Nuk mund të ketë demokraci në Shqipëri, pa demokraci brenda partive politike
Nga Ruben Avxhiu
Bashkëpunimi mes Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Institutit Ndërkombëtar Republikan është një lajm i mirë dhe shpresëdhënës.
Ndonëse është e vështirë të besosh dhe të imagjinosh praktika të konkurrencës së lirë brenda partive politike shqiptare, çdo përpjekje është për t’u lavdëruar dhe nxitur.
Bashkëpunimi mes IRI-t dhe PD-së do të ndihmojë në krijimin e garave të tipit të primareve amerikane, zgjedhje paraprake për përzgjedhjen e kandidatëve për në parlament e për në organet e larta të partisë.
Një sistem i tillë do ta rigjëllëronte e fuqizonte Partinë Demokratike në mënyrë të jashtëzakonshme. Do të nxirrte në pah talente e figura që do ta bënin një forcë politike për t’u pasur zili. Demokracia funskionon nëse i jep vërtet një shans.
Deri tani, PD ka qenë shumë larg modelit të demokracisë së brendshme. Madje ka qenë një shembull se si mbytet fryma e diskutimit brenda partisë. Pikërisht në këto ditë, kur PD dhe IRI po bëjnë planet e bashkëpunimit, një deputete e partisë po kërcënohet me përjashtim vetëm se mendon ndryshe nga kolegët e saj. Rudina Hajdari duhet të djegë mandatin e saj në Kuvend, ose rrezikon fundin e karrierës së saj në këtë parti.
Ky nuk është një rast i vetmuar. Asnjë nga anëtarët e kryesisë së PD-së të cilët mendonin ndryshe nga kryetari i partisë nuk janë zgjedhur më jo vetëm në kryesi, po në asnjë organ të partisë, duke u lënë praktikisht jashtë jetës politike të PD-së.
Këto lloj formash nuk përputhen me sistemin e zgjedhjeve paraprake që parashikohen nga bashkëpunimi me Institutin Republikan. Kjo vetëm sa do të sillte tkurrjen e përhershme të PD-së, me largime të atyre që humbin shumicën.
Problemi sigurisht nuk është i kufizuar te Partia Demokratike, ndonëse unë do të kisha dashur që PD për hir të vetë emrit që ka dhe të rolit historik në pluralizmin shqiptar të ishte udhëheqëse në këtë drejtim.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka asgjësuar rregullisht elementet e demokracisë në parti që kur është vënë në krye të saj. Gara për kryetar, kur ka ndodhur ka qenë fiktive. Kritikë të fortë si deputeti Ben Blushi janë ndjerë aq të braktisur sa janë detyruar të largohen nga partia. Po praktikisht të përjashtuar kanë qenë edhe kritikë më të kujdesshëm që kanë folur zërin e arsyes, si Arben Malaj. Këto janë thjesht dy emra për ilustrim, po nuk ka dyshim se Rama komandon me dorë të hekurt.
Forumi Rinor socialist eksperimentoi me të njëjtin sistem amerikan që synon PD sot. Mirëpo, në fund, partia nuk duroi pa ndërhyrë dhe pa anulluar rezultatet e zgjedhjeve të lira.
Në LSI, partia e re që dukej se do të sillte një frymë të re në politikën shqiptare, zgjedhja e Ilir Metës si president i vendit, katapultoi në krye të partisë bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi (fjala e të cilës tani është ligj në parti) ndonëse të paktën 2-3 figura të tjera kanë qenë më vendimtare në vitet e fundit.
Demokracia në të gjitha partitë ka ardhur duke u venitur. Ato funksionojnë sot praktikisht si minidiktatura të vogla që ankohen vazhdimisht se pse nuk ka më shumë demokraci në vend, po kërkesa e tyre mbaron aty ku fillon partia. Asnjëra nuk ka guximin të ndryshojë modelin.
Lulzim Basha është i ri, në moshë. Ndodhet sot në një pozitë të fortë në parti. Duke injoruar mëkatet e të kaluarës, ai ka një shans t’ia nisë nga e para duke lejuar demokratizimin e partisë, të paktën në rrethe e në nivele më të ulëta. PD vetëm do të forcohet nga kjo përpjekje.
Gjithnjë më kujtohet kur kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Punës në Kuvendin e parë të Shqipërisë, thirri në takim kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe i kërkoi që të bënin një marrëveshje bashkëpunimi në seancat që vijonin. Neritan Ceka i PD-së iu përgjigj në atë kohë: “E ke kollaj ti se i ke të gjithë ushtarë. Unë i kam të gjithë gjeneralë dhe nuk mund ta vendos pa i pyetur”.
Ajo kohë duket e largët. Figura e deputetit sot, ashtu si ajo e një zyrtari të partisë, apo edhe punonjësi qeveritar është figura e një njeriu pa bosht kurrizor, një ushtar i bindur i kokës së partisë dhe vetëm besnikëria totale mund t’ia zgjasë jetën në politikë.
PD-ja në deklaratën e sotme ka shfaqur ambicjen e duhur, po vështirë që ky ndryshim të ndodhë shpejt. Një fillim i mirë do të ishte duke lejuar që të ketë deputetë që nuk largohen nga Kuvendi, militantë që nuk pranojnë të dalin në protesta, zyrtarë që janë gati të flasin me kundërshtarët politikë në rast nevoje. Si një komandat i mirë, Basha, duhet t’i lërë vetes opcione që mund t’i përdorë, jo për të mirën e atyre që menojnë ndyshe, po për t’i zgjeruar vetes diapazonin e veprimit. Një det i tërë shqiptarësh qendrojnë mes tij dhe Edi Ramës. Këta dhe jo një grusht besnikësh e militantësh janë ata që mund ta sjellin në pushtet./yllirias press/