E nderuar Arta, alternativa e re politike është ZGJIDHJA
Koço Kokëdhima
Ditën që Rama ‘shqyhej’ nga gratë e administratës në Fier, në një show të turpshëm qeveritar për të ngushëlluar kryeministrin më të braktisur që ka patur e majta shqiptare në historinë e saj 28-vjeçare, Arta Dade, foli si grua dhe socialiste e lënduar. Tha të vërtetat që ne të gjithë i dimë. Foli për një të majtë të asimiluar nga Rilindja, një PS që nuk është më demokratike dhe nuk i ngjan aspak PS-së së viteve ’96-’97.
E kuptoj shqetësimin, zemëratën dhe indinjatën e Zonjës Arta.
Me ndjenjë të lartë atdhetarie dhe përgjegjshmërie politike dhe qytetare, i nisa përpjekjet e mia për demokratizimin e PS-së në vitet 2014-2016. Nuk kisha mbështetjen e forumeve të larta të PS-së, por fitova atë të bazës. Në rajonin Vlorë-Gjirokastër, ku isha deputet për 30 muaj dhe drejtues politik për 8 muaj, afrova në PS mbi 16 mijë të rinj dhe të reja, të edukuar. Isha i bindur se vendi ka nevojë për parti përparimtare dhe me demokraci të lartë. Projekti im i rindërtimit trembi piramidën e Rilindjes dhe futi në panik shërbëtorët e saj që e panë se po humbnin kontrollin mbi strukturat e atriofizuara dhe të shpërbëra. Partia në rajon nuk ishte më kuleta e tyre e fryrë me favore, marrëveshje të ndyra, poste për t’u shitur dhe përdorur abuzivisht, tendera dhe fonde nga buxheti i shtetit, të cilat i ndanin me mentorët e tyre të Rilindjes në Tiranë. Në panik si Rama ishin edhe Saliu me drejtuesit e tjerë të partive të vjetra që shihnin tek demokratizimi rrënjësor i PS-së fundin e epokës së tyre në politikë. Liderët e të tri partive në fjalë, përmes një puçi, me ndihmën e gjykatësve të korruptuar të Gjykatës Kushtetuese, ndërprenë mandatin e deputetit dhe projektin tim për demokratizimin e PS-së dhe gjithë jetës së vendit, qeverisjes, partive, zgjedhjeve dhe institucioneve shqiptare.
Partia ZGJIDHJA lufton për të demokratizuar dhe çliruar vendin dhe shtetin tonë nga mafia e partive të vjetra.
Mikja ime, Arta!
PS-ja është marrë peng nga Rilindja, njësoj si PD-ja nga SHQUP-i, njësoj si të gjitha partitë e vjetra. Këto nuk janë parti politike me standarde e institucione. Këto kanë vepruar në pushtet si banda dhe si struktura mafioze të krimit të organizuar. Ato janë shndërruar në plaçenta që prodhojnë pushtet e pasuri të pakufizuara për kryetarët e tyre autokratë. Kryetarët janë Zoti mbi tokë. Në këto parti nuk ka asgjë tjetër. Anëtarësia është vetëm për t’u përdorur e shfrytëzuar për vota, vetëm lideri pyetet e dëgjohet. Këtyre këmbanave unë u rashë tri vite më parë, por socialistët e vjetër, nuk deshën t’i dëgjonin, sepse u dukej ende e ëmbël kolona zanore e Rilindjes, që sot është kthyer në muzikë funebre për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për socialistët e thjeshtë.
Projekti ynë, tezat e partisë ZGJIDHJA, janë përgjigjja dhe alternativa më e mirë në këtë periudhë kaq të vështirë për Shqipërinë.
Sot është 9 marsi, dita kur 22 vite më parë formohej qeveria e Pajtimit Kombëtar. PS-ja e atëhershme vinte në krye të qeverisjes së përkohshme e dhunuar dhe e përgjakur nga rregjimi brutal i Saliut. Sot ajo është e rrënuar më keq se kurrë ndonjëherë nga Saliu i saj që mban mbi krye. Saliu i PS-së dhe sekti kriminal i Rilindjes e kanë mbytur përfundimisht PS-në në batakun e krimit dhe korrupsionit, në trafiqe dhe në dhjetra akte tradhëtie ndaj shtetit dhe ndaj kombit tonë.
ZGJIDHJA nuk është një parti për kryetarin, por për anëtarësinë, nuk do një qeverisje gangsterësh që bën pasuri për 5 oligarkë, por për gjithë popullin dhe për biznesin e ndershëm, nuk do një vend që është parajsë për oborrin e qeverisë dhe ferr për qindra mijëra shqiptarë që ikin nga sytë këmbët.
E nderuar, mikja ime Arta!