Sot protesta e tretë e madhe e opozitës
Sot pasdite në orën 18:00 do të nisë protesta e tretë e madhe e opozitës, pas asaj të 16 shkurtit dhe 16 marsit. Ndryshe nga dy herët e tjera, partitë opozitare kanë vendosur ta zhvillojnë protestën pasdite, pa dhënë informacione se sa kohë do të zgjasë, ku do të qëndrojnë qytetarët dhe çfarë do të ndodhë më pas.
Policia ka kaluar në gatishmëri të plotë për këtë protestë, duke angazhuar mbi 1500 efektivë. Godina e Këshillit të Ministrave, prej më shumë se 24 orë është blinduar me masa të forta sigurie, për të parandaluar çdo tentativë të protestuesve për të hyrë në brendësi të godinës njësoj si në 16 shkurt.
I gjithë perimetri është i rrethuar me prozhektorë dhe kamera, ndërkohë që edhe në godinat e tjera do të ketë agjentë të specializuar për të filmuar të gjitha zhvillimet e protestës. Gjithashtu, edhe shtyllat janë lyer me graso për të shmangur ngjitjen e protestuesve në vendet ku janë instaluar kamerat e sigurisë.
Pjesë e masave të policisë është edhe bllokimi i qarkullimit në rrugën ‘Ismail Qemali’, ‘Ibrahim Rugova’ lidhje me bulevardin, ura e Lanës nga ministria e Brendshme deri tek Presidenca aty ku do të ndalohet dhe parkimi i mjeteve.