Albspirit

Media/News/Publishing

Brunilda Spiro: Mbi doktoraturat, plagjiaturën dhe letërsinë

 

 

E pyes mikun tim më të mirë, pse nuk vazhdon doktoraturën, ti ke mbaruar me mesatare të lartë? Përse të humb kohën, nëse nuk sjell diçka të re, një shpikje apo novacion apo të risjell kopy-paste punët e të tjerëve?

E pyes Anën, miken time, përse e le në mes doktoraturën? Përse të humb kohën me punët e të tjerëve, kur mund të shkruaj një libër timin?

Të mençur dhe të vërtetë, të dy largpamës, e dinin që nuk ia vlen të marrësh një titull, kur nuk e meriton dhe kur ke mundësi të bësh gjëra më të mira. Në një vend ku edhe 10% që ka fituar vërtet një titull me meritë, sot ndihet sikur i nëpërkëmbet puna dhe merita, mes 90% të atyre që e kanë fituar pa meritë, ndihesh më mirë që nuk e ke përfunduar doktoraturën.

Keqardhje nuk duhet të ndjejmë për ata që e kanë marrë këtë titull pa meritë dhe kanë bërë plagjiaturë, por për atë 10%, të cilët e kanë marrë me meritë. Të jeni të sigurt, që ata të meritës, ose kanë ikur, ose janë të zhgënjyer, pasi pakkush i beson që vërtet e kanë marrë doktoraturën me meritë. Kush do i besojë? Ata që punojnë pranë tyre, janë të shumtit ata të pameritës, a munden këta të fundit të besojnë që ka të aftë rreth tyre dhe nuk janë njësoj si vetë ata?

Rëndom në atë vend ndodh që të paaftët janë në krye, sepse ata përpiqen me të gjitha mënyrat, duke menduar që të gjithë janë të ngjashëm me ta, e me pisllëqe e servilizëm, pse mos përpiqen të jenë në krye?

Ndërsa të aftët, të mençur e të përmbajtur, mendojnë që aftësia e tyre do njihet dhe do vlerësohet. Po nga cilët?

Edhe që jam larg, akoma më vjen një njoftim, për të paguar këstin e fundit të doktoraturës. Isha në dilemë, por tani falenderoj ish zv/ministrin e Arsimit, i cili më çliroi nga dilema. Koha është shumë e çmuar, le të bëjnë studimet dhe kërkimet, studiuesit dhe pedagogët, të cilët kanë kohën dhe vendin për ta berë dhe të paguar nga shteti, jo të kenë mendjen si të përfitojnë nga shteti dhe studenti! Nëse e zunë atë vend me apo pa meritë, le të japin atë pak a shumë që kanë, jo të vjedhin veten dhe të bëjnë pazar me gjënë më të çmuar, arsimimin e një gjeneratë të re, të ardhmen që shpresojmë mos jetë si e shkuara!

Të marrësh tituj të vjedhur, të pamerituar nuk është njësoj me të vjedhësh disa vargje poezie dhe t’i përshtatesh me ndjesi të tuat, mendoj që kjo dëmton pak ose aspak, sepse rikrijon diçka që përsëri është e bukur. Ka një qëllim të bukur edhe brenda vjedhjes, një vjedhje e ëmbël, e ndodh që ndonjëherë imitimi ia kalon origjinalit. Këtë e kam lexuar dikur nga një studiues i njohur i letërsisë.

E kryqezuam një njeri sepse vodhi e përshtati dy poezi nga më të bukurat dhe nuk vlerësuam, as na shkoi në mendje, që kishte shijuar e kuptuar më të mirat. Kishte njohur vlerën e tyre dhe i kishte sjellë me ndjesitë e veta, ishte frymëzuar prej tyre.

Të gjithë kemi nevojë të frymëzohemi, frymëzohemi nga bukuria dhe e dashurojmë, frymëzohemi nga natyra dhe krijojmë, frymëzohemi nga e mira dhe bëhemi më të mirë. Poezia është aq e dashur për mua, një dashuri e të gjitha fazave të jetës sime dhe duke e shijuar që e vogël, ndodh që të krijoj vargje me motive, që diku i kam lexuar ose krijuar, një ndjesi si një deja vu.

Po nëse do bëja një studim të pavarur, nëse do kisha kohë, se ne femrat nuk kemi luksin e meshkujve, as në kohë, do merrja në fokus poezitë e poetëve shqiptarë të gjinisë mashkullore. Shumica e tyre, të cilët e gdhendin e latojnë mrekullisht vargun, çuditërisht nuk dalin dot nga kornizat e mentalitetit mashkullor të shqiptarit. Duket sikur lexuesen më të mirë e kanë gruan e tyre dhe diku e lëshojnë veten në arratisjen e frymëzimin femëror, në muzën e tyre, pastaj tërhiqen duke paragjykuar e moralizuar! Herë-herë sikur shfajësohen…

Poeti paragjykues, një tmerr i palexueshëm! Çudira shqiptare😂😂😂

Shaka që puna e studimit, se nëse kam kohë bëj gjëra më të mira, shkruaj çfarë më do shpirti.

Ose përkthej poetë si Paul Celan, po kush të lë, Ana i ka bërë një përkthim të mrekullueshëm. Nuk po i bëj reklamë, se kam fshehur edhe shtëpinë botuese, por kush pëlqen të lexojë poezinë e të marrë një frymëmarrje të ëmbël disa çaste, le të shijojë këtë libër me poezi!

Fotografia e Brunilda Spiro

Please follow and like us: