Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Koka: Mrekullia e Krishtlindjeve të vitit 1914

            Image result for krishtlindjet e hershme"     

Foto ilustruese nga festimi i Krishtlindjeve                                                                           

 

Lufta e Parë Botërore nisi midis dy aleancave të mëdha, Britania e Madhe, Franca dhe Rusia nga njëra anë dhe Gjermania, Austro-Hungaria dhe Turqia nga ana tjetër. Më vonë hynë në konflikt edhe shtete të tjera, kështu që ajo mori përmasa botërore.

Fronti më luftarak ishte fronti perëndimor, konkretisht në hapësirën ndërmjet Belgjikës dhe veriut të Francës. Këtu anglezët, francezët dhe belgët duhej të pengonin përparimin e gjermanëve. Në fund të vjeshtës, pikërisht pranë vendit të quajtur Ypres, të dyja palët ishin përballë njëra tjetrës, në një betejë që luftohej për jetë a vdekje. Ata ndaheshin nga njëri-tjetri nga disa llogore. Duke luftuar kundër njëri-tjetrit, secila palë fitonte ose humbiste disa pak metra terren.

Gjendja ishte shume e keqe dhe të gjithë jetonin në baltë dhe shi, ndërkohë që kufomat e të dyja palëve dekompozoheshin. Kështu, ata ishin pjesë e një të keqeje të përbashkët. Duke u gjendur në të njëjtën situatë dhe shumë pranë njëri-tjetrit ushtarët filluan të komunikojnë dhe, më pas, të ndihmojnë njëri-tjetrin. Kështu, në të dy krahët u shfaqen shënja solidariteti, si psh, ata nuk hapnin zjarr gjatë vakteve të ngrënies. Kuptohet, për këto veprime ruhej sekreti nga të dy palët sepse në rast të kundërt do të akuzoheshin për tradhëti.

Në prag të Krishtlindjeve të dhjetorit 1914, urdhëri nga komandot përkatëse ishte që të mos ndërpriteshin luftimet. Por pavarësisht kësaj, komandot e të dy krahëve dërguan në Ypres disa dhurata, si ëmbëlsira, pije, duhan, pemë të vogla krishtlindjesh dhe qirinj. Ushtarët gjermanë braktisën të parët llogoret dhe u drejtuan tek kundërshtarët e tyre duke kënduar këngë angleze. Më pas ushtarët dolën nga llogoret dhe shkëmbyen dhurata, i treguan njëri-tjetrit fotografitë e familjarëve të tyre, ndërsa një prift kreu një meshë për të dyja palët.

Kishte ndodhur e pabesueshmja, anglezët dhe gjermanët ndodheshin përballë njëri-tjetrit, duke pirë çaj dhe uiski. Një pjesë dolën fotografi në grup. Urrejtja ishte shuar dhe askush nuk mendonte për luftën. Ajo që e bënte krejt të veçantë dhe shumë prekëse këtë festim të Krishtlindjeve ishte fakti që ata luajtën futboll me njëri-tjetrin. Kjo ndeshje futbolli, që u luajt në Ypres më 25 dhjetor 1914, ishte ndoshta ndeshja me e veçantë dhe me e bukur që ishte parë ndonjëherë në historinë e futbollit. Ndeshja e futbollit u bë simboli i Krishtlindjeve kaq të jashtëzakonshme. Për pak orë, toka për të cilën po luftohej pëllëmbë për pëllëmbë, ajo që quhej tokë e askujt, u shndërrua në një fushë futbolli. Ja disa vargje në lidhje me të:

“Pushkët mbetën në heshtje

pa e shqetësuar natën.

Folëm, kënduam, qeshëm

dhe për Krishtlindje luajtëm futboll së bashku,

në baltën e tokës së askujt”.

 

Dëshmitarët tregojnë se ajo çfarë u vu re, menjëherë pas përfundimit të Krishtlindjeve, ishte fakti se megjithëse lufta filloi, ushtarët nuk mund të qëllonin kundër njëri-tjetrit. Urrejtja ishte zbehur, motivi i luftës kishte rënë. Kështu, kapiteni anglez J.C. Dan kujton me melankoli se: “U përshëndetëm dhe rihymë në llogore… pastaj dëgjuam të shtëna,… lufta kishte rifilluar”.

Ndërsa në kujtimet e tij, ushtari anglez Xhorxh Id shkruan: Një gjerman më pëshpëriti me zërin që i dridhej: “Sot kishim paqen, por nesër ti do të luftosh për vendin tënd dhe unë për vendin tim. Paç fat!”. Më pas, në heshtje, u kthye dhe shkoi në anën tjetër. Mrekullia kish marrë fund”.

Drejtuesit e lartë të luftës në të dy krahët përdorën të gjitha mënyrat që lajmi i këtyre Krishtlindjeve kaq të  veçanta të mos përhapej, sepse kjo mund të demotivonte krejt ushtarët e të dy palëve. Thuhet se lajmin e dha vetëm Nju Jork Times dhe gazeta londineze Times nga shtypi europian. Gjithashtu drejtuesit e lartë të luftës përdorën të gjitha metodat që një gjë e tillë të mos ndodhte më. U njoftua se do të dënohej me vdekje kushdo që do të kishte kontakte me armikun. Po kështu, u hodh ideja që të bombardoheshin llogoret pikërisht në ditët e Krishtlindjeve. Thuhet gjithashtu që ushtarët e të dy palëve në Ypres, u shpërndanë dhe u dërguan në fronte të tjera, në mënyrë që të harrohej episodi i festimit të Krishtlindjeve së bashku.

U organizua një operacion i vërtetë çensure që lajmi të mos përhapej, madje ky episod u mohua zyrtarisht nga drejtuesit ushtarakë të të dy palëve. U theksua gjithashtu se episodi nuk kishte ndodhur kurrë. Pra, u kryen të gjitha përpjekjet që kjo histori e mrekullueshme të zhytej në harresë. Në vitet që pasuan Ypres u bombardua pareshtur me armë kimike, bombardime që përfshinë edhe popullatën.

Përpjekjet për ta zhytur në mjegull dhe harresë këtë histori, e cila është konsideruar si përralla më e bukur e Krishtlindjeve, ishte kaq e madhe saqë në librat e historisë nuk ka pothuaj asnjë gjurmë për të. Më tepër ka krijime artistike, ekranizime, romane dhe  këngë folk. Madje, ka dhe zëra të tillë, që thonë se asgjë të vërtetë nuk ka nga kjo histori, dhe e gjitha është trillim. Por, edhe sikur të jetë kështu, është një trillim kaq prekës, dhe përçon një mesazh sa human edhe të dobishëm, që marrëdhëniet njerëzore qëndrojnë mbi gjithshka, edhe mbi kombin.

 

Please follow and like us: