Albspirit

Media/News/Publishing

Kleves Bitro: Bil(nd)ja demokratike

 

Teksa rënia e lirë e pushtetit që u ka kushtuar shqiptarëve shtrenjtë, nuk mund të ndalet, Rama ka aktivizuar planin e tij rezervë fatkeqësisht me njerëz që formalisht shiten si opozitarë. Është një plan që kërkon të vonojë deri në 2021 rrënimin e pritshëm të një sistemi kleptokratik. Është i ngjashëm me planin që përdori Fatos Nano me partinë e Genc Pollos e që nuk funksionoi. Vetëm se atëherë Berisha ishte shumë më i cënueshëm se çfarë mund të jetë Luli sot dhe figurat vendore që u përzgjodhën nga disa delirantë ndërkombëtarë ishin shumë më kredibël se kllounët e cirkut që janë përzgjedhur sot gjoja për të përfaqësuar të djathtët. Pavarësisht mbiemrave, familjeve që sot kanë zgjedhur të përdoren turpshëm nga Edi Rama për të përçarë trupën zgjedhore të PD, plani i Ramës nuk do ketë efektin e dëshirueshëm. Jo pa qëllim Rama ka zgjedhur në krye të opozitës së emëruar një pinjolle nga një derë e respektuar e demokratëve. Por fatmirësisht për demokratët dhe fatkeqësisht për Ramën, aktorja kryesore e përzgjedhur për bil(nd)en demokratike është e papërshtatshme për rolin e caktuar. Vajza e nxitur nga sejmenët e Kryeministrit dhe ndjenja e mitomanisë zakonore për aktore të padurueshme për të qenë në një dubel çfarëdo, është kthyer në një instrument me vrima fishkëllyes për rapsodi anti opozitë. Çmenduria e ca ndërkombëtarëve mediokër që nuk u intereson asgjë veç vegjetimit diplomatik që tallen me shqiptarin e mesëm dhe inteligjencën normale shitet si mbështetje ndërkombëtare e shkallës së gjerë. Ndërsa për figurat dytësore apo tretësore të palaçollëkut me bilen demokratike, nuk ia vlen të merresh. Në një aritmetikë të thjeshtë, çfarë vota mund të llogaritin nga gratë aktuale ua zbresin ato të mëparshmet. Plus që përfitimet që vazhdojnë të marrin nga të qenit me PD dikur u vazhdojnë ende dhe morali i tyre është i thërrmuar e i shkërmoqur keqazi. Ndaj nuk mund të ketë as zgjedhje dhe as zgjidhje me të tillë bile demokratike që ka përzgjedhur Kryeministri. Pushteti ka arritur në fundin e vet dhe vonesat në dorëzimin e tij janë të papërfillshme. Opozita reale e vendit ka ende për të nxjerrë mësime nga përzgjedhja e njerëzve që katapulton apo fut jashtë radhe si “figura” që më pas e lenë në baltë. Lulzim Basha duhet të zgjedhë ekipin e tij në çdo hallkë të burimeve njerëzore e të ecë përpara qoftë edhe duke gabuar. Të paktën do jenë gabimet e tij dhe jo bilet demokratike të kundërshtarit politik…

Please follow and like us: