Albspirit

Media/News/Publishing

Kleves Bitro: Si e mashtroi Rama Kosovën…

 

 

Për të qëndruar vetëm pak në çështjen e shumëdebatuar të propozimit kryeministror për Ministrin e Jashtëm, duhet të kujtojmë rrugëtimin e Edi Ramës në krye të qeverisë shqiptare me shumë premtime të pambajtura kurrë ndaj Kosovës edhe pse u përbetua ndërshqiptarisht se do bënte namin me bashkimin kombëtar. Dhe në vend që të kërkojë falje tek Baton Haxhiu për rastin e një djaloshi të keqpërdorur, Rama duhet të kërkojë falje për shumë cçshtje më të rëndësishme të karakterit real përbashkues me Kosovën.

Shqiptarët e kanë parë dhe e kuptuar pas disa vitesh se kush është “Kryerilindasi” qe varrosi shpresat për më shumë të ardhura në xhepat e tyre dhe për një punë dinjitoze. Por nuk janë të vetmit që provuan shijen e hidhur të zhgënjimit për shumë premtime të pambajtura, sepse edhe gjysma tjetër e kombit ne Kosovë provoi të njëjtën gjë. Duhet të kujtojmë se çfarë propogande inicoi Kryeministri me vizitën e tij të parë zyrtare në Prizren, ku përkrah Kryeministrit Thaçi u përbetuan se kishin arritur bashkimin faktik të dy pjesëve të ndara të kombit.

Nuk mund të paragjykojmë dhe as analizojmë në këtë moment arsyet që kanë shtyrë Hashim Thaçin të bëhej pjesë e një skenografie të tillë mashtrimi, por mund të merremi me “Kryerilindasin” tonë që edhe pse rasti i ofroi një mundësi për të provuar se sa shumë i do ai kosovarët, nuk mundi të dalë mbi mentalitetin dhe paragjykimin politik dhe shoqëror të rrethit të tij dhe brezit të politikanëve të majtë që ai përfaqëson, si brezi i dytë i vazhdimësisë puniste në sistemin demokratik në Shqipëri.

E ndërsa Rama kishte dhënë prova për të kundërtën me kundërshtimet e mëdha për ndërtimin e rrugës së kombit, disa prej opinionbërësve në Kosovë, të afërt me rrethin e Hashim Thaçit dhe fatkeqësisht të promovuar edhe nga pseudoqarqet intelektuale të Tiranës që kanë zaptuar ekranet kryesore mediatike, këmbëngulën që nuk ishte vetëm Berisha që dashuronte Kosovën. Dhe si alternativë paraqitën “Kryerilindasin” Rama. Dhe për të vërtetuar këtë tezë e për ta paraqitur para Kosovës si një udhëheqës shumë më të mirë e më të aftë se Berisha, i organizuan një takim të bujshëm tek i cili Edi vrapoi ende pa u bërë zyrtarisht Kryeministër. Dhe sapo u paraqit në atë takim me elitën kosovare jo vetëm që nuk përmendi Ibrahim Rugovën, por lexoi fjalë për fjalë një fjalim të përgatitur nga kundërshtari më i egër i Rugovës, Rexhep Qosja.

Kështu pa marrë mandatin zyrtar Rama hodhi farën e përçarjes dhe rreshtimit hakmarrës me bazë ideologjinë e majtë brenda Kosovës duke dhënë shenjat e sigurta se ai nuk ishte një lajm i mirë për Kosovën. Mirëpo sërish të njëjtët opinionbërës u angazhuan që të justifikonin keqdashjen e Ramës, por meqënëse gafa ishte e papërtypshme kërkuan ndihmë tek disa sharlatanë të tjerë mediatikë në Tiranë që meqënëse nuk u bënë miq hileqarë me familjarët e Berishës, u hodhën në anën e Ramës që të bëheshin miq me familjarët e Kryeministrit të ri, paçka se për shumë vite çfarë nuk kishin thënë për ta. Dhe duke u besuar jargavitjen mediatike të këtyre njerëzve, Rama shpresonte të ishte në rregull me kosovarët. Ai kishte kundërshtuar vërtet rrugën e kombit dhe krijimin real të komunikimit fizik modern të dy pjesëve të kombit, por ama premtonte të bënte kthesë. Dhe me shumë mund të gjoja opinionbërësve të besueshëm, filloi përgatitjet për një takim në Prizren.

Ky udhëtim turistik i Ramës që nuk kishte qenë ndonjëherë në këtë qytet mbreslënës të shqiptarizmës, u propogandua si akti i dytë pas Lidhjes së Prizrenit duke e bërë qesharak Ramën dhe të gjithë kuruesit e tij mediatikë. U bashkuan dy qeveri, u premtua unifikim kombetar, tekste të unifikuara arsimore që tek abetaret e gjuhës shqipe e deri tek sistemet universitare, u premtua unifikim i sektorit energjitik, unifikim doganash e tarifash doganore dhe shumë e shumë marrëzira të këtij lloji duke bërë hesapet pa hanxhinë.

Mirëpo Rama nuk i kishte me gjithë mend të gjitha këto, sepse ai e dinte sepse po të bënte të gjitha ato që thoshte nuk mund të kënaqte oligarkët e tij të Tiranës në fushën e botimeve, po ashtu nuk kënaqte dot as oligarkët e miellit afër tij, por as oligarkët e cimentos, të tullave e deri tek oligarkët e patateve, mollëve e fasuleve. Këta të fundit mund të duken pak të rëndomtë, por e vërteta është se nën trysninë e tyre, Rama përmes Ministrit të asaj kohe të bujqësisë (që ishte i një tjetre force politike që i dha oksigjen Ramës, por që sot po vuan keqazi politikisht nën arrogancën e tij) ligjëroi bllokadën ndaj gjithë mallrave të konsumit me prejardhje nga Kosova.

E pra, kishte kaluar vetëm një vit në atë kohë prej qebverisjes së Ramës, por kosovarët mund të bëjnë si atëherë si sot sot bilancin e mashtrimeve të Ramës dhe bashkëpuntorëve të tij si në qeverinë e Kosovës ashtu edhe në botën mediatike kosovare. Ka ndonjë prej bashkëpuntorëve kosovarë të tregut mediatik të Ramës sot që përpiqet të krijojë ende tymnajë e të orientojë zemërimin e Kosovës jo tek Rama, por tek ish-aleatët e tij në qeverisje, duke dashur të ngatërrojë objektivin e kritikave që Ramës i bëhet gjithkund për papërgjeshmërinë e sjelljes së tij kundrejt Kosovës.

Mirëpo produkti i tyre nuk mundi të kapërcejë vitin pa skaduar në duart e kosovarëve dhe kur që era e keqe e mallit të prishur që u përpoqën kaq shumë ta marketonin në tregun e Kosovës, qelbi dynjanë, morën lapsin e i qanin hallin Kosovës. Këta dizenjatorë dhe fabrikues realitetesh në Kosovë dhe Shqipëri janë po aq të papërgjeshmë sa edhe padroni i tyre, të cilin e kanë zgjedhur për “Kryerilindas”. Por fatmirësisht Kosova di të lexojë e të kuptojë përmes mesazheve dhe sjelljeve të politikanëve shqiptarë. Banorët dhe qytetarët e Kosovës e dinë shumë mirë se hapat e Berishës në zemrat e tyre dhe vizitat entusiazte të atij që cau tunelet dhe malet për të sjellë më afër dy pjesët e një kombi, nuk kanë asgjë të përbashkët me fjalët tinzare që Rama lëshoi në Kosovë për të hedhur hi syve 2 milionë shqiptarëve të matanë kufirit të Morinës. Edhe gjoja përpjekja e tij për të emëruar një Ministër të Jashtëm me origjinë nga Kosova është e pasinqertë, e pabesueshme, e qëllimtë vetëm për të larguar vëmendjen nga skandalet e tij të mëdha në vend.

Rama kurrë nuk e ka dashur Kosovën dhe nuk mund ta dojë atë me pahir kundër trashëgimisë së tij politike dhe shoqërore sado që lëpirësit e pështymave të betohen për të kundërtën. Kosova ecën në rrugën e kombit, e shkel atë çdo ditë dhe falenderon e uron çdo ditë projektuesin e vërtetë dhe të vetëm deri më tani të bashkimit real kombëtar. Kosova e di kush është tradhtari i vërtetë i interesave të saj…

Please follow and like us: