Dashamir Uruçi: PSE DUHET LËNË SIMBOLI SERB ME TRE GISHTA, PRANË SHTATORES SË “PARTIZANIT TË PANJOHUR” NË TIRANË…?!
Jemi mësuar me këtë përmendore pranë qendrës së Tiranës ku kemi kaluar shumë prej nesh me qindra e me mijëra herë.
Ajo e ka fituar qytetarinë dhe e heshtur ka qëndruar e besoj do të qëndrojë gjatë, në nderim të atyre luftëtarëve që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë.
Kam kaluar dhe thuajse gjithmonë e kam kundruar në distancë, pa u marrë në mënyrë të detajuar me elementët që e shoqërojnë përmendoren.
Rreth një vit më parë mësova nga inxhinieri dhe patrioti PETRO LUARASI se dardha tek kjo përmendore me të vërtetë e ka bishtin prapa.
Në një pllakë bronxi, të vendosur në bazamentin e saj, flinte qetë-qetë prej më shumë se 70 vjeteve, simboli serb me tre gishta.
Një dron fluturoi me shqipen dykrenare në stadiumin e Beogradit dhe me mijëra tifozë bërtisnin “Ubijte Allbanci”-Vritini shqiptarët…!
Shumë poshtë kemi rënë.
Kemi lëshuar me simbolet e Serbisë e të Greqisë, kemi lejuar varre ushtaresh grekë me eshtra shqiptarësh, kemi lejuar shtatore të krimineleve në shërbim të Greqisë të ngrihen në qytetet e fshatrat e Shqipërisë, kemi braktisur vëllezerit tanë në Kosovën Lindore në Çamëri e gjetkë.
Mbajmë në punë shkollat e minoritetit dhe mbyllim shkollat e fëmijëve tanë e çfarë nuk kemi bërë.
E të gjitha këto lëshime bëhen nën okelion e të drejtave të minoriteteve, të politikave tona tolerante e moderne, ndërkohë që këtë lloj filmi nuk mund ta shohësh në asnjë prej vendeve europiane as sot dhe as mot…!
Unë mendoj se të gjitha këto që kanë ndodhur e të tjera si këto që do të ndodhin pas janë të lidhura me faktin se ne shqiptarët nuk kemi ditur të zgjedhim thuajse asnjëherë, liderët tanë politikë të cilët ta kenë mendjen tek populli i vet e atdheu e jo tek majmëria e babëzia e pakufishme…!
Një kujtim pranë shtatore së “PARTIZANIT TË PANJOHUR”,
Dashamir URUÇI,
Tiranë, Mars 2020.