Sadik Bejko: Për mbesën time Antoneta Sevdari dhe jo vetëm
Në këtë foto jam me mbesën time, Antonetën. Unë jam shumë krenar për Antonetën, për prokuroren e shtetit, Antoneta Sevdari.
Por këto ditë asaj i ndodhi diçka fort e papëlqyeshme.
I ati, im vëlla, kishte ardhur në Tiranë për t’iu gjendur pranë të bijës. Im vëlla, Mania, prej më shumë se 40 vjetësh ka një pakt me tokën, me bimët. Prodhon perime dhe i tregton ato. Është jo fort mirë ekonomikisht, por e shtyn, këtë punë di të bëjë, jeton me këtë profesion.
Sot, këtu në Tiranë, atij i merreshin këmbët, nuk ndjehej mirë. Shkaktare për këtë katavalje të Manes ishte e bija, Antoneta. Para dy muajsh ajo u zgjodh në KLP, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, me votën dërmuese nga bashkësia e gjithë trupës së prokurorëve të Shqipërisë. Kolegët e saj në rang kombëtar e quajtën të denjë të jetë në organin më të lartë që emëron prokurorët…por pa kaluar dy muaj, Kolegji i Posaçëm i Apelit, një organ prej pesë vetësh, e shkarkoi Antoneta Sevdarin nga të gjitha detyrat. Vajza e Manes, e vëllait tim, e atij që sot i vinte bota rrotull, është pa punë, pa profeison, e turpëruar, pa nder. Im vëlla me të drejtë këtë që i ndodhi së bijës nuk e kupton. Të ka zgjedhur populli, por të ka shkarkuar Partia.
Pse i ndodhi kjo rrokullisje me kokë poshtë së bijës?
Ata të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit thonë se ajo nuk i justifikon me letra të ardhurat që i shoqi i saj ka fituar kur ka punuar 25 vjet më parë si emigrant në Greqi, nuk justifikon as paratë që ka fitur si inxhinier topograf në projektim autostradash në Arabinë Saudite. Ka paguar taksa në këto vende, ka fatura tatimore etj, gjëra që unë nuk i marr vesh.
Një gjë është e qartë, që këta të Kolegjit nuk janë të sigurtë, nuk vërtetojnë plotësisht që ka shkelje. Ata mjaftohen me dyshimin se mund të ketë shkelje…
Para dy muajsh kur Antoneta u bë anëtare e KLP njerëzit thanë se e bija e bujkut që prodhon perime është përkrahur nga Ndërkombëtarët. Se në Shqipëri nuk kuptohet që të ngrihesh në karrierë me meritë, pa një mbështetje…
Tani që Antonetën e rrëzuan nga të gjitha, e nxorën jashtë sistemit të Prokurorisë, thonë që atë e rrëzuan po Ndërkombëtarët. Vetingun e bëjnë shqiptarët, por gjasme fjalën e fundit e thënkan Ndërkombëtarët.
Një gënjeshtër shumë e madhe.
Në Shqipëri po përgatitet të ndodhë ajo që drejtësia shqiptare, më së fundi, duhet të fusë në burg “peshkun e madh”. Por “peshkun e madh” duhet ta kapin (me duart e prokurorisë sonë) jo ne, por Ndërkombëtarët.
Antoneta Sevdari me dy fakultete, ekonomi kontabël dhe juridik, me shkollën e lartë të magjistraturës, pedagoge e së drejtës tatimore… pas kaq vitesh në procese gjyqësore shumë delikate, procese me shumë nga ata që në Shqipëri janë proceduar në krimin ekonomik, bankierë të lartë, bashkiakë, biznesmenë të vendit dhe të huaj, politikanë… duhet të paguajë koston. Ajo duke qenë mbrojtëse e ligjit në favor të shtetit, është një specie e rrallë në këtë mjedis që vetëm duhet ta vjedhësh e ta rrjepësh shtetin. Si e tillë ajo duhet flakur me shkelma nga sistemi.
Shqipëria provon kështu se është veçanërisht e ashpër me atë që e duan më shumë.
“Vaj vatani, mjerë mileti”, shkruante për këtë shkelm që të jep Shqipëria kur ti tregon devotshmëri të fortë në mbrojtje të shtetit tënd.
Për të provuar këto që them më lart, ju ftoj të lexoni këto dy shkrime që pasojnë. Unë nuk i njoh personat në fjalë. Unë kam në inbox shumë mesazhe inkujarimi nga ata që janë të profesionit të Antonetës. Por ato janë personale dhe nuk mund t’i bëj publike. Shkrimet më poshtë janë on line dhe janë shkruar nga persona që e kanë profesion gazetarinë dhe e ushtrojnë pa vënë gjoba, jo si shumë nga investigativët që janë në këto mjediset tona.
I falënderoj këta gazetarë që shkruajnë mirë për mbesën time. Ajo duhet të jetë me kokën lart për sa ka bërë. Dhe bashkësia e trupës së gjyqësorit shqiptar duhet të bindet që mbështetja te politika është thikë me dy presa. Vret profesionalizmin tuaj, ju vret ju si karaktere.
Antoneta mbrojti karakteerin dhe profesionalizmin. Paçka se sot është jashtë sistemit. Secili zgjedh çfaë të ndjek. Jemi në demokraci…sado në batak të jetë sot për sot politika, në batakun e atyre që na drejtojnë.
Kolegji cënoi besimin te drejtësia me shkarkimin e Antoneta Sevdarit