Shaban Murati: A po i delegon Shqipëria sovranitet Serbisë?
Shaban Murati
Gjëra të çuditshme po ndodhin në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë. Në datën 10 nëntor presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas minisamitit trepalësh në Ohër me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe me kryeministrin e Shqipërisë, njoftoi se do të shkonte në Paris dhe do të takonte presidentin francez Makron për t’i kërkuar mbështetje për projektin e tij të “zonës së përbashkët ekonomike ballkaniko-perëndimore” dhe deklaroi tekstualisht: “Me lejen e Ramës dhe të Zaevit, unë do t’i kërkoj Makronit gjërat, që për ata të dy janë të rëndësishme, dhe gjithashtu çfarë është e rëndësishme për mua dhe do t’i kërkoj mbështetje për këtë projekt”.
Është e habitshme në kufijtë e skandalit që kryeministri i Shqipërisë ka ngarkuar dhe i ka dhënë mandat presidentit të Serbisë t’i paraqesë presidentit të Francës çështjet dhe kërkesat e rëndësishme për Shqipërinë. Është e habitëshme për disa arsye:
Së pari, që presidenti i Serbisë do t’i flasë presidentit të Francës në emër të Shqipërisë. Një tagër, që nuk ia ka dhënë as Kushtetuta e Shqipërisë dhe as parlamenti i Shqipërisë.
Së dyti, Shqipëria është shtet i pavarur, që ka marrëdhënie diplomatike me Francën që nga viti 1945, që kanë ambasada në kryeqytetet e tyre respektive dhe që çdo vit shkëmbejnë vizita zyrtarësh të lartë në kryeqytetet përkatëse dhe marrin pjesë në forumet e larta europiane, atlantike e rajonale, ku krerët e shteteve dhe të qeverive kanë rastin të takohen rregullisht çdo vit.
Së treti, Shqipëria është shtet anëtar i NATO-s, dhe në bazë të nenit 5 të Traktatit themelues të NATO-s të dy shtetet tona janë të detyruar të luftojnë për njeri-tjetrin në rast sulmi nga një palë e tretë, përshembull nga Rusia. Befas Shqipëria, shtet anëtar i NATO-s, për t’i transmetuar presidentit të Francës çështjet e rëndësishme të anëtarit të NATO-s me emrin Shqipëri, i jep mandat presidentit të një shteti si Serbia, e cila e ka të ndaluar me ligj hyrjen në NATO, dhe e cila çdo vit celebron një ditë zyrtare anti NATO.
Së katërti, presidenti i Serbisë me mandatin zyrtar, që i ka dhënë kryeministri i Shqipërisë dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut për t’i përfaqësuar te presidenti francez, përuron dhe sanksionon rolin e tij si lider i bllokut të ri ekonomiko-politik, të sapo krijuar në Novi Sad, me emrin “zona e përbashkët ekonomike ballkaniko-perëndimore”.
Ajo, që është për të vënë duart në kokë, është fakti që presidenti i Serbisë nuk po shkonte për vizitë dypalëshe në Francë, por për të marrë pjesë në “Forumin e Paqes” të organizuar në 11-13 nëntor në Paris, ku është ftuar edhe Shqipëria, dhe merr pjesë presidenti i Republikës, Ilir Meta. Është lehtë të imagjinohet habia e presidentit francez, kur dëgjon që kërkesat e Shqipërisë qeveria e Shqipërisë i ka ngarkuar presidentit të Serbisë t’ia paraqesë atij, në një kohë që në Paris po atë ditë ndodhet presidenti i Shqipërisë.
Na vjen apo nuk na vjen mirë ta pranojmë, Serbia me këtë mandat shqiptar përfaqësimi shfaqet me një rol të ri të protektorit të Shqipërisë, të cilin vetë qeveria shqiptare e ka autorizuar të bëjë tratativa me kryetarë shtetesh të huaja për çështje të rëndësishme të Shqipërisë. Me apo pa dëshirë qeveria e Shqipërisë i ka deleguar Serbisë sovranitet në një fushë jetike dhe për një atribut jetik të shtetit shqiptar, siç është politika e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Pra menjëherë pas minisamitit të dytë në Ohër të bllokut të ri ekonomiko-politik ballkaniko-perëndimor të udhëhequr nga Serbia, shfaqet asimetria e funksionimit të këtij blloku, i cili meqë është nismë dhe projekt i presidentit të Serbisë, do të drejtohet nga Beogradi dhe nga Vuçiçi si lider rajonal. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, që kanë pranuar rolin e vasalit, do të kënaqen duke patur nga një aheng diplomatik serb në Durrës apo në Ohër. Burime të MPJ të Shqipërisë thonë se edhe draftet e dokumenteve të minisamiteve i përgatit dhe i paraqet diplomacia serbe. Serbia pritet të udhëheqë bllokun e ri ballkaniko-perëndimor jo vetëm për çështjet e këtij blloku, por edhe në arenën ndërkombëtare, për çështje që u takojnë individualisht dy shteteve të tjera anëtare.
Në këtë mënyrë, menjëherë pas dalldive falso të firmosjes së dokumenteve themeluese të mikrosamitit ballkaniko-perëndimor, Shqipëria po hyn në rrugën e humbjes së sovranitetit. A është ky sinjali i vetëm i rrokullisjes së sovranitetit dhe pavarësisë politike të shtetit? JO.
Në datën 8 gusht 2019 kryeministrja e Serbisë Ana Bernabiç njoftoi se Serbia do të hapë së shpejti një pikëkalim kufitar të integruar me Maqedoninë Veriut, dhe njoftoi gjithashtu se pikëkalime të tilla kufitare të integruara Serbia do të ndërtojë edhe me Shqipërinë dhe me Bosnjë-Hercegovinën. Kam pritur me ankth disa muaj që njëra apo tjetra zyrë e lartë shtetërore në Tiranë të sqaronte apo të përgënjeshtronte njoftimin e kryeministres së Serbisë për ndërtimin e pikëkalimit të përbashkët të integruar kufitar midis Serbisë dhe Shqipërisë. Nuk pipëtiu kush. Kam pyetur autoritete diplomatike shqiptare lidhur me këtë njoftim bombë, por ata nuk kishin asnjë dijeni se çfarë po ndodh në tunelin e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi.
Njoftimin e krijimit të pikës së përbashkët kufitare të integruar midis Serbisë dhe Shqipërisë e dha kryeministrja e Serbisë dhe jo ndonjë tabloid apo portal trotuaresh. Kjo do të thotë që kryeministrja e Serbisë ka dalë me një njoftim zyrtar pasi janë zhvilluar tratativa për çështjen në nivelet më të larta me qeverinë e Shqipërisë. A e din kryeministrja e Serbisë se midis Serbisë dhe Shqipërisë nuk ka kufij të përbashkët dhe se është absurde të flasësh për pika kalimi të përbashkëta të integruara midis dy shteteve jokufitare? A e din kryeministrja e Serbisë se midis Serbisë dhe Shqipërisë shtrihet një shtet tjetër që quhet Kosovë, dhe i cili ka kufij shtetërorë me Serbinë? Natyrisht i di, por ajo nuk po shprehte opinione për kufijtë, por po jepte njoftimin zyrtar se Serbia do të ndërtojë pikëkalimi të përbashkët të integruar kufitar me Shqipërinë.
Dikush nga nivelet më të larta të Shqipërisë duhet t’i ketë ofruar qeverisë serbe gatishmërinë për të ndërtuar pika kalimi kufitar të integruara midis Shqipërisë dhe Serbisë, përderisa ajo del publikisht dhe e njofton si fakt të kryer se do të ndërtohen, dhe përderisa Tirana zyrtare nuk e përgënjeshtron për muaj me radhë. Nuk përbën habi që kryeministrja nacionaliste e Serbisë nuk i njeh kufijtë shtetërorë të Kosovës me Serbinë dhe as shtetin e pavarur të Kosovës, dhe i ngul kufijtë shtetërorë të Serbisë në kufijtë midis Shqipërisë dhe Kosovës. Çështja qëndron te guximi i saj që të shpallë ndërtimin nga Serbia dhe Shqipëria të pikave të kalimit kufitar të integruara midis Shqipërisë dhe Serbisë dhe qeveria e Shqipërisë të heshtë dhe as të mos sqarojë popullin dhe kombin se si është e vërteta, pa le më të protestojë, që është një folje që nuk e njohin rajatë. Në mungesë të reagimit të gjatë disamujor të qeverisë së Shqipërisë dhe kur ajo me vetëmohim internacionalist po futet në një bllok ekonomiko-politik të ri ballkaniko-perëndimor nën udhëheqjen e Serbisë, natyrshëm lind dyshimi se cedime të prapaskenshme mund t’i jenë bërë qeverisë serbe lidhur me statusin e kufijve shtetërorë. Nëse marrim të mirëqenë njoftimin e kryeministres serbe, kjo do të thotë që i është deleguar Serbisë e drejta e kufirit shtetëror me Shqipërinë dhe është fshirë kufiri shtetëror i Kosovës me Shqipërinë dhe me Serbinë, dhe është fshirë edhe vetë Kosova si shtet i pavarur.
Nëse i shtohet këtyre provave të dhimbshme edhe mjerimi që Tirana po hyn në një bllok të ri ekonomiko-politik nën udhëheqjen e Serbisë, në një kohë që Serbia nuk e njeh Kosovën dhe po lufton ta zhbëjë atë, atëherë konturohet një situatë tragjike e humbjes graduale të sovranitetit të shtetit shqiptar dhe të kombit shqiptar. Ndaj veproi me përgjegjësi shtetërore dhe kombëtare Kosova, që refuzoi të bashkohej me këtë bllok serb, që sanksionon statusin e saj kolonial si provincë e Serbisë.
Deri tani të gjitha organizatat rajonale të krijuara në Ballkan pas shembjes së komunizmit, që nga SEECP e deri te “Ballkan 6” e “Procesi i Berlinit”, kanë patur si bosht lidhjen e vendeve të rajonit me integrimin europian dhe anëtarësimin në BE. Blloku i ri i krijuar nga Serbia nuk ka asnjë lidhje me integrimin europian, por është alternativa serbe dhe ruse si kundërvënie ndaj integrimit europian. Është rruga e hegjemonisë serbe në bllokun e ri. Ndaj entuziazmi i presidentit serb shkon në kulme euforike si në 10 nëntor, kur ai shpall që “nuk ka asgjë më të mirë të krijuar në Ballkan në 30 vitet e fundit se sa mini Shengeni”, duke zhvleftësuar me lapsin nacionalist serb si shembjen e komunizmit, ashtu dhe anëtarësimin në BE dhe në NATO të vendeve të rajonit. Qëllimet e këtij blloku të ri ekonomiko-politik të Serbisë i përkufizon saktë presidentja e Këshillit të Dhomave të Tregtisë së Maqedonisë së Veriut, ekspertja e ekonomisë, Danela Arsovska, kur deklaron: ”Nën pretekstin se asosiacioni ekonomik është i rëndësishëm po përkrahet një izolim i ri, ku Beogradi do të udhëheqë Shkupin dhe Tiranën. Për Serbinë ne kemi një pozicion të shkëlqyer gjeostrategjik dhe është e rëndësishme për Serbinë të ketë hyrje në Greqi dhe në portet shqiptare. Projekti është hyrje në një sistem të mbyllur të tre shteteve, në vend që të integrohen në BE. Sikur ne nuk ishim mjaftueshëm të izoluar në një geto të Ballkanit Perëndimor, dhe tani ne do të izolojmë vetveten në një format edhe më të vogël “mini Shengen”. Një mini Shengen për Serbinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë, është një ide që duhet hedhur poshtë para se të lindë”.
Një nga efektet e para të këtij blloku të ri ekonomiko-politik të udhëhequr nga Serbia është humbja graduale e sovranitetit të dy shteteve pjesëmarrëse. Është e kuptueshme për Maqedoninë e Veriut, e cila që në aktin themelor të krijimit të saj në referendumin për pavarësinë në shtator 1991 ka votuar që të bashkohet në të ardhmen me një aleancë të shteteve jugosllave dhe e ka bazën ligjore të bashkimit në një bllok të ri ish-jugosllav të udhëhequr nga Serbia. Por ç’punë ka Shqipëria me një aleancë të shteteve jugosllave apo me “rikrijimin e Jugosllavisë së vjetër, plus Shqipërinë”, sikurse e ka pohuar vetë presidenti serb Vuçiç në deklaratën e tij të famshme të 6 prillit 2017 në mediat amerikane sapo u zgjodh president? Po qeveria e Shqipërisë çfarë baze ligjore ka që po futet në një bllok ekonomiko-politik të udhëhequr nga Serbia dhe që po i delegon Serbisë sovranitet në politikën e jashtme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë? Ka qenë një kohë që Shqipëria ishte vasale e Serbisë në vitet 1944-1948, siç ka qenë një kohë që ishte vasale e Rusisë në vitet 1948-1961, dhe Tito e Hrushovi flitnin në arenën ndërkombëtare në emër të Shqipërisë.
Tekstet shkollore na thonë se ajo kohë ka perënduar dhe ka mbetur pas krahëve, sepse Shqipëria është bërë anëtare e NATO-s. Por befas shohim në vitin 2019 që presidenti i Serbisë i deleguar nga qeveria e Shqipërisë do t’i flasë presidentit të Francës në emër të Shqipërisë. Është një situatë tragjike, ku aq shumë përshtaten vargjet e mikut tim të shquar dhe poetit nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë, Xhevahir Spahiu: “Qaj moj Shqipëri, ulër moj e gjorë”.