Franca takson Google, Facebook dhe Amazon
Vendimin e Francës për të tatuar bizneset e mëdha dixhitale, pa pritur një konsensus evropian mbi këtë çështje, ka paralajmëruar në një intervistë për gazetën e së dielës (JDD), ministri i Financave Bruno Lemer. Katër muaj para zgjedhjeve europiane, Franca është e vendosur të vijojë e vetme, luftën kundër «G.A.F.A» (Google, Apple, Facebook, Amazon dhe të tjerët), që ofrojnë shërbime digjitale në Francë. Projektligji i “veçantë” do t’iparaqitet brenda pak ditësh qeverisë kabinetit në mënyrë që të votohet në parlament në muajin shkurt. Projekt-ligji do të taksojë kompanitë me një qarkullim prej 750 milionë euro në mbarë botën dhe 25 milion euro brenda Francës. “Nëse këto dy kritere nuk plotësohen, ato nuk do të taksohen”- thotë ministri. Tatimet do të zbatohet në mënyrë retroaktive nga data 1 janar 2019, dhe shkalla tatimore do të varet nga vëllimi i të ardhurave në një maksimum prej 5%. Sipas Lemer, nga kjo taksë, Franca mund të kishte arkëtuar rreth 500 milionë euro për vitin 2018. Ai shpjegoi se Franca mbështet përpjekjet e komisionerit Pierre Moskovisi për të arritur një konsensus evropian për këtë çështje deri në fund të marsit. Vështirësia e arritjes së një konsensusi evropian vjen për shkak të kundërshtimeve të disa vendeve si Irlanda, Danimarka dhe Suedia, të cilat nuk bien dakord për një taksë prej 3%. Përveç kësaj, është edhe hezitimi i Gjermanisë që i trembet një hakmarrje amerikane kundër industrisë së makinave të saj. Taksimi i gjigandëve digjitalë të ekonomisë botërore do të sigurojë të ardhura edhe për të financuar masat sociale në favor të “jelekit të verdhë”, të shpallura nga qeveria në mes të dhjetorit.