Albspirit

Media/News/Publishing

Shtetësi shqiptare për mashtruesit, reagon Presidenca

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me dhënien e shtetësisë për dy vëllezërit indianë të kërkuar nga drejtësia, për një mashtrim të disa bankave në vlerën mbi 725 milionë dollarë. Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi sqaron procedurën për dhënien e shtetësisë shqiptare dy vëllezërve Nitin Jayantilal Sandesara dhe Chetankumar Jayantilal Sandesara. Sipas tij janë zbatuar procedurat ligjore bazuar në pikën 7, të nenit 9 të ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare” të ndryshuar, me propozimin e Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit, “për shkak të eksperiencës në investime dhe historikut të sipërmarrjeve të suksesshme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe për shkak të angazhimit të tyre për realizimin e investimeve të rëndësishme elitare në vendin tonë”.

Bazuar në pikën 6, të nenit 9 të ligjit për shtetësinë, janë bërë verifikimet përkatëse nga agjencia ligjzbatuese nga e cila nuk kanë rezultuar të dhëna problematike për dhënien e shtetësisë shqiptare”, thekson zëdhënësi i Presidentit të Republikës. Megamashtrimi prej 725 milion dollarë i Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara ka ndodhur në periudhën kohore 2008-2011 por do të zbulohej ne 2018, kur një prej drejtorëve të bankave iu kap një pagesë rryshfet dhënë nga dy vëllezërit. Vëllezërit Sandesara dhe dy drejtuesit e kompanive të tyre u shpallën në kërkim nga drejtësia indiane por mundën të arratiseshin për Emiratet e Bashkuara.

Please follow and like us: