Emine Farka, zonja që gërmoi dheun me duar në mes të natës
Nga Marsida T. Najdeni
*Falenderoj miken time Zenita Farka për mbështetjen.
27 prill 2019 – Vajza e vetme e familjes Farka, drita e syve për tre vëllezërit. Tradita tironase e do që vëllai pas motrës të bëi jo vetëm shumë, por ta kulloi motrën me 1001 të mira. Kështu Emineja midis tre çunave Farka jo vetëm që e donin dhe “llastonin,” por e mbështetën të shkollohej. Ibrahimi dhe Xhemali ushqyen tek motra e tyre dashurinë kombëtare, por mbi të gjitha bluajtën tek ajo ndjenjat e një femre bashkohore. Ata donin që e motra mos tu ndahej kohës së emancipimit.
Znj. Emine Farka lindi më 1910 në Tiranë plot 3 vjet mbas lindjes së vëllait të madh Ibrahimit. Ibrahimi do të bëhej NënToger i Mbretërisë me studimet e kryera në Romë. Ardhja e saj në jetë mbas 3 vjetëve u prit me hare dhe shumë dashuri nga gjiri familjar. Mëpastaj do të lindte Xhemali, i cili u bë një gazetar i arrirë ndaç në shtypin e shkruar shqiptarë, ndaç në gazetarinë fonike si gazetarë për radion “Zëri i Amerikës” në Egjipt, edhe “Radio Bari” në Itali. Ndërsa vëllai vogël, Hasan Farka, u prek fort nga lufta e klasave kështu nuk mundi ta vazhdoi rrugën e gazetarisë dhe të artit që e kishte fort për zemër. Disa shkrime të Hasanit janë botuar në gazetat e kohës para komuniste.
Ata që e njojtën Eminen e tregonin shumë të urtë dhe tepër miqsore. Shkollën fillore dhe 8 vjeçare do t’i kryente në qytetin e lindjes. Ishin vite të lumtura ku mbizotëronte qetësia dhe harmonia fëminore. Ndër të parat femra në Shqipëri që ndoqi studimet pranë Institutit Amerikan Harry Fultz në Tiranë, ku dhe do të fokusohej mësëshumti në degën e bukur të ekonomisë. Instituti Amerikan asikohe ofronte dhe klasa për amvisë, synimi ishte gjithë tek fryma perendimore e të qenurit amvise ndërthurur bukur me traditat e vajzës shqiptare. Në këto klasa Emineja shkëlqeu. Gjatë viteve studentore u njoh me Abas Deliallisin. Sikur ta dinte Emineja që ekonomia e shkollës do t’i shërbente për tek dera e burrit, të cilët ndër të tjera ishin tregtarë të njohur të kohës. Deliallisët ishin një derë e madhe patriotësh, por nga të tillë rrënjë rridhte dhe Emineja. Babai i Eminesë, zotni Hamdi Farka, ka punuar si avokat, prokurorë dhe drejtor finance në Tiranë. Më 26 nandor (brymuur – siç i kanë pas thëne tironsit nandorit) 1912 Hamdi Farka ishte mbështetës i zellshëm në ngritjen e flamurit në Tiranë. Bashkimi i Eminesë me Abazin solli një martesë të shëndoshë, edhe pse i shoqi do t’i dënohej me 18 vite burg. Ata e deshtën dhe nuk e lëshuan kurrë njëri tjetrin.
Fati e desht, ose më mirë të them, fati i zi e desht që në pushtet erdhën njerëz që jetonin duke marrë gjak dhe jetë të pafajshme. Pushtetarë, të cilët e tjetërsuan një komb dhe e bënë të spiunonte vëllai vëllanë. Besa shqiptarit shkoi e mori lumi bashk me njëriun e ri komunist që ndërtoi Byroja me kompani. Ardhja e komunizmit do ta gjente Eminen në moshën 34 vjeçare të bërë nënë tashmë. Emines do t’i pushkatonin dritën e syve Xhemalin, vëllain e qeshur dhe plot jetë. Shakaxhiun që mbante gjallë fisin me humorin e tij të hollë. E pushkatuan dhe nuk i treguan se ku ia kishin groposur trupin e pajetë. Në fshehtësi të plotë Emineja e mori vesh se ishin pushkatuar një grup intelektualësh tek fusha ku më pas u ndërtua “Uzina Dinamo”. Mori vëllanë e vogël Hasanin, brenda natës u mbulua me një çarçaf të vjetër dhe shkoi me thonj e duke gërmuar dheun për të gjetur vëllanë. Thonjtë ju bënë gjak, sytë i kishte plagë nga të qarat, zemrën e kishte gurë nga dhimbja, ama Xhemalin nuk e gjeti dot. Sot e kësaj dite djaloshi bukurosh gazetar është pa varr. Vëllai i madh Ibrahimi i arratisur, vëllai tjetër i pushkatuar, burri në burg… prandaj nuk e teproj kur them se Emines i takon t’i them “burrneshë”. Sakrificat e saja janë të një dimensioni gjigand. Shpirti ia di asaj gruaja si i rriti fëmitë e saj, gjithashtu si arriti t’i bënte njerëz me vlera larg të keqes kolektive. Edhe pse Emineja ka 35 vite që ka vdekur mbesa Zenita përmallohet shumë kur flet për hallën. Uroj shumë që me ketë blog modest t’i kem falur dashuri Zenitës, edhe çdo te afërmi të zonjës Emine (Farka) Deliallisi.