Albspirit

Media/News/Publishing

DocuTIFF, 95 filma në Tiranë

DocuTIFF është tashmë në edicionin e tretë dhe qëllimi është që të inkurajojë prodhimin e filmit dokumentar në Shqipëri. E hapur për çdo regjisor, nga e gjithë bota, DocuTIFF jep mundësinë e takimit dhe shkëmbimit të eksperiencave ndërmjet kineastëve.

Agron Domi, drejtor artistik i DocuTiff, tha: “Në Shqipëri, filmi dokumentar është deficitar në raport me filmin artistik. U krijua në kohën e Kinostudios “Shqipëria e Re”, kur dokumentarët kishin si qëllim fetishizimin e sistemit”.

Me 95 filma nga 39 vende të botës, vetëm në kategorinë e filmit kombëtar dhe ndërkombëtar, DocuTiff premton një larmishmëri tematikash dhe filmash dokumentarë të vlerësuar në festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare si Cannes, Berlinale, Venezia apo të nominuar në Oscar, Golden Globe.

“Është fokusuar në temat e luftës, të të drejtave të njeriut dhe problemet familjare”, shtoi Domi.

Blendi Gonxhe, drejtor i APR, Bashkia Tiranë, theksoi: “E bukura dhe e kulturuara ndihmon shumë herë më tepër në mirëmbajtjen e një qyteti. Nuk mjafton vetëm investimi në infrastrukturë”.

Në këtë edicion do të hapet për herë të parë kategoria “International Student”, për të krijuar një raport e ballafaqim më koherent me studentët e filmit në Shqipëri.

DocuTIFF do të ngrejë siparin mbrëmjen e datës 10 maj, në amfiteatrin veror tek Liqeni i Tiranës, me një film kushtuar Shqipërisë me titullin “Tranzicion-Art and Politics in Albania”, një prodhim francez i këtij viti.

Please follow and like us: