Biznesmeni i bananeve Arbër Çekaj kërkon azil në Gjermani
Arbër Çekaj ka kërkuar azil në Gjermani. Kërkesa e Arbër Çekajt po shqyrtohet nga Gjykata e Essen. Lajmi u bë publik nga News 24. Ai dyshohet si i përfshirë në trafikun e 613 kg kokainë, sasi kjo e cila u kap në Maminas. Sasia e lëndës narkotike e fshehur mes bananeve u zbulua me 27 shkurt 2018, ndërsa Çekaj është pronar i kompanisë që porositi kontenierët e bananeve. Arbër Çekaj rezultonte të ishte larguar nga Shqipëria 3 javë para se të sekuestrohej sasia rekord e kokainës dhe që në atë moment Policia bëri shpalljen në kërkim ndërkombëtar, pasi kishte dyshime se ai ndodhej në Gjermani. Sipas Policisë, Çekaj, i cili kishte porositur kontenierin me 20 ton banane nga Kolumbia, duket se kishte porositur edhe 613 kg kokainë. Ai është aksioneri i vetëm i kompanisë “Arbri Garden”, siç del nga kërkimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Nga një kërkim në internet, rezulton se firma “Arbri Garden” ka marrë 97 ngarkesa nga Amerika e Jugut që prej vitit 2012. Për sasinë rekord të kokainës, më 28 shkurt u arrestua Armando Pezaku, që drejtonte kamionin me targë DR 3819 dhe Donaldo Lushaj, që ndodhej si pasagjer, i cili kishte detyrën e menaxherit dhe do merrte në dorëzim mallin e mbërritur nga Kolumbia.