SFIDA për Shqipërinë: Modeli dhe klasa politike në Shqipëri duhen rithemeluar
SFIDA, me kandidatë si Gjergj Bojaxhi dhe Ermal Hasimja, ka nisur fushatën me një ftesë që shqiptarët të reflektojnë.
“Fushatën tonë duam ta nisim me një pyetje për shqiptarët: A duan të kenë sërish një parlament, që në vend të jetë besnik ndaj njerëzve, do të jetë besnik vetëm ndaj dy njerëzve?” tha kandidati për Tiranën i SFIDA, Gjergj Bojaxhi.
Ai u shpreh se listat e përcaktuara në bazë të marrëdhënieve të kandidatëve me vetëm një person brenda partive janë helmuese për demokracinë. Në praninë e anëtarëve dhe mbështetësve të Sfidës për Shqipërinë, Bojaxhi tha se ky është një moment kritik.
“Duhet të vendosim se çfarë demokracie duam të zgjedhim. Demokracinë e listave të vendosura në zyrat me dyer të mbyllura, apo duam të hedhim një hap drejt modelit të një partie të re që ka demokraci të brendshme dhe që qëndron për më shumë vendimmarrje për shqiptarët? Edhe sa kohë do pranojmë që fatet tona të përcaktohen nga 2 individë? Ky është momenti të mos heshtim. Modeli dhe klasa politike në Shqipëri duhen rithemeluar. Kjo është mundësi,” u shpreh Bojaxhi.
SFIDA për Shqipërinë beson se demokracia e partive është thelbësore.
“Ne besojmë se demokracia e brendshme është fillimi i zgjidhjes të të gjitha problemeve rrënjësore në Shqipëri! Së bashku me alarmin për shqiptarët se rrezikojmë të bëjmë të njëjtin gabim edhe në këto zgjedhje për shkak të kapjes së partive kryesore, SFIDA për Shqipërinë siguron se alternativa e saj është premtim për një politikë të pastër drejt një Shqipërie që punon! Ne besojmë se ky vend ka potencial, mund dhe do të bëhet! Si thotë dhe slogani ynë: Bashkë Mundet!” përfundoi deklaratën Gjergj Bojaxhi për SFIDA për Shqipërinë, me kandidatë në të gjithë vendin.