Ilnisa Agolli: Sot vrava një burrë!
Në ballkonin përbri
shoh gjithnjë të njëjtin burrë
Ai nuk punon kurrë dhe ka gjithë jetën me kollë,
një tingull i padurueshëm
si modeli i flokëve.
Në ballkonin përbri
sa herë ia dëgjoj kollën e çuditshme
burrit që gruan ia shoh rrallë
unë pi tri cigare rresht.
Sot, lëvizjeve të përsëritura
iu shtua një mizë.
Po, pashë një mizë, ndërsa i afrohej,
ti nuk mundesh të kuptosh,
këngën e një mize.
As nga kati i katërt
as kur bie shi, doja t’i thoja.
Këngën e një mize e kupton veç miza brenda gojës tënde
aty, në katin e katërt,
ndërsa gruaja bën dush.
Çudi e madhe,
askush nuk e kupton orgazmën e një mize,
si një dashnore ajo po hyn vjedhurazi
në shtëpinë e këtij burri
dhe unë e shoh
se si shkon në mesin e bajameve të tij
në atë vend të ngrohtë
ku vërshojnë sekrecionet
dhe përplasen dhëmballëve
si deti shkëmbinjëve.
Ti nuk mund të kuptosh këngën e një mize
në mesin e një burimi
ku pështyma është kryengritëse si kënaqësia dhe vuajtja përmbysëse si dhëmballët që i mungojnë.
Oh, sa bukur këndon miza
në fytin e fqinjit tim të shkretë që i fryhen sytë papritur dhe më pas bota ndalet.
Por
ai as që e ndjen
këtë çast sublim.
Është kaq i gjorë
saqë nuk i pushon kurrë kolla
edhe pasi vdes.
Ç’trishtim të vërtitesh vetëm në shtëpi dhe mos kuptosh asgjë.
Ja, si e mbyll dritaren,
ja si e besdis prania ime,
ja si ikën
fshihet pas murit,
ndërsa unë belbëzoj:
ç’fatkeqësi të mos jesh mizë.