Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Toleranca shndërrohet në krim kur zbatohet ndaj së keqes

Bardhyl Berberi

 

Ngjarja e kombinatit, fatkeqësinë e nënës dhe vajzës dhe vajzës tjetër në agoni të le pafrymë ka disa ditë që nuk më hiqet nga mëndja… Si asociacion më erdhi një ngjarje tjetër që e kam parë me sytë e mi, një vajzë 12-vjeçare në Velçan të Mokrës e cila bëntë pjesë në një sekt fetar dhe ishte varur me litar në kasollen e bagëtive, sipas shoqeve të klasës e cila iu kishte thënë se “do të shkonte në botën tjetër për një jetë më të mirë e më pas do të ringjallej…”.

Pse tregohemi tolerantë ndaj këtyre sekteve fetare që po marrin jetë njerëzish?  Befas para një dyqani me mallra të përdorura më ka kapur një trishtim tjetër. Pashë nëna me fëmijë të vegjël që blinin çanta të përdorura për fëmijët e tyre, shumica që do të hynin për herë të parë  në klasën e parë… Këta prindër  të varfër me sy të përlotur mundoheshin të zgjidhnin ndonjë çantë sa më pak të përdorur dhe pak më tutje ndonjë bluzë apo atlete të përdorura. Kjo ishte e turpshme. Dhe befas shkova në shtëpi dhe po ndiqja debatin në parlament,  pikërisht ato skenat emocionale që prodhonin deputetë tanë të ‘nderuar’ që një takëm prej tyre janë me diploma të dyshimta që para se të vinin aty kishin punuar kamarierë apo shitësa karburanti  apo rrobaqepësa që na u bënë më vonë edhe presidentë. Pse shoqëria është tolerante ndaj këtij kontigjenti që dhjamoset me taksat tona?

Le të shikosh një listë të këshilltarëve ku të doni, në çdo bashki. Asnjë personalitet, asnjë njeri me emër dhe individualitet të shquar, pjesa dërmuese me shkollim të dyshimtë me korespondencë në këto vitet  e tranzicionit, njerëz pa asnjë vlerë, me një kulturë të përgjithshme nën minimalen dhe… këta farë burrash vendosin për fatin e rrethit… Dhe ne përsëri tolerantë, heshtim e derdhim pakënaqësinë vetëm nëpër tavolina kafenesh. Një numër i madh i të rinjve, po regjistrohen në fakultete, mbarojnë studimet, bëjnë master, doktoraturë, por sërish mbeten nën mëshirën e partive politike, varësisht cila prej tyre është në pushtet. Ata sërish mbeten të mashtruar në rrugë dhe pa fatin e përcaktuar në planin profesional. Pjesa dërmuese e tyre punojnë kamarierë në Tiranë sepse kanë turp që të kthehen në qytetin e vet dhe të qëndrojnë papunë, ndërkohë që në administrat e bashkive e të qarqeve shikon shefera që janë bërë drejtora apo pensionistë pa asnjë vlerë që janë marrë si këshilltarë. Dhe përsëri jemi tolertantë, këta injorantë apo gjysëm të ditur paguhen nga taksat tona…

Administrata  shtetërore dhe institucionet e ndryshme janë të stërmbushura nga individë të tillë, shumica të papërgatitur dhe tejet inferiorë për të kryer detyrën që i kërkon vendi i punës. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat statistikore dhe hulumtimet e organizatave joqeveritare brenda dhe jashtë vendit.
Bashkimi Europian së fundi ka tërhequr vërejtjen për administratën e stërngarkuar me aktivistë partiakë dhe për përsërit nevojën urgjente të profesionalizimit të saj.

Në Shqipëri është bërë pothuajse e pamundur të gjendet një punë pa testër  partiake apo pa blerë vendin e punës. Partitë politike punësojnë familjarët dhe bashkëpartiakët e tyre, të cilët iu duhen për zgjedhjet e ardhshme për të mbajtur sërish për fushatë. Por natyrshëm lind pyetja: Sa do t’i kushtojnë pushtetit të sotëm dhe taksapaguesve kjo administratë apo njerëz pa shkollë që merr kryetari i Bashkisë dhe i bën drejtora dhe  e gjithë kjo shpurë paguhet nga taksat tona, të gjithë këta  kunguj që atij ia do puna…

Për të shmangur injorancën e vet njerëzimi ka shpikur shkollën, librin, universitetin, akademitë, ligjet, kishën, xhamitë, karrierën dhe hierarkinë, madje dhe vijat e bardha ku duhet të ecësh.

Shoqëritë e përparuara kanë vendosur rregulla dhe ligje të padiskutueshme, mbi të gjitha ligjet: Nuk mund të bësh karrierë në shtet, në administratë dhe institucione, nëse nuk ke arsimin e lartë; nuk praohesh pa shkollë dhe gjysmakë, me diploma të dyshimta të blera me lekë jo e jo. I keni parë skenat e tmerrshme tek “Fiks Fare” se si merren provimet. Tek ne fenoment negative e kanë vënë aq poshtë shoqërinë tonë sa është shumë e vështirë që të zhbëhet nga e para në një rrjedhë normale.

Nuk ka më të dëmshme dhe më të rrezikshme kur gjysmë injoratët me diploma të blera apo false dhe anafabetët i marrim dhe i vendosim në krye… Këtë takëm njerëzish me ‘diplomë’ i kemi me shumicë kudo në krye të institucioneve, në Bashki, në administratë. Të gjithë janë të pajisur me diploma, madje jo vetëm me një diplomë, por me disa… Ky takëm që ngjit shkallët dhe kap poste drejtuese nuk di të shkruaj emrin e tyre pa gabime; çuditërisht mbarojnë shkollën, por nuk mbajnë mend asnjë emër të bashkëstudentit që kanë studjuar bashkë me ata!

…Është tejet e vështirë që të shkulësh gjithë këtë lukni të pafund injorantësh që kanë depërtuar nëpër poste drejtuese vetëm se kanë një tesër partie. Ky kontigjent përbëhet nga njerëzit militant, besnikë të palëkundur të partisë që përfaqësojnë, adhurues deri në vdekje të kryetarit të tyre. Ata këtë kontigjent e duan ta kenë çdo ditë në përdorim që nga sjelljet vulgare, harbute ndaj të gjithë atyre “që nuk janë me ne”.

Nëpër fushata zgjedhore ky takëm duhet të jetë i gatshëm të zihet, të rrihet, të manipulojë, të shpif, të gënjejë, të manipulojë dhe të vjedhi vota, madje edhe të firmosi proces verbale po qe se është caktuar komisioner. Ky nëpunës servil është si ai qingji që pi gjithë kopenë, që merr tendera të majmë, që emërohet në doganë, në polici, në OJQ, që duhet të pranojë dhe të firmosi gjithçka që i kërkohet nga shefi i tij.

Njeriu i kulturuar duhet të reagojë kundër çdo të keqeje që ofendon dinjitetin dhe ndërgjegjen e tij. Përndryshe, kultura këtyre njerzëve të ditur nuk iu shërben për asgjë. Kjo jetë që po jetojmë me këta bastardë ka një shije konfuzion, çmendurie, ëndrre që ne duhet të mbyllim sytë dhe këta mediokër duhet të na gënjejnë të na vendosin para syve tanë perde që të mos shikojmë përpara. Ky takëm drejtuesish që i kanë vendosur partitë nuk është aq idiot sa ta mendojë veten të tillë. Të gjithë ankohen për padrejtësitë që ju bëhen nëpër gjykata, në administratë dhe mbajnë në gjoks një urrejtje si ulurimë që iu rri gjithmonë zgjuar, por e gjithë kjo pakënaqësi derdhet vetëm nëpër kafene në formën e thashethemeve…

Vazhdimisht si shoqëri jemi duke toleruar, por toleranca shndërrohet në krim kur zbatohet ndaj së keqes.

 

 

Please follow and like us: