“Kllounë”, “majmunë” dhe emisione bajate për botërorin në cdo frëngji televizive
Bejdo Malo
Kllounë, majmunë dhe emisione gati në kufijtë e banales dhe të pwshtirosjes në cdo televizion kombëtar dhe lokal. Për 22 ditw rresht, cdo frëngji televizive është shndërruar në tamburanë e kampionatit botëror. Aq seriozisht e kanë marrë televizionet shqiptare këtë evniment sportiv, sa duket sikur merr pjesë në këtë botëror Kombëtarja A, Kombëtarja B dhe ajo C e Shqipërisë.
Le ta marrim me qetësi. Të sqarojmë së pari fjalën ‘klloun’, që përdoret gjerësisht në trupat e cirkut. Dua ta nis nga ata të ftuarit, të quajtur ‘tifoza të përvëluar’. Edhe sikur vetë Reublika e Gjermanisë ta kishte dërguar mikun tim Hasan Gurabardhi në televizionin e të nderuarit Ylli Ndroqi nuk do të bëhej aq copë për ta përfaqësuar Gjermaninë një gjerman i lindur në atë vend. Bën sikur i kanë dhënë mandat Bundestagu (parlamenti). Miku tjetër Ervin Baku bën sikur ka mandatin e Le Pen dhe përfaqësues i Francës.
Këto dy modele janë shtrirë si epidemi në cdo studio. Të tillë syresh i gjen tek Roland Qafoku, tek Pandi Laco, tek Manush Manushi, tek Enkeleda Zeko tek Hygerta Sako e tek të gjitha frëngjitë e tjera televizive. Bej pyetjen si është e mundur? Si mund të bëjnë shqiptarët qyetetarë dhe ruralë të dashuruar si të pataksur pas Brazilit, Francës, Gjermanisë dhe shteteve të tjera? O zot, sa gajasen ambasadorët dhe personeli i ambasadave në Tiranë kur shikojnë këta kllounë. Zihen, shahen, përdorin fjalorin më të rëndomtë, vetëm e vetëm që ata të shpallen idhtarë. Jo për Krishtin e Muhametin, jo për Gjermaninë, Anglinë, Brazilin dhe Francën. Pa le, pa le dhe për Rusinë së fundmi.
Ta bënin ata që kanë studjuar në ish Bashkimin Sovjetik sot Federata e Rusisë dhe kanë firmosur ndonjë letër yqmyryla, por e bëjnë djem të rinj gazetarë dhe të ashtuquajtur specialistë futbolli. Revanshi dhe yryshi i tyre në shumë raste është histerik dhe i papërmbajtshëm. (Edhe miku im Kac Myftari u përfshi). Aq seriozisht sa zihen, shahen e ofendohen deri me ‘libër shtëpie’. Në vend që të shkojnë e të thonë informacione apo kuriozitete, të bëjnë një analizë të thjeshtë, njerëzore, me gjak të ftohtë, përleshen pa kufij qyetarie si tek emisioni i Artur Zhejit që e mbylli ditën që filloi botërori dhe shijon hobet e tij. Si është e mundur thotë Ylli Rakipi kur i shikon. Cuditet Lutfi Dervishi kur shikon emisionet e Sakos, Zekës e të 20 moderatorëve të tjerë me mëditje, të cilët bëjnë betejë me gjermanë, francezë, anglezë dhe spanjollë.
E di si më ngjan kjo histeri. Si para 35 vjetësh kur pedagogu i raketave Hazbi Cela, në një akademi ushtarake të Enverit donte t’u shpjegonte studentëve sulmin imperialisto-revizionit. Ai coi në mësim Gëzim Lilën, portierin e tretë të Partizanit pas Mustës dhe Lekbellos që do sqaronte dëmet e tërmetit. Gëzimi ngriti dorën nga VL dhe tha “Këtej na sulmojnë revizionistët sovjetikë. Nga Veriu na sulmojnë nazistët gjermanë, nga VP revizionistët jugosllavë, nga Perëndimi fashistët italianë, nga Jugu monarkofashistët grekë dhe nga JL i mbeti dora bosh. Hazbi Cela i tha “Këtej bëji m…”. Kështu ngjajnë dhe emisionet luftarake të televizioneve shqiptare, në 20 emisione televizive të përnatshme, histerike, shterpë, sterile dhe shpesh bajate.
Balerina, velina apo moderatore televizive? E ke të vështirë t’i kulafikosh. Primobalerina mbetet Manush Manushi i Top Channel. Ambeta Toromani më tha se kasetat e tij i kam marrë për studim dhe po i studioj lëvizjet e tij prej balerini sepse dhe Panajot Kanaci i ndjerë do ta kishte zili. Ashtu si për Papandreun e Greqisë që media tha se shpiku variantin e 69 të Kamasutrës për seksin. Ata e quajtën seks me një këmbë ne varr. Ashtu dhe Manush Manushi ka shpikur stilin më të ri të primobalerinit. Pa le, pa le. Kishte vënë dhe Manjola Nallbanin për të gjuajtur penallti dhe qëndroi përballe sikur topin do ta fuste në trupin e tij. Meshkujve ua heqka këpucët sepse duhet të gjuajnë zbathur. Alfred Lela theu gishtin e madh të këmbës. Po kjo regji është edhe tek Qafoku edhe tek Zeko edhe tek Hygerta dhe kulmi arrihet tek Pandi Laco. Ka një fjalë të bukur në Korce: Mos e shko jetën, pa u bëre loco. Qesharak, komik, klloun.
Këtu kemi përfunduar të gjithë me mua bashkë. Se helbete të bësh nga katër orë në ditë emision, s’ke c’bën, kështu do shndërrohesh. Por majmunët e vërtetë janë politikanët. Tre herë kam qëlluar dëshmitar okular. Eni Cobani i tha Carcanit s’marr vesh nga sporti. s’shikoj sport. E përsëriti shtatë herë dhe pse dashuronte Brazilin. Po kjo do të thotë të besh “majmunin”. Kur s’merr vesh nga sporti, pse ia bën pis emisionin televiziv dhe moderatorit. Ndryshe kjo gjë lexohet: të shkosh për të ekspozuar fustanin, varësen, dekoltenë, këpucët, këmbët e bukura. Duket si gare miss-esh. Madje këtë majmunllëk e bëjne të gjithë politikanët që këtë kampionat boteror jane lëshuar si lukuni ujqërish në emisione sprtive, në vend që të shkojnë ku janë hallet e njerzëve. O zot, na ruajsh dy herë.
Dhe më kryesorja, pas tërë këtyre dalldive, që duan faqe gazetash të pafalimentuar që t’i trajtosh, ka shpërthyer dhe pirateria televizive. Të pa cipë, pa kriter, pa masë, pa logjikë, lapërdharë dhe nën hundën e instutucioneve që duhet t’i munitorojnë dhe ndalojnë të gjithë televizionet që vjedhin ditën në darkë. Vjedhin cdo gjë, pa e blerë, pa marre leje dhe pa u ndëshkuar nga askush.