Albspirit

Media/News/Publishing

Tenori Agim Hushi, letër publike për Pandeli Majkon

 

 

Meqë ju shkrova personalisht dhe s’morët mundimin të më përgjigjeshit po ju shkruaj publikisht që ta dinë dhe shqiptarët se ç’qeveri kanë dhe përse diaspora s’duhet t’i bjerë dajreve të Rilindjes! Po ju shkruaj me zhgënjim nga Sydney, por i lumtur në thelb që s’më ftuat dhe s’u bëra pjesë e teatrit tuaj. Natyrisht, jo vetëm që s’do t’iu vija t’u shihja në sy, por do t’iua kisha qëndisur dhe një kartolinë të rastit siç e meritoni!

Më 2005 bëra më të mirën për PS dhe kontribuova si qytetar i lirë ku shpalosa një kulturë politike që edhe sot pas 14 vitesh vështirë ta dëgjosh në të dy kampet! Më 2013 me bindje të plotë, me zë dhe figurë përkraha Rilindjen i bindur se regjimi i kohës duhej larguar një orë e më parë bashkë me fitoret e garave të tij tragjike të notit kur kishte humbur të gjitha garat me qeverisjen! Jam larguar me familjen më 1992 për studime dhe e kisha ëndërr si të gjithë të larguarit të kthehesha në atdheun që më mungonte aq shumë! Të martoja djalin me një shqiptare, të bëhesha gjysh, të pija kafen e mëngjesit me komshijtë dhe miqtë e mi të mrekullueshëm dhe krushkun tim të shkëlqyer Gacin! Lash Vjenën ku drejtova për 12 vite departamentin e Operas në Viena, Konservatorium për Tiranën me bindjen se eksperienca ime nëpër botë, si artist dhe akademik do konsideroheshin siç dhe katër gjuhët e huaja dhe personaliteti im i sprovuar artistik do vlenin në atdhe! Por Rilindja m’i mbylli të gjitha dyert ndryshe nga ç’kisha besuar dhe ç’na ishte premtuar! Mirela Kumbaro as nuk denjoi ta lexonte projektin tim për TKOB dhe pas një farse “konkurs” që më zhgënjeu me imoralitetin dhe joprofesionalizmin u riciklua një person pa asnjë lidhje me operan dhe edukimin klasik, një ish e larguar me ceremoni për abuzim detyre dhe çështje fondesh! U largova i detyruar përsëri nga atdheu me dhimbje. Ma shkulën me forcë dëshirën për të kontribuar dhe jetuar në atdheun tim që kisha 20 vjet që e kisha lënë jo nga dëshira por për studimet dhe karrierën! Shtoj këtu se me vete solla dhe djalin tim, i rritur dhe edukuar me dashurinë për atdheun, i cili ka kryer studimet në Universitetin ‘Schiller’ të Parisit dhe i specializuar në Sorbonë për Marrëdhënie Ndërkombëtare! Por për djalin tim ishte naive ta mendoja se do t’i afrohej ndonjë mundësi! Isha larguar me familjen më 1992 për studime dhe dëshiroja të kthehesha në atdhe, por bashkë me dhimbjen e ikjes nuk do harroj kurrë baltosjen që “patriotët” e Rilindjes, fjalëve të mia që këta politikanë më bëjnë të më vijë turp që flasin gjuhën time i kthyen në: “më vjen turp që jam shqiptar”. Natyrisht këta “patriotë” dhe gazetarë rilindas që rivranë ëndrrën time të kthimit në atdhe dhe udhëhoqën kaq paturpësisht fushatën e baltosjes sime me shpifje do t’i shihni në sallën e gjygjit ditën e parë që do të jem në Shqipëri! Por gjyqin Rilindjes mund t’ia bëjnë vetëm njerëz të moralshëm të PS dhe qytetarë të ndershëm që e njohin mirë Rilindjen dhe timonierin e saj! Si Ministër i Diasporës më la shije të hidhur heshtja juaj kur vizituat Sydneyn dhe ikët siç erdhët: si hije, pa asnjë vlerë për diasporën. Ose diaspora për ju janë vetëm ata që duartrokasin dështimin tuaj spektakular dhe sukseset e teatrit tuaj qeverisës! Por sikur s’u mjaftuat me çfarë më keni borxh tani që keni mbledhur diasporën keni vendosur edhe të më çbëni! Sa qesharake dhe mjerane! Unë jam jo vetëm diasporë, por jam i bindur se jam në pjesën më dinjitoze të saj! Jo vetëm si artisti i parë shqiptar që u kontraktova si solist në një opera të huaj më 1993, por nga viti 2002 deri në 2005 kam qenë kryetar i komunitetit shqiptar në South Australia ku janë përqëndruar emigracioni shqiptar pas Melbournit. Kam ngritur radion dhe shkollën shqipe në Adelaide dhe sot jam pedagog në një nga shkollat më të mira ndërkombëtare e artit në Australi! Ju bëj thirrje për mos t’u tallur me diasporën dhe dashurinë, dhimbjen e saj për atdheun! Turp për qeverinë tuaj që krijoni përçarje mes nesh! Nëse s’më ftoni është turpi juaj se kjo nuk është dasma e djalit të Edi Ramës, por mbledhja e diasporës! Turp! Turp! Turp! Që ndani shqiptarët në tanët dhe jo tanët! Këtë as Enver Hoxha nuk e ka bërë kaq paturpësisht! S’më harrohet dita kur solla plaçkat e shtëpisë nga Vjena dhe Arben Ahmetaj, më taksoi rrobat e trupit. Ka qenë kthimi im më i keq në jetë! Kam ndërruar shumë shtete dhe kufij, po rrobat e trupit askund, askush nuk mi kishte taksuar veç shtetit tuaj! Kam kaq shumë për të thënë, por po e mbyll me lutjen: mos luani me ne dhe ndjenjat tona të shenjta, se atdheu nuk është i juaji dhe as i pushtetit tuaj me policë dhe gaz lotsjellës, që po merr përgjigjen e popullit çdo ditë e më shumë!

Please follow and like us: