KLP vendos Olsian Çelën në krye të listës për Prokuror të Pëgjithshëm
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka bërë renditjen përfundimtare të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. Pas dëgjesave publike ditën e mërkurë, KLP ka renditur të parin me 459 pikë, prokurorin Olsian Çela. E dyta është renditur Arta Marku me 406 pikë dhe e treta Fatjona Memçaj me 362 pikë. Lista me renditjen përfundimtare do ti shkojë Kuvendit i cili mund të votojë secilin nga tre kandidatët, megjithatë kreu i KLP-së Gent Ibrahimaj tha se shpreson që Kuvendi të ndjekë logjikën e KLP-së pasi ata janë organi që bën vlerësimin profesional të kandidatëve. Sipas ligjit për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Kuvendit i duhen 84 vota për ta zgjedhur dhe nëse nuk ka konsensus atëherë zgjidhet automatikisht kandidati i renditur i pari në listën e KLP-së. Vendimi i sotëm i KLP-së mund të ankimohet nga secili prej kandidatëve brenda një afati prej 3 ditësh.