin e PD-së së Berishës, ky është një hap mbrapa. Është kjo nevojë për të vendosur pa shqetësime, me një urdhër verbal xhepi, ajo që ka sjellë refuzimin për zgjedhje në parti, afrimin e parasë në vendimmarrje, për t’i dhënë shqelmin përfundimtar projektit të së majtës. Ndaj sot më shumë se ndonjëherë tjetër kërkohet përgjegjësi edhe për dhënien e votës, në mënyrë që nesër të mos lutemi e varemi në mirësinë e deputetëve, që po mbijnë nga rrugë që vetëm kryetari i partisë i di(për të gjitha partitë)./respublica/

Please follow and like us: