Ylli Xhaferri: NJË URIM NDRYSHE PËR 7 MARSIN
Kisha vendosur t’i shmangesha traditës dhe rutinës së viteve, mos t’ua uroja 7 Marsin kolegëve të mi të shumtë anembanë Shqipërisë, por një postim i kolegut të nderuar, Kadim Rufati, nga i madhi Mavlana Xheladin Rumiu, (1207-1273) të një urtësie monumentale që i shkon për shtat kohës tonë, më zgjoi dëshirën për të stilizuar një thirrmë, pse jo një apel-poetik për të gjithë ato që kanë përgjegjësi për të edukuar, drejtuar dhe udhëhequr fate njerëzish në këtë vend.
URTAKË
Njeri!
…bëhu që të rrjedhësh si ujvarë
duke pikëluar ëmbël ndihmë e bujari
bëhu ndriçues dhe ngroh si diell
me rreze dhembjesh e mëshire
bëhu e çelu si një Natë e Madhe
për t’i fshehur me përmirësim të metat
bëhu i qetë, pa puls, si i vdekuri
që mos të frymojë më urrejtja në jetë
bëhu si dheu i shkrifët i ugarit
pjellor në thjeshtësi e përulësi
bëhu i gjerë dhe i hapur si deti
velë qetie e harmonie për njerëzit
…pra, thjeshtë: duku siç je
ose: bëhu siç dukesh:
ji i vërtetë!