Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri Blloshmi: TERRORI NË FERRIN E SPAÇIT MBAS 1973 (2)

NGA MBROJTJA NË GJYQ E FADIL KOKOMANIT DHE VANGJEL LESHOS

“ I nderuar kolegj gjykues.

Xixëllonjës, netëve të bukura të verës i duket sikur ndriçon gjithësinë me dritëzën e saj: në të vërtetë nuk ndrit dot as edhe një fije bari. E njëjta gjë ndodhi edhe me aktakuzën e këtij procesi gjyqsor. Ajo u venit… Xhirimi si një film i tërë skenave hetimore solli këtu përpara jush dy dosje të mëdha të fryra e të potershme që , po ti redaktosh , u mbetet vëtëm ajo për të cilën u dënuam bashkë me Vangjelin…”. Në këtë gjykim përshkohet dhe mbart në vetvete burim i paramenduar me interpretët realë të këtij paramendimi nga një pasaktësi faktesh e theksuar nga një X… e pasthirrmash zërash thashethemexhinjsh … (që përbëjnë skuadrën dëshmuese, e pra, gjëja faktuese që t’i analizosh një për një , nuk jan vecse mbeturina “ Lumpen proletariatit “ të shekujve të perënduar … Kjo akuzaturë vuan nga ai aspekt thelbësor I juridiksionit socialist që quhet “ Korpus delictum “ si dhe … me dashje pa dashje krijon atë atmosferë të rëndë dhe aspak të dëshiruar në sistemin tonë socialist që quhet sëmundja e burgomanisë. Dhe në të vërtetë ne Fadil Kokomani Vangjel Lezho, ashtu siç kujtojnë me tendencë (e për të shtuar në këtë akt-akuzë një… të freskët delikti) dhe hartuesit e akt-akuzës u dënuan më 30 nëntor të vitit të kaluar, (1978) -për një letër drejtuar Komitetit Qëndror të PPSH, kur kërkonin, të nisur nga pozitat e komunistit, gazetarit, që udhëheqja më e lartë në mes dy kongreseve, KQ të rishikonte vijën politike aktuale… dhe vetë byroja të bënte përpjekje dhe jashtë çdo egoizmi partiak personal, të rivendoste marrëdhëniet me BS… në këtë letër ne prezantonim mendimet tona racionale, të cilat në tërësi janë… të parashtruara në organizatën e partisë…

Gjatë jetës burguale dhe kampiale, te kjo që kohët e fundit është shqetësuar nga një dyndje e madhe të arrestuarish, midis të cilëve, shumica janë bij të familjeve të luftës… dyndje që padyshim shpreh një artific e përpëlitje ekonomike e shoqërore si rezultat i politikës së dyerve të mbyllura dhe staliniane, që i solli këtë anomali jetës në B.S. Në një vend ku mendimi politik i një pjese bëhet moto jete deri në organizmat intime familjare, ai vend vuan nga shterpësia e… individualitetit. Tërhoqa pak gjatë vëmendjen e përfaqësisë së nderuar, rreth dy letrave tona, të dërguara vitin e kaluar KQ, për të patur si parantezë, bazën skjaruese se kjo akuzë “E Re” ngritur konkretisht në këtë gjyq (sigurisht mbi bazën e raporteve të dëshmitarëve, është pothuajse krejtësisht false, e falsifikuar keqas dhe tërësisht, sa subjektive aq edhe hakmarrëse. Ne nuk jemi as kriminelë, as vrasës, as propagandues e as agjitatorë kundër pushtetit popullor… siç mundohen me pompozitet frazeologjik, (por shterpësisht të përsëritur, pa asnjë argumentim serioz juridik të çështjes) ta paraqesin gjendjen akuzantët…

I gjithë materiali fiktiv është parashtruar me një gjuhë pompoze bombastike e frazeologjike alla-marciale, sa që kushdo që e lexon vë duart në kokë e thotë: “Në Spaç qenka bërë nami, qenka zbuluar një organizatë, e cila paska dashur t`i vërë minat pushtetit popullor, që paska pasur në plan ti vijë në ndihmë forcave kundër revolucionare të brendshme (të cilat për mendimin tonë nuk ekzistojnë fare) dhe forcave reaksionare të jashtme, paskan pasur në mend t’i vinin në ndihmë forcave ushtarake sovjetike që do të pushtonin Shqipërinë (sa për dijeni BRSS është qendra e komunizmit botëror dhe si e tillë nuk është vend pushtues dhe po qe se e quani veten marksistë-leninistë e dialektikë, të paktën deri më sot historia 62 vjeçare e ekzistencës triumfiale e Atdheut sovjetik nuk na jep ndonjë shembull të tillë pushtimi. Atëherë nga e… (krijoni) ju këtë konkludë dhe këtë shpifje, qoftë në adresën tonë, qoftë dhe me tepër në adresë të Bashkimit Sovjetik, Vendit të lirisë, mirëqenies e barazisë, kulturës masive dhe begatisë së pashtershme? Është e kuptueshme se ju (e ngrini) këtë nga korniza konspirative e fakteve jashtë objektivitetit si dhe duke shtrydhur trutë e ndryshkura të dëshmitarëve të tjerë, këtyre protokallëpeve filistinë të cilët katër mijë vjet më parë dogjën Palestinën të shitur për një kothere bukë… i Donkishotëve me këtë organizatë, që kërkoni të na aluciononi në vend të Dylqinjës ose mullinjve të erës…

Jehona përparimtare e shekujve, duke filluar që nga babai i materializmit Aristoteli e duke dalë deri tek Mendelejevi, Ajnshtajni e fluturimet kozmike- është ngulitur thellë në tërë qenien tonë si komunistë si gazetarë.

Kultura botërore, shkenca, filozofia materialiste, letërsia përparimtare, muzika, arti progresist- të gjitha vlerat historike të mendjeve të ndritura njerëzore jetojnë tek ne më të gjalla e na frymëzojnë pa ndërprerje edhe këtu në burg.

Lufta dhe përpjekja drejt dijes, përparimit shoqëror që bënë kolosët e shkencës e të kulturës ndër shekuj si Aristoteli, Epikuri, Euripidi, Galileo Galilei, Xhordano Bruno, Koperniku, Vespuci, Kolombi, Robert Hjuk, Didero, Volteri… Dobrolubovi, Mendelejevi, Botkini, Plehanovi, Bekon (babai i materializmit anglez), Carl Darvini, Diogeni, Lavajueri, Frederik dhe Marie Kyri… Ajnshtajni, Popovi, Dantoni, Homeri, Eskili, Sofokliu, Virgjili, Petrarku, Dante Aligieri, Llongfellou, Uitmeni, Xhek Londoni, Teodor Drajzeri, Nikollaj Gogoli, Sergej Esenin, Fadjev…

Mbaroi shekulli i qorrave… mos vallë akuzatura mendon se si dikur në Shqipëri shkonte beu i fshatit a një pasanik te fshatari, i epte 5 grosh a një pëllëmbë zabel dhe i thoshte ec e vraje filanin se po të kapën të nxjerr unë nga burgu, do të gjejë te ne bashibozukë të injorancës e të poshtërsisë? Gaboheni rëndë zotërinj, gaboheni shumë rëndë.

… Unë Fadil Kokomani, qysh në fëmini, krahas punës për Lëvizjen N.C.L., madje jam burgosur nga gjermanët, dhe aksioneve praktike në rindërtimin e vendit, kam qenë gjithmonë i pari në mësime, si në fillore, në unike “29 Nëntori”, në gjimnazin “16 Shtatori” ashtu edhe në universitet dhe konservator. Po kështu edhe Vangjel Lezho ka qenë I shkëlqyer në mësime, si në fillore, në normalen e Elbasanit dhe Universitetin e Leningradit e pastaj në atë të Moskës. Të dy familjet tona të lidhura ngushtësisht me Luftën për Liri e në revolucionin socialist. Është më kryesorja, ne, Vangjel Lezho- Fadil Kokomani s`kemi qenë kurrë karrieristë.

… në plenumin e IV të K.Q. PPSH Enver Hoxha thotë se: “Burgu është forma e fundit e edukimit”. Bukur fort, por ç’na del nga kjo procedurë e fundit hetimore kundra nesh? Na del se burgu na qenka dhe forma e fundit e mashtrimit, torturës dhe vdekjes së ngadalshme. Akuzatorët na propozojnë: o “mangi questa minestra o fuori qui della finestra”. Ju zotërinj akuzantë, ne nuk do ta hamë këtë… Ta zëmë për një moment se do t‘i pranonim dhe do të shkonim… në union me rrymën që zbriti këtu me dëshmuesit, vallë a do të përbente kjo një vërtetim juridik për juve të nderuar trup gjykues? Jam i bindur se jo dhe Jo. Sepse janë disa faktorë kardinalë dhe anësorë shumë të rëndësishëm… kokëfortë që quhet “corpus delictum”. Unë edhe mund të heshtja, siç tha edhe Vangjeli, duke hedhur poshtë akoma më bukur çdo sprucaturë uji të qelbur të hedhur këtu nga vagabondazhi Spaçian…

Në konkludën tuaj përfundimtare, pra edhe deçizive, do dëshironja që t‘ja nënshtronit një supermacie mendore, logjike, tërë të ashtuquajturën faktivizim të “flakë ndezësve” që fshihen, të këtij “Burimi kapriçioz” dhe hakmarrës që na sulmuan dhe që u paraqitën këtu para jush, të armatosur shumë keq, me kontradiksione evidente dhe aspak serioze…

Predispozicioni i tërë për të shpifur, për të bërë keq… me këtë nuk dua të justifikoj ata, ose siç thotë populli “lëre mirë se aq mend ka”.

Unë kështu kam vepruar gjithmonë, qoftë në jetën e lirë, qoftë tani prej 17 vjetësh që ndodhem si të thuash i arratisur nga jeta… Ne Fadil Kokomani e Vangjel Lezho, nuk jemi as Sako e Vanceti, por sa për dijeni, me vepra konkrete dhe përmbajtjen botëkuptimore, u jemi prezantuar kurdoherë dhe të tillë, të pa përkulur do t‘I prezantohemi këtij opinioni deri sa të jemi gjallë… Edhe në burg, me të gjitha konditat e vështira ekonomike dhe ambienteve ne kemi përkthyer vepra të letërsisë dhe estetëve të mëdhenj, të Çehovit, Shilerit… kemi shkruar tregime, madje edhe romane.

Dhe ta dijë mirë kushdo, qoftë monark a perëndi, se ne nuk duam shpëtim nga zot a mbret, nuk duam liri as me dhunë e as me gjak, as me terror e as me zvarritje, siç pretendojnë gënjeshtarët monstruozë në këtë akt-akuzë që nuk ka asnjë precedent në historinë e socializmit dhe komunizmit botëror, nuk duam rrugëzgjidhje të fateve tona burguale me kontra-pagesa të tilla, të huajtura nga banditizmi më i fëlliqur ndërshekullor inkuzicional”.

 

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE SHQIPËRISË

GJYKATA E LARTË

Nr.4. Regj. Themeltar.

Nr.4. i Vendimit.

VENDIM

NË EMËR TË POPULLIT

Gjykata e Lartë e përbërë prej:

Sofokli KrongoKRYETAR, antar i Gjykatës së Lartë

me antarë: Met Rreli Nd.Gjyqtar “ “

“ “

Luftulla Ceka Nd.Gjyqtar “

“ “ “

të asistuar prej sekretarit Sadik Memo, me pjesëmarrjen e prokurorit Skënder Breca, me datat 10,12,14,15,16,17 e 18. Maj. 1979 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura çështjen penale Nr.4 që ju përket të pandehurve:

1.FADIL KOKOMANI: i biri i Hysenit dhe i Hatixhes, i datëlindjes 1933, lindur në Durrës, banues në Tirane, me origjinë shoqërore qytetar i mesëm, me gjëndje shoqërore nëpunes, gazetar, me arsim të lartë, i çkurorzuar, ka një fëmijë, i përjashtuar nga Partia, me kombesi e shtetësi shqiptare, i dënuar dy herë për krime kundër shtetit, vuan dënimin në Repartin e Riedukimit Nr.303 Spaç, i arrestuar me datën 23.2.1979.

2.VANGJEL LESHO: i biri i Stefanit dhe i Emilesë, i datëlindjes 1932, lindur në Fier, banues në Tiranë, me origjinë shoqërore nënpunës i mesëm, me gjëndje shoqërore nënpunes, gazetar, i martuar, ka një fëmijë, i përjashtuar nga Partia, me kombësi e shtetësi shqiptare, i dënuar dy herë për krime kundër shtetit, vuan dënimin në Repartin e Riedukimit Nr.303 Spaç, i arrestuar me datën 23.2.1979.

Për këto arsye

Gjykata në Bazë të neneve 278, 279 të Kodit Proçedurës Penale; VENDOSI

Të deklarojë fajtorë të pandehurit Fadil Kokomani e Vangjel Lesho për krijimin e një organizate kundërrevolucionare “Revizioniste” për të kryer krime kundra shtetit si dhe i deklaron fajtorë këta, për krimin e agjitacionit e të propagandës kundra shtetit.

1.a) Fadil Kokomanin në bazë të nenit 57 të K.P. e denon me Vdekje, me pushkatim dhe në bazë të nenit 25 të K.P. i hiqet e drejta e zgjedhjes për 5 vjet kohë.

  1. b) Të pandehurin Fadil Kokomani në bazë të nenit 55/1 të K.P. e dënon me 10 vjet heqje të lirisë. Në bazë të nenit 35 të K.P. e dënon me vdekje, me pushkatim dhe me heqjen e të drejtës së zgjedhjes për 5 vjet kohë. Duke qënë se është dënuar më parë, në bazë të nenit 36 të K.P. e dënon përfundimisht Fadil Kokomanin me vdekje, me pushkatim dhe me heqje e të drejtës së zgjedhjes për 5 vjet kohë.

2.a) Të pandehurin Vangjel Lesho, në bazë të nenit 57 të K.P. e dënon me vdekje, me pushkatim dhe në bazë të nenit 25 të K.P. i hiqet e drejta e zgjedhjes për 5 vjet kohë.

  1. b) Në bazë të nenit 55/1 të K.P. e dënon me 10 vjet heqje të lirisë. Në bazë të nenit 57 të K.P. e dënon me vdekje, me pushkatim dhe me heqjen e të drejtës së zgjedhjes për 5 vjet kohë. Duke qënë se është dënuar më parë, në bazë tënenit 36 të K. P. e dënon përfundimisht Vangjel Leshon me vdekje, me pushkatim dhe me heqje e të drejtës së zgjedhjes për 5 vjet kohë.

Ekzekutimi i këtij vendimi për të dënuarit me vdekje Fadil Kokomani e Vangjel Lesho, pezullohet gjer në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së tyre për falje nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, që ata kanë të drejtë të paraqesin atij, në bazë të nenit 340 të K.Pr.Penale.

U shpall në Tiranë, sot më datën 18.Maj.1979.

Nd.Gjyqtari Nd.Gjyqtari KRYETARI

/Luftulla Çeka/ /Met Rreli/ /Sofokli Krongo/

 

PËRMBLEDHJE TË VENDIMIT PENAL Nr.4 DATË 18.5.1979 TË GJYKATËS SË LARTË MBI TË DËNUARIT ME VDEKJE TË FADIL KOKOMANI E VANGJEL LESHO

Gjykata e Lartë me Vendimin Nr.4 datë 18.5.1979 dënoi me vdekje, me pushkatim Fadil Hysen Kokomani, i datëlindjes 1933, lindur në Durrës, me arsim të lartë dhe Vangjel Stefan Lesho, i datëlindjes 1932, lindur në Fier, me arsim të lartë, për krimin e krijimit të një organizate kunderrevolucionare në bazë të nenit 57 té K.P. dhe për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër shtetit në bazë të nenit 55/1 te K.P. dhe me heqjen e të drejtës së zgjedhjes për 5 vjet kohë. Të dy të lartëpërmendurit, në vitin 1963 kanë qënë dënuar në grup për tradhëti ndaj atdheut, për vepra terroriste e agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe, Fadil Kokomanin edhe për armëmbajtje pa leje u dënuan me nga 25 vjet heqje të lirisë. U vërtetua se këta të dy si armiq të vjetër të Partisë Punës Shqipërisë e të pushtetit tonë popullor, edhe gjatë kohës së vuajtjes së dënimit të tyre e thelluan më shumë aktivitetin e tyre armiqësor në Repartin e Riedukimit Nr.303 të Spaçit edhe në atë të Tiranës Nr.313, kundër Partisë Punës së Shqipërisë dhe shtetit tonë të diktaturës së proletariatit.

Këta, duke qënë edhe të ngritur nga ana e nivelit kultural, kanë zhvilluar tek të dënuar të tjerë, një propogandë të gjerë armiqësore, duke përhapur pikpamjet e tyre thellësisht armiqësore, revizioniste kundër Partisë Punës Shqipërisë dhe udhëheqjes së saj, kundër vijës ideollogjike dhe politike, e për luftën e saj kundër revizionizmit modern në përgjithësi e atij sovjetik në veçanti.

Me anë të këtij agjitacioni e të propogandë së tyre, me anë të përpunimit të tyre ideologjik armiqésor, këta kanë mundur të grumbullojnë rreth vehtes edhe disa të dënuar të tjerë, po për krime kundër shtetit Xhafer Xhomo, Beqir Alia, Robert Vullkani, Fatos Lubonja, Dhimitér Stefa, Nuredin Skrapari, Muho Bala e Petrit Orjeti (Iljazi), dhe këta u bënë përkrahës, pasues, konseguentë të pikpamjeve armiqësore e të qéllimeve kundërrevolucionare të Fadil Kokomanit e Vangjel Leshos. Në këtë mënyre këta të dy krijuan një organizatë kunderrevolucionare, më pjestarë këta të tjerët, e cila kishte për qëllim dhe objektivin e saj përfundimtar rrëzimin e shtetit të diktaturës së proletariatit në Shqipëri dhe vendosjen e një rregjimi reaksionar revizionist.

Organizatorët e drejtuesit e kësaj organizate, qenë Fadil Kokomani e Vangjel Lesho, të cilët kanë përpunuar edhe platformén e késaj organizate, programin, detyrat e qëllimet e saj. Në programin e saj përcaktonin që “Shqipéëria duhet të bashkohet pa tjetër me Bashkimin Sovjetik” dhe kjo do të arrihet sipas tyre me dy variante: “ose me anë të një kundërrevolucioni brënda vëndit të udhëhequr nga një pjesë e udhëheqjes së Partisë që ka pikpamje pro sovjetike ose me anë të një ndérhyrjeje ushtarake të Bashkimit Sovjetik në Shqipëri, për të rrëzuar udhëheqjen e sotme të Partisë e të shtetit, e për të vendosur një parti e një qeveri pro sovjetike”. Pjestarë të organizatës kishin për detyrë të shtonin radhët e saj, të ishin të bashkuar e të bënin propogandë e agjitacion të gjerë kunder Partisë dhe shtetit tonë në favor të ideologjisë revizioniste dhe të politikës të Bashkimit Sovjetik. Më vonë ata do të vinin veten e tyre në ndihmë dhe në shërbim të forcave kundërrevolucionare të brëndshme ose forcave pushtuese sovjetike për të rrëzuar pushtetin popullor e për të vendosur përfundimisht një regjim revizionist pro rus.

Krijuesit e kësaj organizate kundërrevolucionare kanë nxitur të denuarin Petrit Orjetin që bashkë me antarë të tjerë të organizatës, të punonin me të dënuarit e tjerë në Repartin e Riedukimit Nr.303 të Spaçit për të organizuar një revoltë politike si ajo e vitit 1973 dhe të mirrte të gjitha masat për të siguruar “fitoren e saj”. Të dënuarit Fadil Kokomani e Vangjel Lesho në Korrik të vitit 1978 i kanë drejtuar një letër Komitetit Qendror të Partisë Punës Shqipërisë me përmbajtje thellësisht armiqësore me anë të së cilës ata kërkonin rishikimin e tërë vijës ideologjike dhe ndryshimin e vijës politike të Partisë ndaj Bashkimit Sovjetik duke quajtur fajtore për prishjen e marëdhénieve midis Shqipérisë e Bashkimit Sovjetik, udhéheqjen e Partis tonë.

Në këtë letër ata kanë shprehur edhe shumë pikpamje e mendime të tjera armiqësore kundër udhëheqjes së Partis Punës Shqipérisë e kundër diktaturës së proletariatit në Shqipëri të marra këto nga propaganda reaksionare revizioniste hrushoviane dhe që atyre u janë rrënjosur thellë në ndergjegjen e tyre. Këta të dy të dënuar me pasion të madh edhe mbas dënimit të tyre të dytë më 30.11.1978, kanë përhapur këto ide e pikpamje të tyre armiqësore të shprehura në atë letër midis të denuarëve të tjerë dhe këtë e kanë bërë në kuadrin e detyrave të organizatës së tyre kunderrevolucionare. Këta kanë punuar për të zgjeruar radhët e saj dhe kanë dhënë porosi për ta forcuar atë nga ana organizative me qëllim që të realizonin synimin e tyre përfundimtar rrëzimin e diktaturés së proletariatit në Shqipëri. Ata janë shprehur se mbas “rrëzimit” të këtij regjimi do të hakmereshin kundër udhëheqjes së sotme të Partisë e të shtetit e cila simbas tyre “ka përgjegjësi historike për gjithë fatet e kombit shqiptar”. Gjykata në caktimin e dënimit me vdekje me pushkatim për Fadil Kokomani e Vangjel Lesho u nis nga shkalla shumë e theksuar e rrezikshmërisë shoqërore të veprimtarisë së tyre armiqësore dhe që kanë patur për synim rrézimin e pushtetit tonë popullor. Gjithashtu ajo u nis nga rrezikshmërija jashtzakonisht e madhe shoqërore që paraqesin edhe vetë këta të dy të dënuar të cilët kanë qënë frymëzuesit, organizatorët dhe drejtuesit e kësaj organizate kundërrevolucionare dhe e të gjithë kësaj veprimtarie armiqësore të këtij grupi me pikpamje revizioniste pro sovjetike që është zhvilluar tek të dënuarit në Repartin e Riedukimit Nr. 303 Spaç. Shkalla e fajësisë së tyre është shumë e rëndë. Këta janë armiq të vjetër, konseguent e të tërbuar të Partisë, të popullit e të shtetit tonë socialist, mbasi janë dënuar edhe dy herë të tjera po për krime kunder shtetit duke qënë kështu përsëritsa shumë të rrezikshëm në kryerjen e krimeve kundër shtetit dhe gjatë gjykimit i çfaqën hapur pikpamjet e tyre armiqësore revizioniste pro sovjetike, duke mos dhënë asnjë shënjë pendimi për krimet e kryera.

Tiranë, më 21.5.1979 KRYETARI GJYKATES SE LARTE

/ Aranit Çela /

  1. Fadil Hysen Kokomani, lindur më 1933 nga Durrësi, me arsim të lartë.
  2. Vangjel Stefan Lesho, lindur më 1932 nga Fieri me arsim të lartë, të dy të dënuar nga Gjykata e Lartë më 18.5.1979 me vdekje me pushkatim dhe me heqjen e të drejtës së zgjedhjes për 5 vjet kohë, për krimet e krijimit të një organizate kundërrevolucionare dhe për agjitacion e propagandë kundra pushtetit popullor.

Rrethanat e ngjarjes:

Të dy të gjykuarit janë dënuar në vitin 1973 me nga 25 vjet heqje lirie për krimet e tradhëtisë ndaj atdheut vepra terroriste, e agjitacion e propagandë kundra pushtetit popullor. Si armiq të betuar të Partisë së Punës të Shqipërisë e të pushtetit popullor, ata edhe në repartin e riedukimit kanë zhvilluar njëë propaganda të gjerë armiqësore kundra vijës ideollogjike e politike të Partisë. Grumbulluan rreth vehtes edhe disa të dënuar të tjerë po për krime kundra shtetit dhe krijuan një organizatë kundërrevolucionare duke patur si qëllim rrëzimin e shtetit të diktaturës së proletariatit në vendin tone dhe vendosjen e një rregjimi reaksionar revizionist. Të dënuarit Fadil Kokomani dhe Vangjel Lesho, kanë qënë organizatorët dhe drejtuesit e kësaj organizate. Ata kanë përpunuar platformën, programin, detyrat e qëllimet e saj. Në programin e tyre përcaktonin bashkimin e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik ose me anë të kundërrevolucionit brenda vendit, ose me ndërhyrje nga jashtë, për të rrëzuar udhëheqjen e sotme e për të vendosur një parti pro sovjetike.

Detyra e organizatës ishte shtimi i radhëve të saj, agjitacioni e propaganda kundra pushtetit popullor dhe vënja e tyre në shërbim të forcave kundërrevolucionare të brendshme ose forcave pushtuese sovjetike. Të gjykuarit kanë nxitur të dënuar të tjerë për të organizuar në repartin e riedukimit një revoltë politike dhe për të marrë masa për sigurimin e fitores së saj. Edhe mbas muajit Nëntor 1978 kur ata u dënuan për agjitacion e propagandë, kanë punuar më me ngulm për shtimin e radhëve të organizatës dhe kanë propaganduar më me pasion pikpamjet e tyre armiqësore. Janë shprehur se mbas “rrëzimit” të këtij regjimi do të hakmerreshin kundër udhëheqjes së sotme të Partisë e të Shtetit. Gjykata e Lartë në caktimin e dënimit me vdekje për të dy të gjykuarit ka patur parasysh shkallën shumë të theksuar të rrezikshmërisë shoqërore dhe të veprimtarisë së tyre armiqësore. Gjithashtu ka patur parasysh se këta të dënuar kanë qënë frymëzuesit, organizatorët dhe drejtuesit e kësaj organizate kundërrevolucionare. Ata kanë qenë dënuar edhe dy herë të tjera për krime kundra shtetit dhe gjatë gjykimit shfaqën hapur pikpamjet e tyre armiqësore duke mos treguar asnjë shenjë pendimi për krimet e kryera. I dënuari Vangjel Lesho ka paraqitur kërkesë për faljen e jetës.

. . .

AQSH. F. V. D. fl.

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

GJYKATA E LARTË

Tiranë, më

21.5.1979

Nr. 301

PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, TIRANË

Bashkangjitur me këtë shkresë ju dërgojmë përmbledhjen e vendimit Nr.3 datë 9.5.1979 dhe Nr.4 datë 18.5.1979 të Gjykatës së Lartë që ju përket të dënuarëve me vdekje me pushkatim Xhelal Sami Koprencka, Fadil Hysen Kokomani e Vangjel Stefan Lesho.

KRYETARI

Aranit Çela

Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPS të Shqipërisë

Tiranë

Kërkesë

Me vendim (dt.18.5.1979) të Kolegjit të Gjykatës së Lartë të RPSSH u dënova me vdekje në bazë të nenit 57 dhe të nenit 55/I te KP. Prandaj i lutem atij forumi të lartë të shtetit tonë të marrë në konsideratë lutjen time, të bazuar, ashtu siç u shpreva edhe në fjalën time të mbrojtjes, në sinqeritetin tim, që ka kaluar në dy prova të drejtësisë sonë, si edhe ne pretendimet e mia juridike, të cilat ia bëra të ditura gjykatës përkatëse, për t´i marrë në konsideratë, duke e shikuar këtë vendim dhe të më falë jetën. Unë kam besim te ai forum i lartë se do të ushtrojë drejtësinë në rishikimin e masës së dënimit mbasi unë nuk njoh pushtet dhe rend tjetër veç pushtetit popullor dhe rendit tone socialist, që më rriti dhe më edukoi pavarësisht se po hyj në vitin e 17 të jetës time burguale. Me shpresë se lutja ime do të mirret në considerate nga Juve.

I dënuari me vdekje

(Vangjel Lesho)

Tiranë

19.5.1979.

Tiranë, më 28/5/79

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR

_________________________________

Nr. 514

MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME

(Drejtorisë së Hetuesisë)

PROKURORISË SË PËRGJITHSHME

Për njoftim: GJYKATËS SË LARTË

TIRANË

Presidiumi i Kuvendit Popullor, në mbledhjen e datës 28.5.1979, vendosi që të mos u falet jeta personave të poshtëshenuar:

2) Fadil Hysen Kokomani, lindur më 1933 në Durrës.

3) Vangjel Stefan Lesho, lindur në Fier më 1932.

Të dy, të dënuar nga Gjykata e Lartë me vdekje me pushkatim me vendimin nr.4 datë 18.5.1979 për krimet e krijimit të një organizate kundërrevolucionare dhe të agjitacionit e propagandës kundër shtetit.

Vendimet e Gjykatës për të lartpërmendurit të zbatohen.-

SEKRETARI I PRESIDIUMIT: Telo Mezini.

 

————————
Titulli: Plumba ne ferr
Autori: Bedri Blloshmi
Botues: Mirgeeralb

Please follow and like us: