Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Ju flet dhe nuk ju flet Amerika!

Shumë njerëz e shikojnë të pashpjegueshme se si ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përkrah me deklarata qeverinë dhe të ashtuquajturën opozitë e re. Madje midis tyre ka ca pikëpyetje të ankthshme se ndofta kjo bindja partia e 128-të do bëj miting më 10 maj ose 12 maj, para miting ose prapa miting. Se kur flet Amerika mbushen dhe sheshet… Dhe do ishte e bukur vërtetë sikur të ndodhte një gjë e tillë, një para ose pas miting për të kuptuar ngjizjen e opozitarizmit, apo se çfarë është opozitarizmi. Një para ose pas miting me Patozin dhe Rudinën. Megjithëse Amerika fliste edhe gjatë regjimit të Enver Hoxhës, por sheshet ishin veç me vija të bardha, këmbësorë, biçikleta dhe ca mjete nga lindja. Sheshet mbusheshin kur thërriste Enver Hoxha, atëherë ishim të gjithë pushtetarë dhe opozitarë të fortë, por karshi Amerikës dhe imperializmit. U desh një katrahurë e gjatë kohe për të ardhur tek 1990-ta, kur ndërruam prirjen për të kuptuar se asgjë nuk fillon nga çfarë thotë Amerika, Kina apo Rusia, por çfarë thonë ata që mbushin sheshet, shqiptarët.
Kësisoj, kjo marrëveshja që arriti sot koalicioni opozitar është gjëja më e domosdoshme, nuk ka zgjedhje. Dhe ta dini që sheshet i mbushi sfida politike, djegia e mandatave. Njerëzit po besojnë më në fund tek diçka e re. Dhe kjo do të reflektohet më fort edhe më 11 maj. Të tjerat janë humbje kohe, sidomos këto studiot me biseda të tjerra mbi Amerikën dhe Patozin apo Hajdarin. Aty janë sheshet, le t’i mbushin.
Nuk bëhet opozitarizmi me mbeta vetëm në shtëpi po flas çfarë të më dojë qejfi. Apo me shprehinë turqishte ‘shyqyr që ikën ata dhe të ulem unë’. Biles të habit kjo ‘inteligjenca prej peshku’, thoshte një mësues i imi, që kanë këta me përvojë të gjatë në politikën tonë. Ndaj marrëveshja është edhe emocionale për t’i dhënë fund një shpërfytyrimi shqiptar që po ndodh këto kohët e fundit mbi mandatet, vlerën intelektuale dhe bajgat, kaq me shumicë që ofron realiteti jonë. Eshtë vanitoze të shikosh se si mbrojnë përshembull Rudinën të majtët, se si e quajnë lidere, kur pak vite më parë, po këta quanin rrebel Blushin kur bënte opozitarin në parlamentin e krimit. Eshtë një vanitet kombëtar të merresh me brigada të tilla që luajnë anasjelltas dhe asnjëherë realitetin.
Tani për sa i përket frazave bajate që e has me shumicë studiove tona. Mbi deklaratat e ambasadës së Amerikës, që, Amerika e tha qartë, po e thotë qartë që do njohë çdo opozitë të re apo të vjetër. E tha Amerika, po, bëni kështu apo ashtu. E para e punës, për votuesit, Amerika ka thënë kështu e ashtu edhe kur bojkotonte Edi Rama. Dhe i njohu zgjedhjet e blera të tij edhe pse kamerat po çaheshin me gjithfarësoj subjektesh. I njohu edhe mandatarët e botës së krimit. Njohu Elvis Roshin. Por nuk është kjo. Derisa Amerika njohu për kryetar të Kuvendit një ish ministër të diktaturës, si Gramoz Ruçi, si mos me njoh nesër koalicionin e ri. Mbajeni mend, që do e uroj e para. Kur ta kuptoni këtë do keni shpëtuar veten nga pikëpyetjet e shumta. Njohu këtë Ramën, i cili e quajti rrezik kombëtar për Amerikën zgjedhjen e Donald Trumpit. Nga ana tjetër po bisedon me Kim Yong Uni-in e Koresë komuniste.

Nuk ka opozitë tjetër veç asaj që kemi parë deri më sot në këto protestat e deritanishme. Problemi është pse janë kaq të larguara nga njëra-tjetra? Pse aksioni opozitar nuk është i përditshëm? Pastaj një zyrtare që bën një deklaratë, sidomos amerikane e di fare mirë që manovrat brenda institucioneve nuk janë masat. Mos u lodhni me të kuptuar Amerikën, por vetveten. Se është për t’u shqetësuar të besosh sot në raporte të shkëlqyera mes sojit të Gramozit dhe administratës së lirive të drejtave të njeriut. Kur Amerika vetë nuk e lejon me ligj elementin komunist, partinë e tyre. Madje i konsideron jashtëqitje. Kurse në Shqipëri shtrëngon duart me ta dhe u fal nga një a dy helikopterë. Eshtë pus i thellë në politikën e jashtme Amerika. Megjithatë nuk injoron edhe shumicën. Dhe ajo çfarë është e dallueshmja sot, shumica janë ato llavat e protestave. Aty ndaloni dhe shkundni sheshet se të tjerat harrohen me një gotë verë.

Please follow and like us: