Albspirit

Media/News/Publishing

Vettingu, komisioni ad hoc nis të hënën seancat dëgjimore me kandidatët

Komisioni ad hoc do të zhvillojë të hënën dhe të martën seanca dëgjimore me 193 kandidatët për anëtarë të institucioneve të vettingut. Megjithëse marrëveshja politike PS-PD e 18 majit i hapi rrugën futjes së opozitës në zgjedhje dhe votimit te vettingut prej saj, procesi në nisje të tij ka shfaqur mosmarreveshje mes palëve.

Në mbledhjen e së enjtes të komisionit ad hoc, maxhoranca dhe opozita shfaqën qëndrime të ndryshme për mënyrën se si duhet të veprohet në shqyrtimin e kandidaturave. Opozita pretendon për një informacion të detajuar nga Avokati i Popullit dhe Operacioni Nderkombetar i Monitorimit (ONM), ku te jepen arsyet e vlerësimit, pozitiv apo negativ, të këtyre institucioneve, për secilin nga kandidatet.

Por, përkundër këtij qëndrimi të opozitës, mazhoranca shprehet e vendosur për vijimin e procesit. Ndaj më 29 dhe 30 maj do të mbahen dhe dy seanca dëgjimore me 193 kandidatë, përfshi dhe ata që kanë marrë vlerësime pozitive, si dhe ata që nga ONM-ja kanë kaluar në ‘listën e zezë’.

Kryetari socialist i komisionit ad hoc, Ulsi Manja, është shprehur në media se procesi është mjaft transparent dhe se të gjithë anëtarët e këtij komisioni kanë në dispozicion të gjitha dosjet dhe dokumentacionin e disponueshëm për të 193 aplikantët.

Sipas Manjës, kërkesat e opozitës nuk kanë kuptim për aq kohë sa Avokati i Popullit ka sjellë të gjithë dokumentacionin e dorëzuar nga vetë aplikantët dhe për sa kohë ONM-ja nuk është një institucion që gjeneron dokumentacion, por në këtë proces ka vetëm rol rekomandues.

Ai shpjegon se ligji ia ka lënë në dorë këtij komisioni që në rast se gjen gjuhën e përbashkët dhe vlerëson se rekomandimet e ONM-së janë jo bindëse, të mund të kalojë një kandidat nga ‘lista e zezë’ në ‘listën e bardhë’.

“Ne do të procedojmë me seancat dëgjimore. Siç edhe kemi vendosur, të hënën dhe të martën do të zhvillojmë një maratonë seancash dëgjimore me të gjithë aplikantët, si me ata që janë në ‘listën e bardhë’, ashtu edhe me ata që janë në ‘listën e zezë’ dhe të martën pasdite ne do të përzgjedhim emrat që do t’ia kalojmë për votim dy komisioneve të tjera ad hoc”, theksoi Manja.

Komisioni ad hoc me 6 anetare duhet t’i miratojë kandidatët që do t’i shkojnë për votim dy komisioneve brenda muajit maj. Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama paralajmëroi se në rast se opozita bllokon sërish vettingun mazhoranca do ta prisha marrëveshjen e 18 qershorit.

Ndërkohë që ligji për vettingun përcakton që komisioni ad hoc, pas zhvillimit të një seance dëgjimore me kandidatët, vendos:

a) të kalojë një kandidat nga lista e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret formale te lista e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale, me të paktën katër vota;

b) të kalojë një kandidat nga lista e kandidatëve të rekomanduar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit te lista e kandidatëve për votim, me të paktën pesë vota.

Në fund, lista për votim përmban kandidatët të cilët plotësojnë kriteret formale, përveç atyre që nuk janë rekomanduar nga ONM dhe që nuk janë miratuar me vendim të këtij komisioni ad hoc.

Brenda dhjetë ditëve nga krijimi i tij, komisioni ad hoc i përcjell listën e hartuar komisioneve ad hoc përzgjedhëse, ndërsa dy listat e tjera nuk dërgohen për votim.

Please follow and like us: