Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Senera Hoxha: Botoksi, kur duhet injektuar për mos patur dëme anësore

Facelifting, ngritja e tipareve të fytyrës, që ju rinon me 10 vite. Çfarë ndërhyrjesh kërkojnë më shumë shqiptarët, si mund të korrigjohen dështimet plastike

 

Intervistoi: SILVANA BALLIU

 

Ajo është vetëm 27 vjeç, por studimet këmbëngulëse për Mjekësi, pasioni për të bukurën dhe zgjedhja për të punuar me një ndër kirurgët më të mirë në fushën e Kirurgjisë Plastike, Estetike dhe Rikonstruktive, siç është prof.dr. Selçuk Işık, e kanë evidentuar tashmë Senera Hoxhën si “doktoresha e perfeksionit”. Një bionde e ëmbël dhe high class, që nëse nuk do ta shihnim me bluzën e bardhë dhe bisturi në dorë, mund ta ngatërronim lehtë me ndonjë modele. Dr.Senerën e takuam në klinikën “Chimera”, në Tiranë, që është bërë tashmë destinacioni i ndërhyrjeve të sigurta, plastike, estetike dhe rikostruktive. Për gazetën “Super Shëndeti”, ajo tregon për teknikat inovative që po përdoren së fundmi në këto lloj ndërhyrjesh, si dhe një gamë të gjerë informacionesh mjaft të dobishme, para se të merrni vendimin për t’iu nënshtruar “bisturisë”…

Dr. Senera Hoxha, si jeni gjendur ju në fushën e mjekësisë, e specifikisht në kirurgjinë plastike, pavarësisht moshës tuaj shumë të re?

Unë jam diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, në vitin 2014. Fill pas diplomimit kam nisur punë si mjeke, pranë një spitali privat. Atje, nuk isha mjeke e përgjithshme, por isha asistente e Kirurgjisë Plastike. Departamenti i Kirurgjisë Plastike atje funskiononte me një mjek të huaj, që ishte shefi i departamentit, një mjek turk. Ai vinte në Shqipëri një herë në tre javë apo katër javë, në varësi të pacientëve. Une punoj prej vitesh me këtë ekip. Por, pas një viti pune në këtë spital, vendosëm që të shkëputeshim dhe dolëm privat, me një licencë. Klinika “Chimera” është relativisht e re. Dhe gjithë pacientët, të cilët e kërkonin këtë doktor, Selçuk Ëshëk (Selçuk Işık), që është kirurg Plastik, Estetik dhe Rikonstruktiv, mund ta gjejnë pranë “CHIMERA”. Ai nuk është thjesht një mjek me eksperiencë, që vjen nga jashtë. Ai është Profesor, ka qenë shef departamenti, në Spitalin Universitar në Ankara, në Turqi. Dhe termi “Profesor”, ne e dimë se çfarë do të thotë; do të thotë që ta japësh dijen tënde. Ai ka pasur stedentët e tij, njihet për materialet e tij shkencore, nëpër revista, gazeta, etj.

Senera është PRO apo KUNDËR Kirurgjisë Plastike, Estetike dhe Rikonstruktive?

Senera është PRO. Senera, ka hyrë në Mjekësi, vetëm për të studiuar kirurgji plastike. Nuk kam asnjë gjë kundër Kirurgjisë Plastike. Është pasioni im, e admiroj, e dashuroj si profesion.

Unë nuk i shikoj fare me syrin “është bërë, s’është bërë VIP-at”, që bien më në sy dhe janë më të diskutuar, por shikoj defektet, apo çfarë do të mund të ishte bërë më mirë.

Në rast se unë nuk gjej defekte, i ka bërë dhe bravo që i kanë dalë kaq mirë.

Dua ta njoh atë kirurg, dua të mësoj nga eksperienca e tij. Nuk kam fare paragjykime për këtë temë.

A janë ndërhyrjet estetike, njëlloj siç bëjmë ndërhyrjet te stomatologu?

Po. Edhe stomatologët tani, nuk merren më vetëm me mbushje, ata merren edhe me anën estetike. Fasetat, apo implantet dentare totalisht ta ndryshojnë kornizën e buzëqeshjes. Një palë faseta të bardha, ndonjëherë ata luajnë me gjatësinë e dhëmbit, me trashësinë e dhëmbit. Këto gjëra e ndryshojnë totalisht fizionominë e fytyrës, e në veçanti zonën e gojës. Ose flokët ku ne eksperimentojmë, bëjmë shumë ndryshime. E njëjta gjë është edhe me Kirurgjinë Plastike. E rëndësishme është që, pacientët që vijnë te ne, duhet ta dëshirojnë atë ndërhyrje. Ata pacientë, janë më të mbarët dhe mbeten shumë të kënaqur nga Kirurgjia Plastike. Ndërsa, ata të cilët vijnë të ndikuar nga të tjerët, apo shtyhen nga dikush, janë si skeptikë, e kanë si diçka për t’u marrë si antistres. Këta pacientë na hapin shumë problem gjatë rrugës, pasi nuk e pranojnë dot ndryshimin më pas në vetvete. Shikojnë të gjejnë defekte edhe kur nuk ka, janë më të vështirë.

Bashkë me profesorin turk, ju në klinikën “Chimera”, cilat ndërhyrje realizoni?

Atëherë, duke qenë se ai është kirurg Plastik, Estetik dhe Rikonstruktiv, bëhet absolutisht çdo lloj ndërhyje, që përfshin kjo fushë. Nuk po flasim vetëm për ndërhyrjet estetike, sigurisht ato janë shumica e tregut në Shqipëri. Por, profesori është licencuar për të kryer edhe ndërhyrje Rikonstruktive. Ai ka bërë një superspecializim në Amerikë, Miduoki, për “kirurgjinë e dorës”. Ai bën ndërhyrjet edhe tek ata fëmijë që kanë probleme me gishtat e ngjitur, si sindaktili, polidaktili. Sindaktili është kur fëmija lind me dy gishta të ngjitur, që duket si një kthetër. Ne, me anë të një grafie të thjeshtë, mund ta shikojmë që të dy gishtat kanë kompartimente komplet të veçanta, pra ekzistojnë strukturat kockore të të dy gishtave dhe thjesht, për shkak të një defekti gjatë embriogjenezës, ka ndodhur një bashkim i dy gjymtyrëve. Ne rindërtojmë këto lloj duarsh, ndonjëherë marrim edhe kërc nga brinja, marrim ind, për të kryer këtë lloj operacioni rikonstruksioni. E njëjta gjë edhe me polidaktilinë, me personat që kanë më shumë gishta. E njëjta gjë me kontrakturat. Ka fëmijë të vegjël që nuk mund ta hapin gishtin e tyre plotësisht, sepse disa banda që formojnë këtë artikulacion, kanë ngelur të ngjitur që nga lindja. Edhe ky, hyn në një operacion rikonstruksioni. Ne, përveç se lirojmë kontrakturat, marrim pak lëkurë nga barku, pra marrim një graf dermal, e vendosim te plaga, te incizioni që ne presim, në mënyrë që fëmija ta përdorë dorën normalisht kur të rritet.

Po kur ju merrni lëkurë nga barku, mbetet shenjë?

Po, kur bëjmë abdominoplatikë. Po, ngelet shenjë. Është një shenjë diçka si cezariane, por më e gjatë. Rreth 2 apo 3 cm më e gjatë, kur bëhet fjalë për miniabdominoplastikë. Kur bëjmë “full body” abdominoplastikë është goxha e gjatë si shenjë dhe vitin e pare, është goxha e errët si ngjyrë, më pas fillon dhe zbardhet. Nuk është se mbaroi ndërhyrja dhe gjithçka duket perfekt. Si çdo lloj interventi, abdominoplastia kërkon kohën e shërimit të vet. Pacienti duhet të jetë koshient. Kjo bëhet shumë poshtë dhe mbeten në mbathje, por në dush apo në sauna e shikon plagën. Pastaj, si e shëron plagën, jo çdo pacient reagon njëlloj. Një pacienti mund t’i ngelë më shumë, një më pak. Ka shumë njerëz që kanë tendencë të bëjnë çikatriçe keloide, edhe këta pacientë janë të vështirë për t’iu nënshruar këtij lloj interventi. Sepse, ne po heqim një të keqe të madhe, siç është barku i varur, po e mbyllim dhe muskulaturën e barkut te një nënë që ka bërë lindje dhe i është dëmtuar muskulatura dhe i ka ngelur një bark shumë i fryrë, ama duhet të kemi parasysh se ne po lëmë edhe një shenjë atje. Kirurgjia plastike nuk bën mrekullira. Dmth, nëse ne do presim, patjetër që edhe do qepim. Se sa do mbetet kjo shenjë, ajo varet nga aftësia e kirurgut, nga fijet e përdorura, nga ndjekja që i bëhet më pas plagës. Sot ka edhe mënyra të tjera, që e përmirësojnë goxha çikatriçen e mbetur, si lazeri etj.

Po, në rastet kur Kirurgjia Plastike ka bërë efekte të kundërta… Kemi plot lajme ku na serviren femra, të cilat janë dëmtuar nga këto ndërhyrje, përfshirë edhe njerëz të famshëm të shoubiz-it. Cili është komenti juaj?

Ku ka kirurgji, ekziston edhe mundësia për komplikacione. Duhet të jesh mjaft i kujdesshëm kur të zgjedhësh kirurgun, ku do ta bësh këtë ndërhyrje. Kur flas kirurgun, flas që duhet të jetë një njeri i licencuar për ta bërë atë ndërhyrje. Kohët e fundit kemi dëgjuar mjaft vajza që i bëjnë buzët në parukeri. Por, këto subjekte nuk i ka marrë njeri me zor për t’i bërë buzët atje dhe sot informacion ka.Gradualisht besoj do zgjidhet ky problem, edhe pse aktualisht nuk ekziston baza ligjore, që ndalon injektimin e këtyre substancave. Apo njerezit të jenë të licencuar që të bëjnë “x ndërhyrje”, apo “x filler”.

Mendon se shumë vajza, të cilat shkonin t’i bënin jashtë këto ndërhyrje, janë kthyer dhe i bëjnë në Shqipëri?

Po, sepse mjekët janë dyndur në Shqipëri. Normalisht, sepse nëse njerëzit shkonin në Shqipëri pë të bërë hundën, apo vithet, tashmë shumicën e kirurgëve më me experience, sot i gjen në spitalet private shqiptare. Kushtet janë të njëjta, por kanë edhe favorin se në Shqipëri për momentin këto ndërhyrje janë më të lira.

A korrigjohen ndërhyrjet e bëra gabim?

Deri diku korrigjohen. Kjo pastaj hyn te aftësia e kirurgut. Duhet të jetë një kirurg Rikonstruktiv shumë i aftë, sepse që të dish të korrigjosh, do të thotë që e ke superuar idenë që je një kirurg i mirë. Pasi të korrigjosh gabimet e të tjerëve, flet që ti je tjetër nivel. Edhe profesorët më me famë në botë, nuk e kanë marrë famën nga ndërhyrjet rutinë, por kur ato kanë rregulluar le të themi paciente, të cilat vërtetë kanë rënë në duar të gabuara.

Cilat janë ndërhyrjet më të shpeshta, që hasni në tregun shqiptar?

Ndër ndërhyrjet më të shumta është Rinoplastika dhe Facelifting, pra ngritja e tipareve të fytyrës, si pasojë e moshës. Janë dy operacione të ndryshme. Kur flasim për Facelifting, flasim për middle-facelifting dhe bëhen incizione prerëse përpara veshit, zbulohet komplet lëkura. Ne arrijmë të ngremë strukturat poshtë lëkurës, në mënyrë që fytyra të ketë një pamje sa më rinore. Heqim segibags, për të theksuar më tepër mandikulën, prerjen e nofullës. Merremi edhe me zonën e gushës dhe të qafës. Heqim, goxha lëkurë, mund të heqim, dy deri në tre cm lëkurë, varet nga subjekti. Pasi tërhiqet lëkura, riqepet përsëri, te incizionet, te veshi. Është një ndërhyrje relativisht e vështirë, kërkon kohë shërimi, të paktën rreth një muaj. Kërkon që fillimisht të kujdesesh shumë për shenjat, që të mos jenë të dukshme, sepse bëhet fjalë për pjesën e favoriteve.

Nuk mendon se këto ndërhyrje, pasi kanë kaluar disa vite, mund të kthehen në “boomerang” dhe të kenë në dukje efektin e kundërt. Ndoshta një lëkurë të lëshuar, një lëkurë që nuk mban më? Apo nuk e lejojnë trupin të reagojë në mënyrë natyrale?

Përsa i përket Facelifting është një ndërhyrje, që të bën të dukesh dhjetë vite më e re. Ta ndryshon moshën e fytyrës me dhjetë vjet. Aq mban dhjetë vjet. Pas kësaj kohe, graviteti, efektet e plakjes, e të gjitha do të bëjnë të vetën. Por, sigurisht që një grua që ka bërë këto ndërhyrje, pas dhjetë vitesh do të duket më e re se një tjetër, që e ka lënë veten në plakjen e saj natyrale. Ndërsa, për ndërhyrjet në hundë, ose gjiri, nuk janë ndërhyrje që rikthehen. Pasi, hunda një herë që operohet nuk është se ndryshon, të njëjtën gjë mund të të them dhe për operacionin e gjirit, pasi tani implantet vendosen poshtë muskulit dhe nuk është se varen më dhe janë dhe me garanci të përjetshme, nuk është më nevoja t’i ndërrosh.

Ju vijnë vajzat në Shqipëri dhe ju thonë, unë dua të bëhem si Kim Kardashian dhe si e komentoni dështimin e vitheve të saj, në fotot e fundit të publikuara?

Po, tani vajzat kanë modele njerëzish, të cilët duan t’i ngjajnë. Sidomos, për operacionin e hundës ne i pyesim, na jep një ide se ku dëshiron ti. Por, gjithsesi profesori i parashtron hundën, që do t’i shkonte fytyrës. Por, gjithmonë të ngelemi te natyralja. Ka edhe pacientë që duan një hundë të ekzagjeruar, si të Michael Jackson. Një hundë, tepër përpjetë, edhe në ballore mund t’i shikosh vrimat e hundës, strukturën. Ka vajza që e duan atë hundë pipiruqe dhe përpjetë. Përsa, i përket Kardashian, unë mendoj se ka dështuar pritshmëria e asaj. Ajo ka kërkuar vithet më ekstravagante, më gjigande, që ka Hollivudi. Unë nuk mendoj se ajo është ndalur vetëm te implantet, por ka bërë mbushje të herëpashershme me dhjamë, me fillera të ndryshëm. Sigurisht, që edhe Kirurgjia Plastike të lejon, deri në një farë pike, deri në një farë mase. Trupi ynë ka disa limite. Qoftë edhe masa e implanteve që ekziston, ka njëfarë limiti. Ne, për implantin e vitheve, nuk rekomandojmë më shumë se 470 ç, sepse varet dhe nga konstitucioni, nga pesha, nga gjatësia e pacientes. Por, më tepër se aq, i bie që ti të ecësh gjatë gjithë jetës me dy kilogramë që ti i mbart në trupin tënd, që janë dy qese. Në këtë mënyrë edhe muskuli atrofizohet, dobësohet, duke u lodhur së mbajturi këtë peshë false.

Po, botox. Është e vërtetë, që të jep dhimbje koke, apo bën të kundërtën?

Është një studim, që thotë që botox e liron goxha migrenën. Për efektet anësore, nëse botox nuk bëhet nga një profesionist, mund të shkaktojë shumë probleme. Mund të shkaktojë ptozis, varje të qepallës së syrit. Mund të çojë deri në verbim. Dhe, ai që duhet ta injektojë, duhet të jetë një person i fushës së Mjekësisë, që është një njohës i mirë i anatomisë së fytyrës. Botox, siç e dime, është një toksinë që ne e përdorim për të paralizuar muskujt. Duke e bërë këtë, nuk e përdorim mimikën dhe nuk përdorim rrudha. Do të thotë, që e mbajmë lëkurën, si në frigorifer. Efektet anësore janë për periudha shumë të gjata përdorimi, flas përmbi 10 vjet, apo 15 vjet. Për persona, që nuk shmangin asnjë takim për botox, pra sa del ai që kemi injektuar, shkojnë bëjnë tjetrin, botox jep hollim të muskujve. Pra, si një person që është në karrige me rrota. Po të shikojmë, këmbët e tyre janë të holluara, sepse ata nuk i përdorin muskujt e këmbëve. E njëjta, gjë ndodh edhe me lëkurën e ballit, sidomos. Ose duken si shumë të plakura. Dhe është direkt kocka dhe lëkura, sepse muskuli është bërë si fletë cigareje.

Si mund ta shmangim?

Duhet të bëjmë botox në periudhat më decisive. Mund të bëjmë botox, para se të shkojmë në plazh, kur fillon rrezatimi i madh dhe ne i rrudhim sytë për t’u mbrojtur. Ai është refleks i lindur. Mund ta bëjmë një seancë botox në qershor, që të mos i theksojmë këto rrudhat e syve, crossfit, këmbët e korbit, që quhen rreth syve, edhe mund të bëjmë një seancë tjetër nga tetori. Mos të jemi maskë, gjithë kohën. Është i mirë, por deri në njëfarë mase.

Cilat janë teknikat më të fundit për bërjen e buzëve?

Teknikat më të fundit që po rekomandohen në Shqipëri është implanti, për ta rritur madhësinë e buzës. Është një pllakë silikoni, që vendoset brenda buzës, nëpërmjet një shpimi, që injektohet në komplet gjatësinë e buzës. Është relativisht i mirë, por unë mendoj se nuk i lë një pamje natyrale buzës. Sepse buza është një strukturë e vogël, fine. Në kohë të caktuara vajza, duan të kenë buzë të fryra, psh para verës. Sepse duan të bëjnë ato fotot e instagramit. Më vonë, mund të bezdisen dhe i duan më pak të fryra. Unë mendoj se duhet të luajmë me acidin hialarunik dhe me dhjamin. Dhjami merret nga barku ose nga kofsha. Po nga trupi yt. Dhjami merret si në “liposakshën” (liposuction) me një prerje të vogël, rreth tre milimetër dhe thithet me aspirator. Merret dhjam i filtruar. Ne rekomandojmë një mbushje me dhjam. Pjesa e dhjamit, më e madhja largohet, ama ajo që ngel, duket shumë më natyrale dhe shumë efikase, sidomos te buza nuk jep asnjë lloj topi apo asimetrie, apo siç e bën acidi. Ky i fundit, ndonjëherë mund të injektohet më në sipërfaqe dhe të tradhton, dhe të duket si glob i vogël, sepse ai është një material i prodhuar në laborator. Ndërsa dhjami i trupit të njeriut është materiali më “bio” dhe më pa kosto që ekziston. Bën dhe njëfarë ushqyerje të lëkurës.

Po, për mollëzat?

Për mollezat përdoret “Madepore”, një material që imiton kockën. Mund të jetë implant silikoni. Gjithashtu, edhe këto vendosen nëpërmjet disa prerjeve që bëhen sipër dhëmbëve të sipërm. Ne shkojmë deri në kockën zigomatike dhe atje vendosim vendin se ku do ta pozicionojmë implantin. Në rastin e implantit kockë, pra “madepore”, sigurisht duhen vida për ta fiksuar. Edhe me dhjamin e vetë pacientes. Nëse duam një rezultat me të vërtetë shumë dramatik, duhet të injektojmë shumë më tepër dhjamë, pasi ne e dimë, që pjesa më e madhe e asaj që ne do të injektojmë, largohet. Vetëm, një e treta do të qëndrojë. Por, ama ajo që mbetet, do të qëndrojë përjetë aty. Nuk është se do të shkrijë. Edhe të jep një pamje shumë natyrale. Edhe kur e prek me dorë, askush nuk e kupton, apo të gjejë implant apo të të demaskojë, që ke bërë këtë ndërhyrje. Ndërkaq, ne, lipofilling e rekomandojmë shumë edhe te pacientët që bëjnë Rinoplastikë, sepse i jep njëfarë harmonie fytyrës. Ndonjëherë korrigjojmë edhe asimetri të vogla. Ka persona, që edhe nga ndërtimi i dhëmbëve, njërën anë të fytyrës e kanë më të shtypur dhe ne rekomandojmë t’i bëjmë pak mollëzat me dhjamë që të realizojmë një asimetri dhe e bëjmë fytyrën më shumë tërheqëse.

A kanë dhimbje të gjitha këto lloj ndërhyrjesh?

Kanë relativisht dhimbje, por ne e mbajmë me qetësues pacientin. Dhimbje që tolerohen. Psh pjesët e fytyrës nuk është se kanë shumë dhimbje. I dhimbshëm është shumë implanti i gjirit, sepse ne presim muskulin dhe e fusim poshtë muskulit implantin. Edhe vithet kanë dhimbje dhe kërkojnë kohë të gjatë shërimi. Abdominaplastia nuk ka shumë dhimbje, por është operacion që të imobilizon, duhet të ecësh e përkulur për dhjetë ditë. Rregullimet e nofullës, Rinolastika vërtetë nuk kanë dhimbje. Kalojnë shumë mirë.

A janë të kushtueshme këto lloj ndërhyrjesh?

Jo, si në Itali. Psh kam pasur rastin që të flas me një kirurg që ka operuar shumë VIP-a në hollivood, kur kam dëgjuar që paguhet edhe 12 mijë euro për një Rinoplastikë, kam mbetur e shokuar, ku tek ne mund të bëhet me mesatarisht 1500 euro. Duke përfshirë këtu edhe analizat, edhe qëndrimin në spital.

Cilat janë rekomandimet tuaja, për rastet kur Kirurgjia Plastike nuk e ka të mundur. Psh, djegiet e vjetra?

Në shqipëri nuk ekziston mundësia e marrjes së kulturës nga lëkura jote dhe të krijojhet lëkurë në laborator. Kështu që, ne, për të mbullur një djegie, duhet ta marrim sërish lëkurën nga trupi i pacientit. Kështu, që nuk e rekomandojmë. Unë këshilloj bërjen e një tatuazhi, nëse djegia është në masë të vogël. E rekomandoj tatuazhin edhe për rastet femrave që kanë bërë mastektomi, apo heqje të të dy gjokseve edhe të kokave të gjoksit. Në momentin që ne arrijmë të rindërtojmë gjoksin me implant dhe me mbushje me dhjamë, lëkura është tepër e ngjitur me trupin, nuk na lejon ne të fusim një masë aty për të krijuar gjirin natyral. Pasi ne i kemi bërë këto procedura, këtyre pacienteve, u rindërtojmë edhe kokat e gjoksit, me një prerje të lezetshme në formë ylli. Edhe për sa i përket mameles, ngjyrës. Ne u rekomandojmë të bëjnë një tatuazh, ngjyrë mishi, rreth e përqark kokës së gjoksit./supershendeti/

Please follow and like us: