Albspirit

Media/News/Publishing

Elta Milori: Stop njëherë e mirë denigrimit të femrës!

 

A do të ketë vallë në Shqipëri një organizëm real për mbrojtjen reale të të drejtave të gruas, të mbrojtjes ndaj baltosjes, fyerjeve, shpifjeve, ligësive, intrigave të çfarëdo dimensioni? A mundet kjo shoqëria jonë civile fejsbkusjane, të dali nga ai dimensioni virtual dhe të funksionojë realisht?

Sot nisur nga ajo çfarë lexuam në media për një gazetare të njohur, por çfarë rëndësie ka profesioni për një GRUA, të bën të mendosh që impotenca e botës maskiliste që na rrethon ka të bëjë me impotencën në radhë të parë të mendimit të saj.

Sonila nuk është e vetmja gazetare e baltosur. Shumë gra të identifikuara si persona publikë, por dhe jo publikë heshtin duke injoruar në heshtje intriga, fyerje dhe shpifje të dimensionit çnjerëzor, që në kohë të tjera i lante tjetër gjë.

Shumë gra publike i janë drejtuar gjykatave e prokurorive për vendosjen e dinjitetit të tyre në vend me vendime gjykatash. Por ka dhe nga ato që nuk u drejtohen, jo se nuk kanë mundësi, por e kalojnë në heshtje dhe në injorim të plotë situatën.

Ka nga ato që nuk i njeh njeri e i vrasin e torturojnë fizikisht e nuk kanë mbrojtje.

Vërtet jetojmë në periudha të vështira pandemie, ekonomie, pasigurie, por problem i madh është dhe ky i dhumimit të gruas, që nuk po gjen zgjidhje njëherë e mirë.

Kur do të marri fund njëherë e mirë e t’u mbyllet goja e t’u tregohet vendi këtyre burrave të paburra që marrin guximin t’i bëjnë biografinë, të ngritur mbi themele ligësie, helmi një gruaje, nëne, motre, shoqeje… kur vetë kanë në krah një grua, kur kanë motra, kur kanë vajza.

Unë nuk e njoh personalisht gazetaren, as atë që e ka fyer, unë këtë reagim do e kisha për këdo grua që denigrohet nga shpifjet e ulta, intrigat dhe çdo gjë e stisur thjesht dhe vetëm pse është grua. Thjesht dhe vetëm që ndoshta është personalitet.

Stop njëherë e mirë denigrimit të gruas!

Please follow and like us: