Albspirit

Media/News/Publishing

Tetori i librit në Konsullatën e Shqipërisë dhe të Kosovës në Milano


Me pjesëmarrjen e shkrimtarëve Irma Kurti e Durim Taci, të gazetares Sonila Alushi si dhe njohësit të kulturës shqiptare Nicola Eynard

 

Në kuadrin e muajit të librit në një nga mjediset e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës në Milano u organizua një takim me shkrimtarët Irma Kurti e Durim Taçi si dhe njohësin e historisë dhe kulturës shqiptare, Nicola Eynard. Takimi u drejtua nga Sonila Alushi, gazetare, aktiviste dhe presidente e Fondacionit Migra.

Pasditen kulturore e hapi konsullja e përgjithshme Anila Pojani, e cila foli për rëndësinë e nismës së Ministrisë së Kulturës për ta shpallur muajin tetor si muajin e librit si dhe për organizimin e aktiviteteve që i shërbejnë afrimit dhe sensibilizimit të brezit të rinj ndaj leximit. Motoja “Lexo shqip!” merr një vlerë të veçantë duke patur parasysh se mijëra emigrantë jetojnë dhe punojnë ne Itali.

I pranishëm ishte gjithashtu konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Milano, Adrian Andreja.

Sonila Alushi lexoi një biografi të shkrimtarëve të ftuar duke ia lënë më pas atyre fjalën.

Irma Kurti foli per fillimet  e hershme të karrierës letrare, eksperiencën si autore e teksteve të këngëve të suksesshme në festivale në RTSH si dhe recitoi poezi nga librat e saj.

Durim Taçi, shkrimtar dhe përkthyes i më shumë se 40 librave nga anglishtja dhe italishtja, foli për këtë eksperiencë shumëvjeçare si dhe u ndal në librin e tij të ri autobiografik, që sapo ka dalë nga shtypi të titulluar “Extra Time” nën logon e Botimeve Fishta. Ai lexoi për të pranishmit disa fragmente nga kjo vepër.

Nicola Eynard lexues i apasionuar dhe njohës shumë i mirë i letërsisë shqiptare u ndal në krijimtarinë e shkrimtares Anilda Ibrahimi si dhe lexoi pjesë nga romani i saj në gjuhën italiane “Rosso come una sposa”.

 

 

Please follow and like us: