Albspirit

Media/News/Publishing

Arilena Ara, të fshehtat e këngëtares së njohur

 

Suksesi që ajo e dëshironte dhe punoi aq shumë që ta arrinte, erdhi, por nuk është e lehtë të mbash mbi krye peshën e një ylli. Tani, jeta e Arilenës lëkundet mes dy skajeve: hapjes së vetes përballë turmave që e ndjekin nëpër koncerte në shumë vende të botës dhe strukjes në vetmi, në shtëpinë e saj në Tiranë. E po, ky është çmimi që duhet të paguajë një yll për famën, çmim që, për hir të së vërtetës, Arilena Arës nuk i rëndon dhe aq shumë. “Unë vdes për t’u argëtuar, për aventura të papritura dhe të çmendura. Jam hiperaktive. Nuk më pëlqen të fle shumë, dua gjallëri! Në të njëjtën kohë, më pëlqen të shijoj privatësinë time, të kaloj një mbrëmje të qetë duke parë filma vetëm, duke shijuar muzikë të mirë me një gotë verë”, – rrëfen këngëtarja e hitit “Nëntori”.

Arilena nuk del të argëtohet me miq, si shumë të rinj të moshës së saj. Nuk e ka bërë kurrë këtë, as në adoleshencë. Madje, Arilena Ara nuk ka as shumë miq. Është deri diku natyrë jo sociale, por ata pak miq që mban, i ka shumë të afërt. Është krejtësisht e pavarur dhe prej dy vitesh jeton vetëm. Thotë që e menaxhon shumë mirë pavarësinë dhe vetminë e saj. Ka një pikë të dobët në stilin e jetës së saj: gatimin. Jo sepse është e apasionuar, por sepse do që ushqimin e saj ta gatuajë vetë. Thotë se nuk abuzon me brumërat dhe yndyrat, por ka një dobësi të madhe: djathin. “Kur them që vdes për djathë, nuk e kam fjalën që mund të ha një kilogram në ditë, por nëse ma lë përpara, mund të ha një kilogram në orë,” – dëshmon ajo. Sigurisht që nuk e bën, sepse kujdeset për ushqyerjen dhe ka një kontroll shumë të mirë mbi të. Nga ana tjetër, ka një regjim shumë të fortë stërvitjeje. Prej një viti e gjysmë shkon çdo ditë në palestër dhe ushtrohet për dy orë. Thotë që palestra është gjëja e dytë që e motivon. Se cila është e para, e tregon më pas.

“Vdes për koncerte. Mund të jenë të lodhshme, por e dua atë lloj lodhjeje. Që kur isha14 vjeçe doja të bëja koncerte.” Por koncertet erdhën kur Arilena arriti pjekurinë artistike, menjëherë pas suksesit të këngës “Nëntori”, para dy viteve. Prej asaj kohe, sukseset për të nuk ndalin. “Janari dhe jo vetëm, do të më gjejë në udhëtime pune. Ato janë bërë mënyrë jetese për mua, – tregon Arilena. – Madje unë them që jeta nuk bëhet kurrë e mërzitshme në aeroport. Në to ka gjithmonë shumë njerëz dhe je i rrethuar me energji të mirë. Ngaqë jam natyrë energjike dhe e kam kuptuar këtë pjesën që jeta ime duhet të jetë e kontrolluar, përfitoj nga rasti ndonjëherë kur dalim fshehurazi me ekipin nëpër turne.

Edhe po të mos dalim, ne e krijojmë festën brenda një dhome hoteli derisa marrim dhe ankesa për zhurmat që bëjmë, – tregon me shaka dhe qesh, ndërkohë që vazhdon të tregojë zellshëm, gjithë këmbë e duar, aventura të ndryshme ecejakesh gjatë udhëtimeve të shumta nëpër koncerte. – Gjatë periudhës së Kampionatit Botëror kishim katër koncerte njëri pas tjetrit në Bjellorusi, në Moskë dhe dy qytete të tjera të Rusisë. Itinerari i fluturimeve ishte tmerrësisht i ngjeshur. Për shembull, mbërrinim në orën 18:00 në vend, koncerti ishte në orën 20:00. Pa patur mundësi të bëja prova, pa u çlodhur, pa gjumë në sy, pa ngrënë, bëja vetëm një dush, pesë minuta grim dhe ngjitesha në skenë. Ia dolëm mrekullisht. Edhe pse Arilena është ylli i skuadrës, nuk ndodh të përkëdhelet gjithmonë kaq shumë prej saj.

“Një pjesë e stafit më kritikon dhe më tërheq vëmendjen,” – thotë ajo dhe qesh. Ndërkohë, tregon se para koncerteve është në panic dhe duan s’duan, do ta përkëdhelin. “Ndonjëherë përfitoj nga momenti dhe kërkoj përkëdhelje, të më marrin me të mira. Para koncertit, askush s’më thotë dot të vërtetën, por sa mbaron koncerti më lëshohen me kritika, më mbysin.” Ky rrugëtim përkëdheljesh dhe kritikash premton të jetë i gjatë. Në axhendën e këngëtares, janë fiksuar me dhjetëra koncerte dhe me siguri, janari i saj do të nisë me angazhimin e ri si trajnere e zbulimit të talenteve të reja dhe koncerteve të shumta. Ndaj, Arilena nuk ka nevojë të bëjë një rezolutë, sepse datat e zëna në kalendar, e kanë projektuar deri diku planin e saj për 2019-n. “Ndiej që viti 2019 do të jetë favorit. Tërhiqem shumë nga numrat tek, sepse kanë rezultuar gjithmonë me fat për mua. Ndërkohë, unë nuk do të ndryshoj shumë, thjesht do të kem më shumë energji dhe dashuri në skenë, apo edhe çdo projekt që do të prezantoj”./living.al/

GAZETARE: ELONA JAÇELLARI

FOTOGRAFIA: ERGYS ZHABJAKU

STILISTE: REZARTA SKIFTERI

MAKE-UP ARTIST: BEAUTY ROOM

Please follow and like us: