Albspirit

Media/News/Publishing

‘Republika’ e Bashës dhe emrat e munguar në garën parlamentare

 

Çerçiz Loloçi

Për shkak të paketës satelitore të analistëve që shëtisin ekran më ekran televiziv, paturpësisht, cipëplasurisht, nuk kam dashur të përfshihem në debatin e sapolindur për listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike për faktin e vetëm se kundërshtar politik jo vetëm i kësaj force politike, por edhe të një shumice shqiptare nuk është ajo, por “Rilindja”, një skalion bashkiak që emërohet nga Rama dhe që s’ka asnjë lidhje me formacionin e majtë të Partisë Socialiste, që është partia dominuese në skenën shqiptare.

Megjithatë, një protestë tremujore për republikën e re që vjen e zvogëlohet në një paqe pozitë-opozitë dhe që finalizohet me një listë të demokratëve që vetëm të tillë s’janë përbën një zhgënjim të madh në radhë të parë për demokratët, por edhe për shqiptarët në tërësi.

Lista ‘Basha’ e kandidatëve për deputetë, qoftë edhe formalisht nuk të jep asnjë tipar të “Republikës së re”, teksa mbahet e fshehtë deri në sekondat e fundit, madje edhe përtej afatit të skadencës dhe të vjen mëpastaj me emra që nuk thonë asgjë, por që garantojnë humbjen e sigurt.

Janë larguar nga PD: Ruli (vetëlarguar), Topalli, Selami, Patozi, Bregu, Imami, Bode dhe 24 deputetë të parlamentit në detyrë, por janë rivënë në lista humbës të mëdhenj si Halim Kosova, kandidatit të PD në zgjedhjet e fundit lokale për Tiranën; Enkelejt Alibeaj që tentoi të thyente një prej bastioneve të Partisë Socialiste, qytetin e Fierit, ku ai konkurroi përballë Armando Subashit; si Andrea Mano, i cili u mposht nga Niko Peleshi; Luciano Boçi që u mposht nga Qazim Sejdini kur tentoi konkurimin për kryebashkiak në Elbasan; Lorenc Luka në Shkodër, Fatbardh Plaku, ish-kryetari i Komunës së Farkës, i përfunduar nën hetim për lejet e dhëna pa kriter në komunën e tij; Besnik Fuçia, i cili betonizoi Kasharin dhe përfundoi shkatërrimin e kurorës së gjelbërt të kryeqytetit apo polic-kryekomunari i Otllakut Lefter Maliqi, etj.

Rasteve me precedentë kriminalë u shtohen edhe shumë kandidatura të tjera, të cilët përjashtohen automatikisht nga ligji i dekriminalizmit, por kjo është punë e listëbërësit të demokratëve.

Megjithatë ndihem keq dhe pa konflikt interesi kur nuk shoh në listat e Shkodrës ekonomistin dhe akademikun Ilir Kaduku apo aktorin e famshëm të humorit Julian Dedën, kur nuk gjej në listën e Tiranës kreun e “Grupimit të Dhjetorit 90”, Bislim Ahmetaj, poetin Mujo Buçpapaj apo shefin e departamentit të Mjedisit në PD Jamarbër Malltezin, kur nuk figuron në Fier juristi Ermal Shehu dhe gjej atje një hajdut patentash, kur në Korçë nuk është Leonard Olli dhe katapultohet një kandidaturë nga Tirana, kur në Lezhë nuk evidentohet një figurë përfaqësuese, por ‘laj e shplaj’ Aldo Bumçin e Preç Zogaj, kur në Gjirokastër rivihet Tritan Shehu, etj.

Pavarësisht se lista bëhet dhe firmoset nga kryetari ende nuk e dimë se si është bërë kjo përzgjedhje, a ka votuar ndonjë forum për të (kryesi, këshill kombëtar, konferencë e jashtëzakonshme) dhe akoma më tepër a ka garanci se me këto emra kandidatësh arrihet të mposhtet me votë një oligarki kriminale që e ka kthyer Shqipërinë në një njollë të zezë në hartën europiane.

 

Please follow and like us: