Izet Shehu: Kur të vdes…
Kur të vdes një ditë, ah, kur të vdes,
Mbi arkivol më vini një trëndafil me vesë.
Dhe mos bëni zhurmë, mos qani me kuje,
Se shkoj për atje, në perëndim a më tutje!
Ku flenë të shumtit (s’di a flenë a s’flenë?!)
Kur zemra e lodhur do shkrihet me dhenë.
Ju mos bërtisni, mos bëni poterë,
Kur dheu i lagësht mbi mua të bjerë!
Se s’po zbret dielli, po ikën njeriu,
Që shpëton nga streset, lotët dhe shiu.
Kur të vdes një ditë, ah, kur të vdes,
Mbi arkivol më vini një trëndafil me vesë!
Please follow and like us: