Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri Blloshmi: Të fshehtat e dosjes së Gjykatës së Lartë për revoltën e Qafëbarit

Image result for bedri blloshmi

Bedri Blloshmi

 

 

Dosja e Gjykatës së Lartë me numër 12561-a

 

U lexua akt-akuza (faqe 12,13 e dosjes).

I pandehuri Sokol Sokoli tha: “Akuzën nuk e pranoj”.

I pandehuri Sokol Progëri tha: “Akuzën e kuptoj dhe atë nuk e pranoj”.

I pandehuri Tom, Lush e Haxhi tha: “Akuzën e kuptojmë dhe atë e pranojmë pjesërisht”.

I pandehuri Vllasi tha: “Akuzën e pranoj pjesërisht”.

I pandehuri Kostandin tha: “Akuzën e pranoj pjesërisht”.

I pandehuri Bajram tha: “E pranoj akuzën pjesërisht”.

I pandehuri Ndue tha: “Nuk e pranoj akuzën”.

I pandehuri Leka tha: “Unë akuzën e kuptoj dhe në fakt nuk e pranoj”.

I pandehuri Lazër tha: “Akuzën e kuptoj dhe atë në fakt nuk e pranoj”.

I pandehuri Hysen tha: “Akuzën e kuptoj dhe  atë nuk e pranoj”.

Të pandehurit thanë që të gjithë: “Hetimi gjyqësor të fillojë më parë me të pandehurit dhe mandej me dëshmitarët”.

 

 

“Të thërriten për ditën e gjyqit dëshmitarët”

 

  1. Islam Doga
  2. Edmond Caja (komandanti i policisë së burgut)
  3. Simon Deda
  4. Fiqiri Çakalli
  5. Pëllumb Burnaci
  6. Mersin Hasko (instruktor partie)
  7. Riza Xhafa (polic)
  8. Esat Pira (i burgosur)
  9. Ilmi Freskina (i burgosur)
  10. Zenel Zeneli
  11. Miti Zhitro
  12. Aleksandër Vlashi (i burgosur)
  13. Rexhep Buçpapaj
  14. Agim Karametaj (i burgosur)

 

 

Dëshmitari Edmond Caja

Lindi më 1959 (polic në kamp).

“Me datën 22.5.1984 kam pasë mbledhje me efektivin, më thanë se Ndue Pisha nuk ka realizuar normën dhe nuk doli në punë, nuk ndigjoi. Më thanë se nuk e lënë me dalë në punë Sokol Sokoli. Ne u futëm meqë të dënuarit të shkojnë në punë ose në izolim dhe Ndue Pisha nuk ndigjoi me dalë në punë. Unë thashë urdhër që Nduja të shkojë në izolim. Kam parë të dënuarit në dorë me gurë e me tulla dhe kam fiksuar fytyra që turreshin, ishin Sokol Sokoli, Tom Ndoja, Sokol Progri, Lazeri, Lushi, Martini. Ka ardh Martini dhe më tha: “lëshoni Nduen se do derdhet gjaku deri në gju.” Mandej ka ardhur Tom Ndoja me e marrë Nduen. Unë i thashë urdhër policisë lëshojeni Nduen. Unë kam thënë të gjithë të dënuarit në apel. Gurë kishte Sokol Sokoli, Tom Ndoja, Lazeri. Thamë tu i pasë të dënaurit në mense me normalizue gjëndjen dhe ti izolonim ata që kanë qënë me tulla dhe me gurë. Të gjithë të pandehurit në mense kanë ndej bashkarisht në grup, kemi thirrë Kostandinin të parin. Ky tenton me dalë me një tufë të tjerë. Fiksuam 13 vetë në izolim. Doli emri Sokol Sokolit. Tuji dalë unë i thasë nxito. Ai më tha se jam në fund dhe të gjithë të pandehurit që janë këtu dolën grup dhe kanë shpërthyer. Të pandehurit ngjiten lart nga mensa dhe shkuan në fushë të sportit. Ndueja dhe Martini levat e hekurit i kishin fshehur nën dhé. Ne e mbyllëm portën e mensës me çelës dhe donim me dalë me zor të dënuarit. Në fushë ishin Martini, ndërsa Lushi, Sokol Sokoli etj. Haxhia, Sokol Progëri kanë qënë të gjithë të pandehurit ndërsa Vllasi dhe Kostandini nuk më kanë rënë në sy. Unë i thashë këtyre do t’iu izolojmë. Ahere Martini hiqet si shpëtimtar. Kete e kam parë me levë në dorë bashkë me Ndue Pishën. Martini mbante levën në dorë. Hysenit i thashë edhe ti këtu? Edhe ky më tha çdo më bëni ju mue? Martini më thoshte hajde të merremi vesh, si njeri i kompromiseve. Unë dhashë urdhër me shkue në mensë, Sokol Progëri po më bëhët kurth. Çka thonte Martini bënin të gjithë të pandehurit. Në këtë moment ­­­­­­­kritik se ky ishte më insiatori.  I kemi futur në mensë të dënuarit dhe thamë që atë të shkojnë në dhomat e izolimit. Komandanti i repartit i ka bërë thirrje të dënuarve. Kemi pasur disa invalidë me paterica si i pandehuri Vllasi. Kemi thirrur Kostandinin dhe ky tha të dalin shokët, Kostandini i ka thënë po na provokojnë. Ne jemi afruar Sokol Sokolit dhe të pandehurve të tjerë. Lazeri na ka gjujt me stol Vllasi me patericën e ka thyer atë dhe donte me i nxjerrë sytë. Ja ka marrë patericën Bajramit, ka goditur policin mandej ka goditur Simonin që ishte polic dhe gjakosur atë. Sokol Progërin e kam parë me një dru në dorë me u mat me goditë policin. Haxhia me thikë me dy presa doli si gjarpër dhe desh me më goditë. Tom Ndoja dhe ky ishte i dënuar dhe ne e lamë me dalën nga mensa. Të dënuarit thonin fjalë të ndyra për ne policët dhe thonin jashtë policët. Tom Ndoja qëndronte me gurë në dorë dhe i thonte Ismailit hajde se unë do të shqyej ty me këtë gur, dhe mue më ka drejtuar gurët. Kemi realizuar tërheqjen se të pandehurit ishin egërsuar shumë kundër nesh, dhe na bani shenjë kryetari i degës me ba tërheqje. Të pandehurit kanë qënë të pajisur me tulla, me gurë, me leva hekuri. Ata na kanë gjuajtur me gurë. Kam parë që Martin Leka ka kapur instruktorin politik dhe Haxhia ka thënë me e fut në barrelë atë. Të pandehurit na kanë goditë me gurë të mëdhenj. Me Kostandinin kanë qënë edhe Martini edhe Tom Ndoja. Vllasi ka thën “Viva Italia”, ka pasë edhe parrulla armiqsore për udhëheqëisin kryesor të partisë dhe të shtetit nja dy herë, po se kush nuk e di, nuk kam qënë në gjëndje me e fiksue. Kostandini ka qënë tepër aktiv gjatë përleshjes, ka ardh tre metra larg portës. Të tjerët kanë qënë larg 20 metra. Duke zbritur u afrua Sokol Progëri. Na kanë qëlluar me gurë të gjithë këta të dënuarë. Veç të pandehurve këtu ka pasur dhe të dënuar të tjerë. Doli Martini e të tjerë pastaj janë shkëputë. Veprimi i të pandehurve nuk ka qënë spontan, levat e hekurit i kanë nxerrë nga toka. Të dënuarit, dy Sokolat kanë qënë më aktivë së të tjerët. Sokol Progëri ka thënë llafe për mua se në galeri do të të zhdukin tropojanët. Në faktë edhe të dënaurit e tjerë i kanë nxjerrë në punë dhe nuk kemi pasë shqetsime. Instruktori politik u godit me thikë në bark. Abdullai u gërvisht me thikë në bark prej Haxhiut. Kujtimi ka pasë gërvishtje me thikë. Janë goditur policët Simoni, Rizai etj. Këta kryesisht janë goditur me gurë. Sokol Sokoli dhe Sokol Progëri merrnin element të ri në moshë të vogël i kanë tërheqë pas vedit dhe me këta zunë shoqëri. Nderk Nikolli tha nuk dal në punë dhe po futem në dhomën e izolimit. Ndue Pisha ka dasht me dalë në punë dhe Sokol Sokoli dhe Martin Leka i kanë thënë po dole në punë ne do të shqyejmë copa-copa mishin”. (Kjo dëshmi gjendet në faqen 102,103,104,105 të dosjes).

 

Përgjigje e të pandehurve

I pandehuri Sokol Sokoli tha: “Nuk jam dakord me fjalët e dëshmitarit Edmond, ai në fakt nuk thotë të vërtetën këtu para gjyqit. Nuk i jam vërsulur ndokujt.”

I pandehuri Sokol Progëri tha: “Nuk jam dakord me fjalët e dëshmitarit Edmond, se ai në fakt nuk po flet të vërtetën.”

Dëshmitari Edmon Caja tha se Ndue Pisha ka pasë në dorë një kaci.

I pandehuri Lush tha: “Nuk kam gjë me fjalët e Edmondit.”

I pandehuri Haxhi tha: “Nuk jam dakord me fjalët e Edmondit.”

I pandehuri Vllasi tha: “Dakord me fjalët e Edmondit.”

I pandehuri Kostandin tha: “Nuk jam dakord me fjalët e Edmondit.”

I pandehur Bajram tha: “Dakort me fjalët e Edmondit.”

I pandehuri Martin tha: “Nuk jam dakord me fjalët e dëshmitarit Edmond. Nuk kam thënë se do bëhet skandal. Nuk më ka thën kush nga komanda me më autorizue që të mësoj të dënuarit se si me u sjellë. Kur ka ndodh plasja e armës, unë kam qënë tue dalë prej infermierie.”

U pyet. Dëshmitari Edmond tha: “I pandehuri Martin nuk flet të vërtetën këtu para gjyqit. Ky ka sulmuar me Tom Ndojën dhe Kostandinin.”

I pandehuri Lazër, Hyseni e Ndue Pisha nuk kanë gjë me thënë në lidhje me fjalët e dëshmitarit Edmond.

 

Fotografia e Alb-Spirit.com

Please follow and like us: