Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA vë sanksione mbi 25 entitete që kanë financuar Regjimin Iranian

SHBA vuri sanksione të reja mbi 25 individë dhe entitete në Iran, Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët akuzohen se kanë pastruar më shumë se një bilion dollarë dhe euro për Trupat e Gardës Revolucionare dhe ministrinë e mbrojtjes të Iranit, të cilat i kanë përdorur paratë e pista për të financuar terrorizmin në Lindjen e Mesme. Sekretari amerikan i Thesarit Steven Mnuchin tha se janë duke “marrë në shënjestër një rrjet të gjerë kompanish frontale dhe individësh” dhe se kanë prishur “një skemë që regjimi iranian ka përdorur … për të shfrytëzuar sistemin financiar ndërkombëtar për t’iu shmangur sanksioneve (amerikane), ndërkohë që regjimi financon terrorizmin dhe veprimtari të tjera destabilizuese në rajon”. Nënsekretarja e Thesarit për terrorizmin dhe inteligjencën, Sigal Mandelker, tha se në qendër të kësaj skeme qëndronte Banka Ansar, e cila kontrollohet nga Garda Revolucionare, dhe krahu i saj për këmbim valute, Ansar Exchange. Ajo tha se këto institucione “kanë përdorur shtresa entitetesh ndërmjetëse për të këmbyer rialin e zhvlerësuar iranian në dollarë e euro” me qëllimin për të financuar Gardën Revolucionare, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Logjistikën e Forcave të Armatosura të Iranit.

SHBA thotë se ministria e mbrojtjes dhe agjensia e logjistikës së forcave të armatosura janë përgjegjëse për programin e raketave të Iranit, duke përfshirë raketat që po përdoren nga luftëtarët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen për të sulmuar forcat e koalicionit të mbështetura nga SHBA. Mandelker tha: “Ky rrjet i gjerë është thjesht shembulli më i fundit se si regjimi iranian përdor praktika mashtruese për të shfrytëzuar sistemin financiar global dhe për t’i drejtuar burimet drejt entiteteve të sanksionuara. Kjo gjë ekspozon përsëri në sytë e komunitetit ndërkombëtar rreziqet e operimit në një ekonomi iraniane që është qëllimisht e padepërtueshme”.

Ky rrjet kompanish frontale dhe agjentësh ishte i shpërndarë nëpër Turqi dhe Emiratet e Bashkuara. Disa nga të sanksionuarit përfshijnë Sakan General Trading, Lebra Moon General Trading dhe Naria General Trading me bazë në Emiratet e Bashkuara, Hital Exchange me bazë në Iran dhe Atlas Doviz me bazë në Turqi. Janë shënjestruar gjithashtu edhe tetë individë, të gjithë zyrtarë në institucionet financiare të sanksionuara nga SHBA.

Sanksionet ngrijnë çdo pronë dhe fond të këtyre personave apo entiteteve në SHBA, nuk i lejojnë amerikanët të bëjnë biznes me ta, dhe i kërcënojnë institucionet e huaja financiare që punojnë me ta se do të futen në listën e zezë nga SHBA. Ky është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur për SHBA-në, por sanksionet duhet të godasin më fort e më shpejt. Ka shumë më tepër kompani frontale iraniane që financojnë IRGC-në dhe entitetet e tjera të lidhura me të, të cilat duhet të ndalohen gjithashtu. Megjithatë, është jashtëzakonisht e rëndësishme që vendet e tjera të marrin e të ndjekin shembullin e SHBA-së.

Please follow and like us: