Albspirit

Media/News/Publishing

Avokati Përparim Ibrahimaj: E vërteta mbi divorcin e Edi Ramës me Matilda Makoçin në 1991

Anila DODAJ

Historia e divorcit të Edi Ramës në vitin 1991 me ish aktoren Matilda Makoçi, duket se nuk ka asnjë lidhje me atë që është shkruar apo deklaruar nga politika, deri më tani. Për herë të parë pas 28 vitesh nga ky divorc, ish avokati i Edi Ramës, Përparim Ibrahimaj pranon të flasë ekskluzivisht në një intervistë të gjatë për gazetën “SOT”, mbi këtë proces të shumëpërfolur e shumëdebatuar. Ibrahimaj, i cili nuk e ushtron më profesionin e avokatit që prej viteve ’92-’93, rrëfen të vërtetën e këtij procesi gjyqësor, të shpërfaqur mediatikisht deri më tani, plot me akuza të rënda, kryesisht nga Rama ndaj Makoçit. Siç shprehet ai, ka heshtur deri më sot me mendimin se versione të tilla mediatike do të shuheshin dhe se nuk do të kishin një përsëritje të tillë vit pas viti. Ndërkohë, debati më i fundit parlamentar mes Ramës dhe Berishës në sallën e Parlamentit, duket se e ka “detyruar” ish avokatin Ibrahimaj, tashmë biznesmen, t’i thotë “stop” një farse të tillë, siç e quan ai. Ibrahimaj rrëfen se Ramën nuk e ka njohur para se të angazhohej si avokat në çështjen e divorcit të tij me ish bashkëshorten Makoçi. Por edhe gjatë këtij procesi, ai rrëfen se e ka takuar mjaft rrallë, vetëm 2 herë me sa kujton ai. Rama është akuzuar mediatikisht në vitin 2003 se ka deklaruar në sallën e gjyqit, se donte të ndahej nga Makoçi dhe se nuk do të paguante detyrim monetar për fëmijën e tyre asokohe 1 vjeç, pasi ky i fundit nuk ishte djali i tij, por i të atit, pra Kristaqit. Një e përditshme shkruante asokohe se si për të vërtetuar akuzat e tij ndaj ish bashkëshortes, kishte shtuar në sallë se ai nuk mund të bënte fëmijë, për arsye mjekësore. Më tej, sipas saj, megjithëse Rama nuk kishte paraqitur në gjykatë asnjë raport mjekësor që të vërtetonte një pretendim të tillë, gjykata e kishte marrë si të mirëqenë këtë fakt të deklaruar prej tij, në gjyq. I pyetur rreth këtyre akuzave, Përparim Ibrahimaj konfirmon gjatë intervistës se ato nuk mund të quhen gjë tjetër veçse shpifje të ulëta, të fabrikuara për qëllime politike. Ibrahimaj pohon se akuza të tilla i rrëzon me bindje të plotë, duke bërë me dije se Edi Rama nuk ka qenë prezent në asnjë seancë gjyqësore që është zhvilluar në vitin 1991 për zgjidhjen e martesës me aktoren Matilda Makoçi. Ish avokati i Ramës sqaron se Rama dhe Makoçi kanë kryer një proces gjyqësor ndarjeje krejt normal, dhe në mirëkuptim të plotë mes njëri tjetrit. Avokati kujton se familja e Ramës mund të jetë përmendur shkarazi në gjyq, megjithatë, sipas tij Matilda fliste me respekt ndaj tyre. I pyetur nëse ka komunikuar më me Ramën që prej asaj kohe, ish avokati Ibrahimaj shprehet se nga dita kur Ramës i ka komunikuar vendimin e gjykatës, as e ka parë dhe as e ka takuar më. Intervistën e realizuar me “SOT”, 28 vite pas divorcit Rama-Makoçi, Ibrahimaj e cilëson si një detyrim moral dhe profesional, me qëllim njohjen e opinionit publik me të vërtetën e këtij procesi, të zhvilluar në kushte normale, si çdo çift që kërkon ndarjen në gjykatë. I pyetur nëse dëshminë e tij për “SOT” do ta rrëfente dhe në një proces gjyqësor të mundshëm, Ibrahimaj pranon se do e bënte një gjë të tillë, në çdo sallë gjyqi.

– Shqiptarët u njohën publikisht me historinë (mbetet për t’u verifikuar vërtetësia) e divorcit mes kryeministrit aktual Edi Rama dhe ish aktores Matilda Makoçi për herë të parë në vitin 2003, në një artikull të botuar në një media të shkruar, e cila pretendonte se dispononte dosjen e procesit gjyqësor të ndarjes. Në atë shkrim thuhej se Rama, në gjyqin e divorcit me ish bashkëshorten Makoçi në vitin 1991, e kishte kundërshtuar atësinë e fëmijës, duke pretenduar se nuk lindte fëmijë për arsye mjekësore, ndërsa kishte thënë në gjyq se gruaja e tij duhet ta kishte fëmijën me vjehrrin e saj (babain e tij), Kristaqin. Rama e ka mohuar vazhdimisht në mënyrë kategorike këtë version, por kundërshtarët e tij politikë nuk heqin dorë nga çfarë kanë lexuar, sepse vetë nuk pretendojnë të disponojnë dosjen origjinale të gjykatës. Si ish përfaqësuesi ligjor i zotit Rama në atë proces gjyqësor, a mund të na thoni si qëndron e vërteta?

Me Edi Ramën unë nuk njihesha personalisht. E kisha të njohur si basketbollist, meqenëse edhe unë kisha luajtur një dekadë më parë basketboll. E njihja si djalë Tirane, por nuk kisha një njohje direkte me të. Nuk e di as sot e kësaj dite se kush ndërmjetësoi tek Edi, që ai më kërkoi mua si avokat. Ndoshta ndonjë njohje e përbashkët. U takuam për herë të parë te Hotel Tirana disa muaj para divorcit. Pimë një kafe dhe aty më bëri kërkesën që unë të angazhohesha si avokat i tij në procesin e zgjidhjes së martesës. Qëndruam gjatë, ku dhe më shpjegoi arsyen e takimit. Donte të zgjidhte martesën me gruan e tij Matilda Makoçin.

– Mediat shpesh njësojnë mbrojtësin ligjor me të paditurin. Pra, deklaratat e mbrojtësit i cilësojnë si të ishin cituar nga vetë i padituri. A mundtë ketë ndodhur kështu dhe në rastin tuaj, pra që deklarata të tilla për një raport të mundshëm mes Matildës dhe të atit të Edit, (Kristaqit) t’i keni parashtruar ju para gjykatës, në emër të Edit?

Në mënyrë absolute jo. Pretendimi ynë i vetëm ishte, të realizohej ndarja e martesës. Kjo ishte kërkesa e vetme e Edi Ramës, pa asnjë akuzë ndaj ish bashkëshortes Matilda. Gjykata formalizoi një kërkesë krejt normale dhe në dukje gati-gati konsensuale mes çiftit Rama-Makoçi.

– Pra, ju e mohoni në mënyrë kategorike të jenë bërë në atë gjyq deklarata të tilla akuzuese për atësinë e fëmijës, probleme mjekësore, mosbërje fëmije etj?

Në mënyrë kategorike, në këtë gjyq me këtë objekt nuk ka pasur asgjë tjetër përveç sa shpjegova më lart.

– A ju dha Rama një arsye, pse kërkonte të divorcohej nga bashkëshortja Makoçi? Çfarë nuk shkonte me ta, çfarë problemesh kishin ata si çift?

Më tha me pak fjalë që nuk mund të vazhdonin më bashkë si çift. Edi më kërkoi me insistim, që nëse ishte e mundur të mos ishte pjesëmarrës në gjyq. Këtë ma kërkoi me ngulm dhe unë e zgjidha. Si e zgjidha? Në atë kohë sapo ishin krijuar Ministria e Drejtësisë dhe kolegjet e avokatisë. Si rregull, në një proces gjyqësor palët duhet të ishin prezente. Duke qenë se Edi ngulmonte të mos ishte prezent dhe se do të udhëtonte jashtë shtetit (në Gjermani), unë i kërkova gjykatës që gjyqi të zhvillohej në prezencën time dhe në mungesë të klientit, kërkesë e cila dhe u mor në konsideratë. E nënvizoj këtë fakt, që Edi nuk ka qenë në asnjë seancë gjyqësore gjatë procesit të ndarjes nga bashkëshortja Matilda Makoçi.

– Sa zgjati procesi gjyqësor i ndarjes mes çiftit Rama-Makoçi?

Duhet të kemi parasysh që gjyqet më të koklavitura atëherë zgjidheshin për 2-3 muaj. Ndërkohë, një proces divorci zgjidhej relativisht brenda një harku kohor 1 mujor, mesa mbaj mend. Seanca e parë është zhvilluar në gjykatën e vjetër te Rruga e Durrësit dhe gjyqtare e çështjes ishte Daniela Nesho. Nga palët në proces isha unë që përfaqësoja Edi Ramën dhe vetë Matilda Makoçi. Matilda ka qenë në të gjitha seancat. Aty e kam njohur për herë të parë. E njihja si aktore, por jo nga afër.

– Çfarë përshtypjesh ju la Matilda në atë kohë?

Matilda më la përshtypje mjaft pozitive. Edhe pse isha në një pozitë që mbroja klientin tim, opinioni im për të ishte shumë pozitiv. Gjatë gjithë seancave vihej re që ishte shumë e tronditur për situatën e divorcit që po kalonte. Mbi të gjitha kishte dhe një djalë. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ajo tregonte respekt ndaj çdo personi që mund të përmendej në gjyq. Gjatë gjithë seancave gjyqësore që janë zhvilluar në gjykatë për zgjidhjen e martesës, Matilda në asnjë rast dhe në asnjë çast nuk e ka përmendur familjen e Edi Ramës. Në mënyrë absolute. Me sa kujtoj, edhe nëse është përmendur shkarazi familja e tij, ajo fliste me respekt për ta. Ndante një opinion pozitiv. Kuptoje që raportet mes dy familjeve, të Matildës dhe Ramës, duhet të ishin të mira.

– Ju kujtohet, kush e inicioi procesin e divorcit, Rama apo Makoçi?

Unë nuk e kujtoj me ekzaktësi se cila palë e inicioi procesin, por di me saktësi se Edi nuk e donte më atë martesë. Gjyqi u zhvillua në zyrën e gjyqtares, Danielës. Nuk kishte salla atëherë. Palët nuk kishin as ndarjen formale, siç duhet pasur në një proces gjyqësor. Seanca e parë ishte seanca e pajtimit, e cila nënkupton përpjekjet e gjykatës, që kur është e mundur të mund ta ndalë një divorc. Nga ana ime u insistua që nuk kishte vend për mirëkuptim. Ndërsa për Matildën, kujtoj mirë se si shkak për ndarjen, la të nënkuptohej se nuk mund të ishte konsumimi i martesës, por një lidhje tjetër e mundshme e Edit.

– Sa seanca u zhvilluan më pas?

Me sa kujtoj, u zhvilluan dhe 2 ose 3 seanca të tjera dhe gjykata përfundimisht vendosi zgjidhjen e martesës mes Edit dhe Matildës. Edi sigurisht që nuk ka qenë pjesëmarrës në asnjë seancë. Ndërsa Matilda në të gjitha, e vetme.

– Familjarë të Matildës apo të Edit vinin ndonjëherë në gjyq?

Të Edit, jo. Ndërsa të Matildës vinin, por nuk hynin në zyrë sepse natyrisht nuk lejohej. Nuk i njihja kush mund të ishin, por dukej që ishin të afërm të saj.

– Gjatë procesit gjyqësor, Matilda ju la përshtypje se mund të kishte shqetësime të karakterit emocional, mendor?

Absolutisht jo! Thjeshtë dukej që kishte tronditje të një gruaje të re që po divorcohej. Por vetëm kaq.

Kujtoni ju ndonjë përplasje mes jush dhe Matildës, duke qenë se ajo nuk kishte avokat?

Kujtoj që unë isha në fillimet e karrierës sime dhe e kisha marrë këtë çështje me shumë seriozitet, deri në pasion. Ndërsa ajo e tronditur, në një moment debati mes nesh, mu drejtua: Nuk po ndahem me ty, po ndahem me Edi Ramën! Kjo ka qenë dhe përplasja evetme, nëse mund të quhet e tillë, mes meje dhe Matildës.

– Pas gjyqit, e takuat më Edi Ramën?

Po. Jemi takuar tek Hotel Dajti, ku e njoha me vendimin e gjykatës për zgjidhjen e martesës.

– Si e priti vendimin e gjykatës?

Ishte i kënaqur me zgjidhjen e martesës. Më falënderoi. Pimë një kafe të shkurtër dhe u ndamë për të mos u takuar asnjëherë më, që prej asaj dite.

– Gjykata çfarë vendosi?

U vendos zgjidhja e martesës, nga e cila Matilda përfitoi nga sa kishte kërkuar në objekt padi; mbajtjen e fëmijës në kujdestari, detyrimin ushqimor për të etj.

– Nga sa shpjegoni ju, procesi gjyqësor ka pasur një rrjedhshmëri krejt tjetër nga versioni që ne kemi dëgjuar e lexuar vitet e fundit, mbushur me akuza nga më të rëndat. Ju vetë, si person prezent në këtë gjyq, si jeni ndjerë teksa keni dëgjuar dhe lexuar ligjërata të tilla, sipas jush inekzistente?

Në vitin 1992 jam larguar nga Shqipëria dhe kam qenë në Itali deri në vitin 1993, periudhë në të cilën lashë profesionin e avokatit dhe u mora me biznes. Jam shtangur, kur kam dëgjuar opinione të turpshme dhe të frikshme lidhur me çështjen e divorcit të Matilda Makoçit dhe Edi Ramës. Duke mos dashur të bëhesha pjesë e luftës politike të paskrupullt, mendova që kjo histori e stisur do mbyllej vetiu. Kur kjo u rihap përsëri para pak ditësh, atëherë e ndjeva detyrë profesionale si ish avokati i Edi Ramës, por dhe njerëzore, për të thënë të vërtetën, të cilën jam i gatshëm ta deklaroj kudo apo dhe në çdo sallë gjyqi, që nuk ka lidhje absolutisht me shpifjet që janë thënë në këtë drejtim. Duke iu referuar vetëm gjyqit të vitit 1991, ku unë kam qenë në cilësinë e avokatit. Me Matilda Makoçin dhe me Edi Ramën, që kur është mbyllur procesi gjyqësor për zgjidhjen e martesës nuk kam komunikuar në asnjë rast. Ndërkohë që, intervistën e konsideroj si një detyrim moral për të mos njollosur familjen Rama dhe familjen Makoçi, dhe veçanërisht djalin e tyre Gregorin, që duhet të ketë përjetuar situata shumë të dhimbshme.

– Dëshmia juaj është mjaft e vlefshme për opinionin publik, në një kohë kur si media që publikoi lajmin në 2003, ashtu dhe eksponentë të politikës që i përsërisin akuza të tilla herë pas here duke u mbështetur pikërisht në atë lajm, nuk marrin përsipër se disponojnë dosjen origjinale të gjykatës. Por, nëse do të bëhej fjalë për vërtetësi ligjore, ju si mendoni se do të mund të shkohej tek e vërteta rreth këtij procesi?

Është e thjeshtë fare. Dosja duhet të gjendet në arkivë dhe mund ta kishte tërhequr kushdo. Në procesverbalet e seancave gjyqësore konfirmohet gjithçka që unë po them në këtë intervistë. Unë nuk e besoj ta kenë manipuluar atë dosje, edhe pse në këtë vend gjithçka ndodh. Ç’ka unë po them, nuk është thjeshtë opinion i avokatit. Por po ju them që gjithçka mund ta konfirmoni në dosjen e gjykatës. Gjithçka unë u thashë, mund të ketë ndonjë pasaktësi të vogël për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar nga ai proces. Por ju siguroj që nuk ka asnjë devijim nga e vërteta dhe thelbi rreth atij procesi.

– Keni ju ndonjë provë sado të vogël, qoftë dhe ndonjë shënim rreth këtij procesi?

Unë nuk mbaja shënime për shkak se ishte një proces i thjeshtë ndarjeje dhe nuk mendoja kurrë se do të merrte këto përmasa ndonjëherë. E konsideroja si çdo gjyq tjetër dhe s’e kisha menduar se një ditë do të mund të transformohej në mënyrë të tillë, kaq banale, deri të neveritshme.

– Nëse Rama do të hapte një proces gjyqësor rreth këtyre akuzave të ngritura ndaj tij, ju do të dëshmonit?

Që ç’ke me të! Unë jam i gatshëm të dëshmoj në çdo sallë gjyqi ato që ju thashë. Edi Rama ka të drejtën të padisi cilindo. Ndërsa unë do të dëshmoj të vërtetën time. Asnjë shpifje monstruoze që kam dëgjuar mbi këtë proces ndarjeje, nuk është e vërtetë.

 

Please follow and like us: