Sali Berisha: Këmbanat bien për të gjallët!
Vendimi i parlamentit të Hollandës është aktakuzë e rëndë për narkoshtetin dhe narkos-it e tij, por është dhe një kambanë alarmi për qytetarët shqiptarë!
Hollandës, vendit të parë, që mbështeti Shqipërinë për heqjen e vizave, i takoi të bëhej dhe vendi i parë që të votojë 9 vjet më vonë për rikthimin e vizave.
Ky votim nuk erdhi si rrufe në qiell të hapur, por erdhi pasi Shqipërië është deklaruar dy vite me radhë si qëndër operacionale ndërkombëtare e organizatave kriminale të Europës, Amerikës së Veriut, Amerikës Latine, Azisë. Po rikujtoj këtu se javën që kaloi, Europol dhe agjensi të tjera më serioze, e shpallën krimin e organizuar një rrezik më të madh se edhe vetë terrorizmin, për sigurinë e Europës dhe në krye të piramidës së këtij rreziku, qëndronin organizatat kriminale shqiptare.
Ky vendim erdhi pasi këto katër vitet e fundit, shqiptarët zënë vend kryesor si azilant politikë në Gjermani dhe vendin e parë me distancë nga sirianët dhe sudanezët dhe afganët, në Hollandë dhe Francë. Në këtë kontekst, tejet tronditëse janë të dhënat e Galup që tregojne se 60% e shqiptarëve duan të largohen nga Shqipëria. Ky studim tregon se Shqipëria renditet e katërta në botë pas Siera Leone, Liberisë dhe Haitit për dëshirën e qytetarëve për të braktisur atë. Por në rast se në tre vendet e para shkak kryesor janë epidemitë vdekjeprurëse të ebolës, kolerës dhe tërmete shkatërrimtare, në Shqipëri shkaku më kryesor është pasiguria, krimi dhe vrasja e shpresës të lidhura direkt me kreun e meduzës, Edvin Kristaq Rama dhe qëndrimet e politikat e tij shpresëvrasëse për shqiptarët.
Vendimi për rikthimin e vizave për Shqipërinë erdhi pas një raporti të agjensive ligjzbatuese të Mbretërisë së Hollandës, në të cilin konstatohej një rritje dramatike e kriminalitetit dhe trafikut të drogës nga shqiptarë të Shqipërisë në këtë vend.
Vendimin, parlamenti i Hollandës e mori pasi nga ai vend, gjatë dy viteve të fundit vizituan vendin tonë një seri delegacionesh. Vetëm këto dy muajt e fundit erdhën për vizite dy ministra të qeverisë së Hollandës dhe kreu i meduzës, skizoidi Edvin Kristaq Mashtrimi, mendonte se mund t’i mashtronte me zhgarravinat në zyrën e tij, duke i bindur ata se ky njeri vetëm normal nuk mund të quhej.
Ky vendim nuk erdhi nga Hollanda papritur dhe pakujtuar, por ishte paralajmëruar nga autoritetet e këtij vendi dy vite me radhë.
Vendimi i Parlamentit të Mbretërisë së Hollandës është një aktakuzë tejet e rëndë dhe me jehonë botërore për narkoqeverinë dhe zyrtarët e narkoshtetit shqiptar, që me lidhjet e tyre me krimin dhe drogën, Shqipërinë në eksportues kryesor krimi dhe droge në Europë. Sot janë dhjetëra vende nga Europa dhe zona tjera të botës që kanë përfituar nga liberalizimi i vizave, por Shqipëria bëhet vendi i parë, për të cilin një vend anëtar themelues i BE, voton për rikthimin e vizave. Ndaj dhe kreu i meduzës dhe narkozyrtarët e tij reaguan me një gjuhë banditeske ndaj Mbretërisë së Hollandës dhe Parlamentit të saj.
Por vendimi i Parlamentit të Hollandës është një këmbanë e fuqishme alarmi për mbarë shqiptarët.
Ky vendim, në rast se qeveria hollandeze insiston preras, ajo rikthen vizat për shqiptarët pasi qeveria aktuale e Edvin Kristaq Krimit ka shkelur rëndë, kushtet e plotësuar mbi të cilat u hoqën vizat.
Së dyti, aktualisht vendimin për rikthimin e vizave për shqiptarët po e konsiderojnë seriozisht edhe vende të tjera.
Së fundi, ndonëse Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e përcaktuara në deklaratën e ministrave të Jashtëm të BE me 27 qershor të vitit 2018 për hapjen e negociatave, ky vendim vjen si goditja e mëshirës për këtë proces.
Si përfundim, iu bëj thirrje shqiptarëve të zgjedhin midis narkoshtetit të Edvinit e narkoqeverisë së tij, që kanë shndërruar Shqipërinë në eksportues kryesor të krimit dhe drogës në Europë dhe më gjërë dhe lëvizjes së lirë pa viza dhe të ardhmes së tyre në Europë!