Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Kënga e Solomonit

 

 

1.

E imja Sulamith

Shtriq krahët, pulit sytë

Shkund argjendin e vjetër

Të Këngës së Këngëve

Me këmbë të kërthinjta

Zbathur zbret shkrepat e Sionit

Shkel Detin e Vdekur të shkretirave

E brishtë si aroma e menteve të kodrave

E tmerrshme si një ushtri e armatosur

Shkyen copëzat e mermereve të lashtë

Si zogjtë lëvozhgën e vezës

Dhe i gëzohet diellit

Ujit e barit, reve dhe majit.

Mirë se erdhe Sulamith

Që tremijë vjet e sëmurë

Nga një dashuri

Që përherë prej thelbit të gurit të ringjall

Si një pemë me gjethe

Si një ujkonjë që meshkujt gëlltit

I bën mollë për gjirin

I bën argjend për shkëmbinjtë

E detit në vreshtin e dallgëve

Dhe në gjumin e erës që nga hiçi

Rend me drenusha këmbëkërthinjtë.

Mirë se erdhe Sulamit,

Maleve dhe valtheve

Ujërave dhe zalleve.

 

2.

Trëndafile e brishtë

Në hajatin e botëve hedhur.

Një shi bie e rrjedh bashkë me natën,

Dhe një vetmi e egër më zhvesh

Më bën shuall me hiçin.

Një trëndafile e brishtë e hedhur

botës përskaj m’u duke sot, Sulamith.

Në barin ku jam, shiu lakohet butë

mbi fletët e qelqeve, të gjetheve më tej.

Dritat e barit rrëmbushen

I veshin me lëkurë lotësh

Pikat që lëvaren nga strehët gjer në tokë.

Muziëa mbush e ngjiz heshtjet,

Prek muret, gjethin e prillit në mure

Për t’i asgjësuar në çast të gjitha

Dhe mua dhe shiun dhe natën.

Ti, trëndafil e qiri bashkë vizatuar

Në natë, trëndafil e qiri që digjet.

Vizioni yt shumëzohet në qelqet

Në pikat e shiut, në muret.

Nesër, nesër Sulamit… sonte

Vetëm pikat e shiut rendin e rendin.

Shlodhu sonte në natën tënde

Si në krahët e mi. Sot larg, në skajin e fundmë

Të litarit të natës. Në skajin e litarëve të shiut.

Nesër nesër… trëndafile e dritës, Sulamit.

 

3.

Tani që nata ra, u iki me vrap

Dritave, vitrinave, kafeve

Të zhytem qoftë dhe në pus terri të trishtë.

Më verbohen sytë, më lëbyren

Llërët supet këmbët e tua më ngulen në sy

Si shpata të holla, të lëngështa, të zhveshura

Tërësi, ngrohtësi avull dhe fildish.

Tani që nata ra u iki dritave.

Rend nëpër pjesën time lumturisht të vdekshme

Në prekje, në therje gjëmbash

Në shtratin ku trëndafilat

Në fildishin e hireve të tua

Veniten e japin shpirt,

E në lumin lëkurëhollë të kësaj nate

Lëvrijnë, lëbyren zhyten.

Oh sonte e dua terrin e ndezur

me shpatat e diellit tënd të mishtë.

 

4.

 

Kam lexuar sot

Afreskët e apostujve të mureve bosh

Ravgimin e tyre me sandale rëre nëpër shkretëtirë

me kripën pëlcitëse të gurit në sy

me djersën e drurit në ballin e ndalur të një dite…

 

Tash që muzgu breroi hijet, ngjyrosi qiellin

Dhe si tempuj të fortë murgu, të përkulur tokës,

Vuri të banojnë drurët poshtë tij,

Tani, ku më je ti, Sulamith?

 

Dil, shfaqu ngjyrave, pa rënë në natë.

Lermë të të shoh siç je, sa pa më vdekur sytë

Si një sandale shkyer nga rëra.

 

Fill i qielltë drite e peme zgjohu, shkëlqe.

Nata e ligë do të rritë bashkë me grashinat,

Shpendra e rrodhe. Çou, përvish mëngët,

Pastro barëra kopshti, kthjello pasqyrën

ku po kalbem nga një ajër i thyer, i therur.

 

Apostujt e mureve si urthet lëvarur në gjithësinë

Rrahur diellit,

Kësaj vere me mua thahen, vetëm thahen.

 

5.

 

Kodrat, kedrat e amforat

E aromave në dherat e varrosura

Të mbret Solomonit zgjohen.

 

Armatorët, ja, e hodhën në det

Anijen flakë të re, me dru kedri të Libanit.

Në bash është fytyra jote,

barku yt farkuar nga dielli te vela e hapur,

trupi lakuriq verbon detin,

det, lindur dhe ky nga barku i nënës sate.

 

Larë me lot nga sytë me thika të burrave,

Busti yt, gdhendur nga duart e ujërave,

Çan dallgët me thepat e gjirëve.

 

Në direk varet këmisha ime,

Than djersët e trasha të dherave

Dhe dliret në diellin e jodin e detrave

Udhës për në tempullin e shkëmbit

Ku nusja e rigjetur kthen verën e vjetër

Spërkat ajrin e shtratin e dhendrrit.

 

6.

 

Mos kërko të më takosh përditë,

Druaj mos t’më takosh as pasnesër,

As pas një viti, a pas një shekulli.

Takomë kur të jesh vetvetja

Vetëm e për veten tënde

Pa kohë, pa hapësirë,

pa asnjë prani tjetër mes nesh

qoftë dhe sa një fije floku.

 

7.

 

Me qumështin jasemin të shtatit tënd në buzë

Mos më duhet të vdes tani, Sulamith?

Të kam humbur dikur në grinë e ditëve,

Tani që të gjeta

Mos duhet të vdes në të çarën e dherave,

në të kuqen ngjyrë vullkani të tërmeteve,

mos duhet të vdes në trinën prej druri të vreshtave?

 

Aroma të marajit, të makthit, të mjaltit

Të dheut qiellor, të manaferrës, të frashërit…

Me kokën tënde mes dy krahëve të mi,

Me vithet e tua në gropëzat e trurit e të shtratit.

Me qumështin jasemin të shtatit tënd në buzë

Mos duhet të shtang në hop e ringjallje apokalipsi?

 

Në dashuri të gëzova, Sulamit,

Në dashuri më gëzove dhe ti,

Në gotën e verës me ngjyrën e kuqe të mbretit.

 

8.

 

Sa e bukur, Sulamith… bukur e bukur

Për ty, për mua, për veten tënde,

Kështu më ishe sot, Sulamith.

Dhe që je plot hir të dua: që je kaq e bukur.

Për qejfin e vetes, të jetës dhe për qejfin tim

përherë t’më jesh bukur e bukur, Sulamith.

Vallë jemi të përjetshëm? Të pandryshuar?

Mbetemi gur të ngulur si shkëmbenjtë në tokë?

Kështu bukur e bukur ti më je sikundër mbi dallgët,

Mbi retë, sikundër mbi yjet, mbi qiejt.

Në tokë zbret sa për të thënë: e shihni,

Më shihni? Bukur e bukur jam. Lumtur

e lumtur jam. Vetëm në dashuri jam.

Please follow and like us: