Albspirit

Media/News/Publishing

Deklasifikimi i bisedave Clinton-Yeltsin: Kosova, tema që ndau më së shumti dy presidentët

Në një seri bisedash të gjata telefonike dhe direkte, Presidenti amerikan Bill Clinton dhe ai rus Boris Yeltsin, kanë diskutuar shumë shpesh për Kosovën në vitet 1998-99.

Dy dekada më vonë janë publikuar të gjitha bisedat e dy ish-burrështetasve që prej vitit 1996 e deri në fund të vitit 1999, raporton KTV.

Kosova për herë të parë mes dy liderëve përmendet në fillim të prillit 1998, vetëm një muaj pas nisjes së luftës.

Pasi që Yelstini i thotë Clintonit se çështjen e Kosovës duhet zgjidhur nëpërmjet Grupit të Kontaktit, Clintoni i thotë se druan që konflikti do të marrë përmasat e Bosnjës.

Në këtë fillim, Clintoni i thoshte Yeltsinit se qëllimi imediat duhet të jetë që Kosova të mbetet nën Jugosllavi me një nivel autonomie.

Yeltsini i thotë Clintonit se po punon me Millosheviqin, të cilin e quan shumë kokëfortë, por me të cilin mund të arrihen marrëveshje.

Presidenti rus tha se do të angazhohej ta bindë Millosheviqin ta ndalë dhunën ndaj shqiptarëve

Clintoni citohet t’i ketë thënë disa herë Yeltsinit se Millosheviqi është shumë i vogël dhe i parëndësishëm për të ndërhyrë në marrëdhëniet e mira ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë, në atë kohë.

Në gusht 1998, Clintoni sërish i përsëriste Yeltsinit se nuk do të lejonte një Bosnje të dytë, dhe ai nuk do të lejonte vazhdimin e krimeve kundër shqiptarëve.

Marrëdhëniet ishin vështirësuar kur NATO-ja kishte nisur fushatën e bombardimeve, me Yeltsinin që kërkonte vazhdimisht ndërprerjen e tyre.

Presidenti rus i tregonte atij amerikan se kishte batalione ruse të ushtrisë të cilat ishin të gatshme të niseshin për në Jugosllavi për ta ndihmuar Millosheviqin në luftën kundër NATO-s.

Por, kushdo që e ngriste këtë mundësi, përjashtohej menjëherë nga ushtria nga ana e Yeltsinit.

Clintoni ia kishte shpjeguar disa herë Yeltsinit se për t’i ndërprerë bombardimet, duhet që i gjithë arsenali serb me ushtarë, paramilitarë e policë të tërhiqen nga Kosova.

Kjo në mënyrë që rreth 1 milion refugjatë shqiptarë të Kosovës të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Ai i shpjegonte Yeltsinit gjithashtu se për t’u kthyer refugjatët duhej një prezencë ndërkombëtare ushtarake, me amerikanët si pjesë e rëndësishme e tyre.

Clintoni e garantonte Yeltsinin se NATO-ja nuk do të lejonte sulme hakmarrëse të shqiptarëve kundër serbëve.

Ai gjithashtu ishte angazhuar për demilitarizimin e UÇK-së dhe e kishte paralajmëruar presidentin rus se UCK-ja po përgatitjet të sulmonte rusët që ishin stacionuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, porse ishin tërhequr pas paralajmërimit amerikan që të mos e bëjnë një gjë të tillë.

Telefonata e fundit e regjistruar ndërmjet dy liderëve ishte e 31 dhjetori 1999, dita kur Yeltsini dha dorëheqje nga posti i Presidentit dhe Vladimir Putini u bë ushtrues detyre i Presidentit.

Please follow and like us: