Albspirit

Media/News/Publishing

Rudin Lengo: Sol-i, çelësi i jetës sime

 

Toronto-Kanada

Muzikantët klasikë janë të rrallë në kulturën shqiptare. Sigurisht që është e udhës që gjithë karrierën e tyre ta ndërtojnë jashtë Shqipërisë, ashtu sikundër edhe Rudin Lengo. Virtuozi shqiptar i pianos ka emigruar në Kanada prej moshës 14-vjeçare, jeta e Rudinit ka patur hapa të sigurtë suksesi. Që kur vendosi që zemrën do t’ia falte muzikës, ai i ka besuar akoma më shumë instiktit të zgjedhjes që ka bërë. I mirëedukuar që në vogëli për muzikë, sot ai është duke mbrojtur gradën “Doktor” në Universitetin e Torontos, ku gjithashtu është edhe akompanist (shoqërues) dhe asistent profesor i pianos. Në një bisedë telefonike me Albanian Montreal Press, Rudin Lengo do të na tregojë më shumë për karrierën artistike të tij.

 

Rudin, si hytë ju në botën e artit?

Familja ime ka qenë një shtysë mjaft e madhe që unë t’i ruaja ëndrrat. Nuk është kaq e rastësishme lidhja ime me muzikën pasi disa anëtarë të familjes sime janë gjithashtu njerëz të artit. Ka qenë mjeshtri i violinës dhe artisti i popullit Ibrahim Madhi, daja i mamasë, i cili zbuloi talentin tim që në fëmijëri. Mbaj mend momentin në të cilin ai kuptoi se muzika mund të luante një rol të rëndësishëm në jetën time kur më dëgjoi në konkursin kombëtar “Këngët e Tokës”. Mesa duket interpretimi im, prej të cilit fitova çmimin e dytë, e bindi atë edhe mua, që t’a thelloj dashurinë për muzikën. Në Shqipëri kam studiuar me Nedi Pekun tek shkolla « Servete Maçi » dhe gjithashtu kam mar mësime private në Liceun Artistik, ndërsa që me ardhjen në Kanada e deri sot, vazhdoj akoma studimet e muzikës, por tani në një nivel profesional. Edhe pse kam patur prirje në matematikë e në shkenca ekzakte, vendosa që të investoj në muzikë. Familja ime më ka mbështetur dhe jam shumë i lumtur që në këtë rrugëtim s’kam qenë i vetëm, por që edhe besoj se kam berë një zgjedhje të mirë.

 

Cila është karriera juaj artistike në Kanada?

Pas përfundimit të Masterit në New York, Manhattan School of Music, u riktheva në Toronto dhe pata mundësinë të hapja një studio muzikore private ku jap leksione për breza të rinj. Në fakt kërkesat janë të ndryshme, nga të gjitha moshat. Ka dy vite që përgatis studentë për konkurset e pranimeve në Universitetet Kanadeze, dhe shumë prej tyre janë pranuar në Universitetin e Torontos për piano. Krahas mësimdhënies, unë fillova edhe një karrierë si solist dhe kisha fatin të luaja recitale dhe koncerte me orkestra të ndryshme në Kanada, por gjithashtu edhe në SHBA dhe Europë. Gjatë këtyre viteve unë mora pjesë edhe në disa konkurse ndërkombëtare, ku dola me sukses dhe kjo eksperiencë më shtyu që të vazhdoja edhe doktoraturën në muzikë tek Universiteti i Torontos. Vitet e fundit jam angazhuar edhe si jurist në festivale dhe konkurse kombëtare, dhe gjithashtu punoj si jurist për Royal Conservatory of Music  në provimet sezonale për brezin e ri të muzikantëve në Ontario.

Po me Shqipërinë, cilat janë raportet tuaja me vendlindjen?

Pas ardhjes në Kanada, kaluan rreth 10 vjet përpara se të rikthehesha në Shqipëri në tetor të vitit 2012. Ky rikthim në Tiranë u bë i mundur me ndihmën e dy artistëve në familjen time, Ibrahim Madhi dhe Gëzim Rudi (personazhi i Fredit në komedinë Pallati 176), dhe unë u ftova për të hapur sezonin e 13-të të Festivalit Ndërkombëtar “Klasik” në Sallën e madhe të Universitetit të Arteve. Suksesi i këtij koncerti hapi dyert për një udhëtim tjetër në Tiranë ku bashkëpunova në një vepër për aktor dhe piano nga Rikard Shtrausi. Jam munduar edhe për projekte të tjera, që shpresoj të realizohen në të ardhmen. Megjithëse jam goxha larg nga vendlindja, krenaria ndaj gjuhës, kulturës dhe kombit shqiptar është gjithmonë pranë zemrës sime.

Po me komunitetin shqiptar në Toronto, a takoheni ju?

Të them të drejtën, vitet e fundit kam filluar ta ndjej më shumë nevojën dhe praninë e tyre. Sigurisht që kam mjaft miq e shokë shqiptarë dhe ndjej një kënaqësi të veçantë kur komunikoj me ata në shqip, gjithashtu në studion time kam disa studentë shqiptarë, dhe kjo më bën shumë krenar për brezin e talentuar të shqiptarëve në Kanada. Unë i ndjek vazhdimisht aktivitetet shqiptare, dhe kam qenë prezent sa herë më kanë ftuar. Kam pasur fatin të bashkëpunojë me disa artistë shqiptarë këtu në Toronto si Inva Mula, Gëzim Rudi, Jani Papadhimitri, Augustin Simoni dhe Bardhyl Gjevori. Së fundmi do të marr pjesë në një koncert bamirësie të organizuar nga komuniteti i artistëve në Tiranë, fondet e së cilit do t’i dhurohen një organizate për ndihmën e fëmijëve në Shqipëri.

Cila është e adhmja juaj, projektet tuaja në plan?

Familja ime sapo është zgjeruar me një djalë të vogël 1 vjeçar, Dominik. Bashkëshortja ime gjithashtu i përket fushës së muzikës, ne jemi njohur auditoreve me partitura nëpër duar. Është e sigurtë që dy artistë në familje krijojnë një harmoni të veçantë, dhe me ndihmën e të afërmve dhe miqve ne kemi arritur të përballojmë kërkesat e vështira të jetës në Kanada, sidomos për të gjetur balancën ndërmjet punës, artit dhe familjes. Përsa i përket projekteve në plan, unë jam gjithmonë në kërkim të bashkëpunimeve të reja me artistë dhe muzikantë shqiptarë dhe kanadezë, dhe tani jam duke planifikuar koncertet e sezonit 2019-2020, në të cilat do paraqes disa vepra shqiptare krahas kompozitorëve të njohur botërorë./albanian montreal press/

Please follow and like us: