Mesazhet që Basha i dërgoi Ramës nga protesta e fundit
Ishte protesta më e shkurtër e opozitës se 5 të tjera para saj, por mesazhet e tubimit të së shtunës në kryeqytet ishin domethënëse. Zgjati vetëm 2 orë e gjysmë tubimi i thirrur nën moton tashmë të njihur “Rama ik”, por ndryshe nga herët e tjera incidentet ishin thuajse minimale.
Përpara kryeministrisë munguan molotovët, nuk pati bojë në muret e selisë qeveritare, nuk u pa as tym i zi dhe as përpljasje me policinë. Të shtunën munguan shtyrjet me gardhin e policisë. Policia nuk e hapi kutinë e gazit lotsjellës duke e kthyer atë të paprekur në magazinën e saj.
Vetëm disa shashka dhe shumë banderola. Risia ishin balonat që me sloganin “Rama ik” mbushën qiellin. Më pas një marshim deri të selia e parlamentit, ku duket se një dorë të pabindurish tentuan sërish të përsërisnin skenarin e protestave të kaluara.
Aty nuk munguan gurët dhe tymueset mbi policinë e cila u përgjigj me ujë. Është parë më aktiv se kurrë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi për të tërhequr protestuesit drejt selisë blu. Finalja ishte sërish një mesazh i kryetarit të PD-së Basha për ta mbyllur me himnin kombëtar.
Mesazhet e Bashës për Ramën
Por kjo protestë duket se i shërbeu Ramës për t’i dhënë disa mesazhe kundërshtarit politik. Së pari tregoi se me masivitetin e protestës së të shtunës nuk ka nevojë që të përdorë dhunën. Së dyti Basha artikuloi disa herë togfjalëshin “zgjidhje politike”.
“Jemi gati që së bashku me gjithë faktorët e përgjegjshëm politikë të vendit të hapim rrugën e zgjidhjes politike duke bërë të mundur së pari largimin e pengmarrësit dhe përmes një qeverie tranzitore ndarjen e pushteteve, zgjedhje të lira e të ndershme” – tha Basha në hyrje të PD-së.
Më pas përmendi ndërkombëtarët që sipas tij e kanë lënë të vetëm Edi Ramën ndërsa theksoi se data e zgjedhjeve lokale nuk do të jetë 30 qershori.
“Ky kushtrim është dëgjuar nga miqtë tanë strategjikë. Orët dhe ditët në vijim qofshin ditë reflektimi të thellë për ata që mendojnë se mund ta marrin peng këtë popull se mendojnë se mund ta mbajnë peng qeverisjen e këtij vendi. Për ata që iu shkon në mendje se më 30 qershor do iu shtrëngojnë kularin në fyt shqiptarëve dhe do mbysin demokracinë, kjo nuk ka për të ndodhur” – tha Basha.
“Rama ik, hapi rrugë zgjidhje politike. Beteja jonë po shkon drejt fundit që paracakton historia për kombet që nuk e duan të keqen. Vetëm kjo do ti hapë rrugës zgjidhjes politike. Hapi rrugë zgjidhjes politike”, – e theksoi edhe një herë Basha mesazhin e tij.
1 qershori afati i fundit?
Pak minuta pas mbylljes së protestës nga Partia Demokratike erdhi edhe konfirmimi për protestën e ardhshme. Ajo do të jetë pas një jave, në datën 31 maj. Arsyeja e protestës në këtë datë vjen për shkak se më 31 maj, Edi Rama ka deklaruar se nis zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet lokale. Kjo protestë në këtë afat kaq të shkurtër konfirmon edhe një herë zërat se kjo javë do të jetë vendimtare për zgjidhjen e krizës politike të cilën ndërkombëtarët duan t’i japin fund pa u shpallur fushata elektorale. ©LAPSI.al