Sjellja e Beogradit, Brukseli që nuk pipëtin, ç’duhet të bëjë Tirana
Shaban Murati
Nuk është aspak e qartë se çfarë ia ka mbyllur gojën Bashkimit Europian, që nuk reagon ndaj kundërvënieve, që Serbia po u bën vazhdimisht qendrimeve dhe politikës së jashtme të BE. Rasti më i freskët është ai në lidhje me Venezuelën, ku Serbia në mënyrë sfiduese po mbështet regjimin diktatorial të Maduros, në një kohë që rreth 70 shtete të Amerikës Latine, të Europës Perëndimore dhe të Amerikës së Veriut u rreshtuan me presidentin e përkohshëm legjitim, Juan Guaido. Franca, Gjermania, Spanja, Britania e Madhe, Austria, Suedia, Polonia, dhe shumë shtete të BE, në nivelet më të larta zyrtare shpallën njohjen e presidentit të përkohshëm.
Serbia u rreshtua me Rusinë dhe doli me qendrime në anën e kundërt të barrikadës të shteteve kryesore të BE. Sikurse deklaroi në 12 shkurt lideri i “Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës”, Nenad Çanak, : “Venezuela është një tjetër rast, në të cilin Serbia mbështet qendrimin e Rusisë, më shumë se sa atë të BE”. Portali serb “europeanwesternbalkans.com” theksonte në 28 shkurt se “Qëllimet e politikës së jashtme të Serbisë janë në kontrast me ato të BE”.
Kaq flagrant është qendrimi i Serbisë kundër rrymës ndërkombëtare të shteteve demokratike, sa që ambasadori i SHBA në Beograd, Kyle Scott, u detyrua që të deklarojë para disa ditësh se në rastin e Venezuelës “Serbia është në anën e gabuar të historisë”.
Për ta bërë sa më provokuese sjelljen e saj kundër BE-së dhe kundër SHBA, Serbia ftoi për një vizitë zyrtare në Beograd zëvëndësministrin e jashtëm të Maduros, i cili qendroi në Serbi nga 19 në 21 shkurt dhe zhvilloi bisedime me zëvëndëskryeministrin dhe ministër i jashtëm serb, Ivica Daçiç, dhe me ministrin e mbrojtjes të Serbisë, Aleksandër Vulin, takim i habitshëm ky i fundit, që provon se Serbia po shkon edhe më tej se sa mbështetja diplomatike për diktatorin venezuelan. Daçiç e lavdëroi regjimin e Maduros, pse nuk e kishte njohur Kosovën dhe që kishte votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe në Interpol.
Këto qendrime dhe veprime antieuropiane dhe antiamerikane të Serbisë nuk do të bënin përshtypje, nëse Serbia nuk do të ishte shtet kandidat i BE, i cili madje ka hapur edhe bisedimet e pranimit dhe po zhvillon tratativa me Brukselin për kapitujt e Traktatit të pranimit në BE. Një shtet kandidat i BE dhe që ka hapur bisedimet e anëtarësimit, jo vetëm nuk bashkohet me vijën e politikës së jashtme të BE, por po guxon ta sfidojë atë gjithnjë e me hapur.
Në një analizë të qendrës serbe të çeshtjeve ndërkombëtare dhe të sigurisë, ISAC, publikohen rezultatet e një studimi mbi përplasjet e politikës së jashtme të Serbisë me politikën e jashtme të BE dhe konkretizohet me disa të dhëna. Nëse në vitin 2015 Serbia ka qenë dakord me qendrimet dhe deklaratat e BE në fushën e politikës së jashtme në masën 73 përqind, në vitin 2016 kjo shifër ra në 66 përqind dhe në vitin 2017 në 46 përqind. Kjo kurbë në rënie shpreh tendencën dhe thelbin e politikës së jashtme të Serbisë për të mos u pajtuar me politikën e jashtme të BE, ndryshe nga çfarë rezulton në këtë studim për shtete si Shqipëria dhe Mali i Zi, dy shtete kandidate, të cilët e kanë 100 përqind masën e përputhjes me qendrimet dhe deklaratat e BE në fushën e politikës së jashtme.
Studimi evidenton se Serbia nuk ka qenë dakord dhe ka kundërshtuar deklaratat dhe rezolutat e BE për Rusinë, për Ukrainën, për luftën në Siri, për krizën në Venezuelë, për Bosnjë-Hercegovinën, për Mianmarin, për Transdniestrin, për Moldavinë, për Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve, etj. Janë 12 raste të kundërshtimit të Serbisë për deklaratat e BE kundër Rusisë. Gjeografia e mospërputhjes së qendrimeve të politikës së jashtme të Serbisë me ato të BE flet si për gjërësinë, ashtu dhe për thellësinë strategjike të kësaj mospërputhje.
Pozicionimi i Serbisë në anën e gabuar të historisë kontraston me heshtjen e madhe, që BE po mban ndaj këtyre qendrimeve të Beogradit. Zëdhënësit e zhurmshëm të BE kanë mbyllur gojën dhe asnjë kritikë nuk ka ardhur nga Brukseli për sjelljen absurde antieuropiane të mospërputhjes me politikën e jashtme të BE nga një shtet kandidat, i cili po bën dokumentat për anëtarësim.
Kuptohet se çeshtja nuk qendron vetëm tek rasti i Venezuelës dhe përkrahja e Serbisë për diktatorin Maduro. Çeshtja kryesore shqetësuese në nivel rajonal, europian dhe ndërkombëtar, është toleranca e papërligjur, që BE ka manifestuar rregullisht kundrejt shkeljeve strategjike, që Beogradi u bën interesave të BE në Ballkan dhe në rajonet e tjera të globit.
Ka një heshtje prej mumje të BE ndaj qendrimeve të shumta dhe prej një kohe të gjatë të Serbisë në favor të Rusisë. Serbia nuk i është bashkuar dhe ka kundërshtuar sanksionet e BE ndaj Rusisë, të cilat janë vendosur prej vitit 2014 e vazhdojnë edhe aktualisht, si dënim i agresionit rus në Ukrainë. Serbia nuk e ka dënuar asnjëherë agresionin rus në Ukrainë dhe nuk ka dënuar as aneksimin e dhunshëm të Krimesë nga Rusia dhe as nxitjen e konfliktit të armatosur në Ukrainën Lindore nga Rusia.
Madje presidenti i Serbisë në kohën e aneksimit të Krimesë, Tomislav Nikoliç, e përshëndeti presidentin rus Vladimir Putin për pushtimin e Krimesë. Serbia iu kundërvu BE-së edhe në rastin e vendimit të përbashkët europian në marsin e vitit të kaluar për dëbimin e diplomatëve rusë, në shenjë proteste ndaj ndërhyrjes kriminale të shërbimit sekret rus në Britaninë e Madhe, duke përdorur lëndë helmuese luftarake në rastin “Skripal”.
BE ka heshtur edhe kur Serbia u anëtarësua si shtet vëzhgues në asamblenë parlamentare të organizatës ushtarake ruse “CSTO”. Ka heshtur edhe për bisedimet, që Serbia po zhvillon me Moskën për t’u anëtarësuar në organizatën ekonomike të Rusisë të quajtur “Bashkimi Euraziatik”. BE ka heshtur për bazën ushtarake ruse të Nishit në Serbi dhe për bazën e re ajrore ruse në Vojvodinë. Ka heshtur për armatosjen e Serbisë me raketa dhe me armët më të sofistikuara ruse dhe për kërcënimin në rritje të një Serbie militariste ndaj vendeve të BE dhe të NATO-s në Ballkan. Ka heshtur për mercenarët serbë, që mbronin Gadafin në Libi dhe Asadin në Siri. Ka heshtur BE për pjesëmarrjen e shërbimeve sekrete serbe, krahas atyre ruse, në përpjekjet për grusht shteti në Mal të Zi në tetorin e vitit 2016 dhe gjithashtu edhe për implikimin direkt të shërbimit sekret serb në sulmin e dhunshëm në parlamentin e Maqedonisë së Veriut në prill të vitit 2017.
Është e pakonceptueshme që BE nuk ka reaguar ndaj fushatës bllokuese diplomatike të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe në Interpol, fushatë që është në shkelje flagrante të marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, e nënshkruar në Bruksel në 19 prill 2013 me garancinë e BE. BE ka heshtur ndaj fushatës së palejueshme ndërkombëtare të Serbisë për bllokimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës. Sidomos ka heshtur ndaj fushatës absurde nga pikëpamja e ligjit ndërkombëtar me presione serbe ndaj shteteve të vegjël për çnjohjen e shtetit të pavarur të Kosovës. Kundër kësa fushate kanë protestuar Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, por BE si organizatë nuk është ndjerë.
BE dhe zëdhënësit e saj të zhurmshëm i kanë hapur vetes punë me dhjetra deklarata kundër taksës, që vendosi qeveria e Kosovës për mallrat serbe. Është një reagim disproporcional, të cilin kur e krahason me gjithë rastet e panumurta të heshtjeve ndaj sfidave serbe ndaj BE, nuk mund të mos shtyjë të vesh në dyshim standartet e dyfishta, që ndjek diplomacia e Brukselit në rajon.
Brukseli nuk e ka përmendur kurrë dhe as ka dënuar faktin që Serbia ka 20 vjet që bllokon dhe ndalon mallrat e Kosovës të hyjnë në Serbi. Një qendrim i drejtë dhe i paanshëm diplomatik do të kërkonte që BE të parashtronte edhe heqjen e taksës nga Prishtina, por edhe heqjen e bllokadës nga Beogradi. Atë, që nuk e bën Brukseli, e bëri ambasadori i Gjermanisë në OKB, Kristof Heusgen, i cili në forumin më të lartë diplomatik botëror, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB në 7 shkurt 2019, e balancoi kërkesën për heqjen e taksës nga Kosova me kërkesën e heqjes së bllokadës serbe për produktet kosovare, dhe e dënoi duke e quajtur si nje masë që është kundër vetë nismës serbe për zonë të tregtisë së lirë në Ballkan.
Në Këshillin e Sigurimit, ambasadori i Gjermanisë bëri atë, që nuk e ka bërë Brukseli, duke dënuar veprimet e Serbisë dhe të ministrit të saj të jashtëm, që udhëton në shtete të vegjël ekzotike për çnjohjen e Kosovës, akt të cilin ambasadori e cilësoi se Serbia po qëllon në këmbët e saj me këto veprime.
Aq afër kufijve të skandalozes është heshtja e BE ndaj veprimeve dhe qendrimeve antieuropiane të Serbisë, sa që në qarqet diplomatike europiane gjithnjë e më dëndur po qarkullon pyetja “kë përfaqëson Mogherini?”. Sepse shtetet kryesore të BE janë shprehur vazhdimisht dhe qartë kundër qendrimeve të Serbisë, të cilat nuk janë në përputhje me politikën e jashtme dhe me interesat strategjike të BE. Dhe ndërsa shteti më i rëndësishëm i BE, Gjermania, nëpërmjet ambasadorit të saj në Serbi, paralajmëroi këto ditë publikisht Beogradin se pa harmonizimin e politikës së jashtme me BE-në Serbia nuk mund të hapë kapitullin e politikës së jashtme në bisedimet e pranimit, Brukseli nuk pipëtin.
Për konsum diplomatik vazhdimisht përmendet në Bruksel se BE e ndjek këtë taktikë të heshtjes ndaj çdo veprimi të Serbisë jashtë linjës europiane me qëllimin e marrjes me të mirë të Beogradit, që ta pengojë atë të shkojë tek Rusia. Është një argument naiv, të cilin e ka përgënjeshtruar në çdo rast sjellja gjithnjë e më filoruse e Beogradit. Ka ekspertë, të cilët e interpretojne heshtjen e BE ndaj qendrimeve sfiduese të Serbisë edhe si një rezultat i ndikimit të Moskës në strukturat e brendshme të BE dhe të diplomacisë së BE, sepse heshtja europiane ndihmon rrugën e Serbisë drejt aleancës me Rusinë.
Përvoja shumëvjeçare tregon se BE nuk ka fituar gjë me kursin e saj politik të indulgjencave të pamerituara ndaj Serbisë. Ka ndodhur e kundërta dhe laku rus ka ardhur duke u shtërnguar rreth qafës së Serbisë. Aleanca me Rusinë e ka trimëruar Serbinë për sfidat e qendrimeve kundër BE dhe arroganca serbe shkon deri në atë pikë sa sillet sikur BE ka nevojë për Serbinë dhe jo Serbia për BE.
Në këtë klimë të papranueshme të sfidës së Serbisë ndaj politikës së jashtme dhe qendrimeve ndërkombëtare të BE do të duhej një aktivizim më i madh i diplomacisë së Shqipërisë si shtet kandidat i BE, por edhe i diplomacisë së Kosovës, për të ngritur zërin në Bruksel, në rajon e kudo, se nuk duhet heshtur ndaj së keqes, që vjen nga Beogradi. Rreshtimi i Serbisë në anën e gabuar të historisë dëmton gjithë rajonin. Të përkëdhelësh protagonistët e së keqes historike në Ballkan do të thotë të inkurajosh qendrimin në anën e gabuar të historisë.
Kujtesa diplomatike dhe historike e BE duhet të jetë ndaj Serbisë po aq e fuqishme sa ç’mbahet e gjallë ajo kujtesë për politikat, që shkaktuan holokaustin dhe kampet e perqëndrimit në luftën e dytë botërore. Kështu do të qetësohet dhe do të integrohet realisht Ballkani, duke qenë i tëri në anën e drejtë të historisë./gazeta dita/