Vuçiç hap krahun për zgjedhje të parakohshme, kush e ka radhën pas tij?
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i është dorëzuar idesë për zgjedhje të parakohshme pas protestave të shumta që kanë pushtuar vendin. Sipas mediave serbe raportohet se ato mund të mbahen në 23 qershor të këtij viti ose në pranverën e vitit 2020.
E përditshmja serbe “ALO”, raportoi se presidenti serb Aleksandër Vuçiç i është dorëzuar presionit të partisë së tij. Mbrëmjen e së hënës pas përfundimit të mbledhjes së partisë së progresit, një parti konservatore, Vuçiç ka lënë hapur mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Por kreu i shtetit serb saktësoi se ende nuk është marrë një vendim zyrtar, edhe pse zgjedhjet e parakohshme sipas tij tashmë janë më të mundshme se më parë. Presidenti serb tha se mund të votohet në qershorin e këtij viti ose pranverën e ardhshme.
Të gjitha sondazhet aktuale në Serbi tregojnë se partia e presidentit Vuçiç, është shumë në avantazh në krahasim me Aleancën për Serbinë, e cila grupon parti dhe lëvizje të opozitës shumë të ndryshme nga njëra tjetra. Partia e presidentit parashikohet të marrë deri në 55 për qind të votave në krahasim me 15 për qind të aleancës së opozitës.